Që nga rivënia nën kontroll e Afganistanit, talebanët kanë përvetësuar një sasi të madhe armësh, pjesërisht të lëna pas nga ushtria e Shteteve të Bashkuara pas tërheqjes nga vendi, dhe pjesërisht të sekuestruara nga ushtria afgane, që gjithsesi ishte e armatosur nga Shtetet e Bashkuara.
Nuk dihet saktësisht se sa armë kanë aktualisht nën zotërim talebanët. Por dihet që arsenali i braktisur përfshin lloje të ndryshme municionesh dhe automjetesh ushtarake, dronë, radiomarrëse, syzet e shikimit gjatë natës, si dhe një sasi të konsiderueshme helikopterësh dhe avionësh.
Padyshim, sasia dhe cilësia e armëve që zotërohen aktualisht nga talebanët ka ngjallur shumë shqetësime, sidomos nëse ata do të jenë në gjendje t’i përdorin për vrasjen e civilëve apo ti shesin tek fuqitë e tjera tëhuaja. Por shumë nga vlerësimet mbi arsenalin e regjimit të ri janë ende të paqarta.
Dhe përdorimi i tyre nga talebanët, mbetet ende për t’u parë. Një nga arsyet pse tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani është kritikuar me ashpërsi ka të bëjë me armët e lëna në terren, pas rënies së shpejtë të ushtrisë dhe forcave policore afgane, të armatosura nga Shtetet e Bashkuara gjatë dy dekadave të fundit.
Sipas një zyrtari të Pentagonit, të cituar nga portali “The Diplomat”, aktualisht nuk ka asnjë dokumentacion të saktë mbi sasinë dhe cilësinë e armëve që ka lënë në Afganistan ushtria amerikane dhe ajo afgane. Gjithsesi janë bërë disa vlerësime të përafërta.
Një zyrtar ushtarak amerikan i intervistuar nga agjencia “Reuters”, deklaroi se talebanët zotërojnë rreth 2 mijë automjete ushtarake dhe rreth 40 njësi ajrore, përfshirë helikopterë, dronë ushtarakë dhe aeroplanë luftarakë.
Gazetari britanik David Patrikarakos, thotë se tani talebanët zotërojnë mijëra automjete ushtarake, përfshirë 100 mjete që janë rezistente ndaj minave tokësore, 100 tanke, dhe qindra mijëra armë të të gjitha kalibrave, si dhe 100 helikopterë dhe dhjetëra avionë.
Për më tepër, talebanët kanë përvetësuar pajisjet biometrike të përdorura nga ushtria amerikane, të cilat përmbajnë të dhëna mbi popullsinë afgane, dhe që mund ta ndihmojnë grupin radikal islamik të identifikojë kundërshtarët apo bashkëpunëtorët e qeverisë së deridjeshme.
Gjatë 20 viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar gati 83 miliardë dollarë për trajnimin dhe armatosjen e ushtrisë afgane. Shpenzimet kishin rënë ndjeshëm vitet e fundit. Por nga ato 83 miliardë, llogaritet se janë shpenzuar rreth 24 miliardë për armatimin e ushtrisë afgane.
Armët amerikane, u shtohen atyre që tashmë zotëronin talebanët, shumë më pak moderne dhe të sofistikuara,të cilat mbetën në vend pas pushtimit sovjetik që përfundoi në vitin 1989. Përvetësimi i armëve amerikane nga talebanët, u kujtoi disave se si Shteti Islamik përvetësoi armët që kishin lënë Shtetet e Bashkuara në territorin irakian.
“Çdo gjë që nuk është shkatërruar, është tashmë në duart e talebanëve”- tha për “Reuters” një anëtar i ushtrisë amerikane. Por fakti që talebanët kanë aktualisht një sasi të madhe armësh, nuk do të thotë automatikisht se ata mund dhe do të jenë në gjendje që t’i përdorin ato.
Së pari, jo të gjitha armët afgane dhe ato të ushtrisë amerikane të mbetura në Afganistan janë të përdorshme. Disa muaj para se Kabuli të binte në duart e talebanëve, Shtetet e Bashkuara kishin tërhequr shumë avionë nga Afganistani dhe kishin zhdukur një sasi armësh.
Gjenerali Kenet Mekenzi, kreu i komandës qendrore nga e cila varen operacionet në Afganistan, deklaroi para se të largohej nga Afganistani, se ushtria amerikane sabotoi automjete ushtarake dhe avionët, duke i shkatërruar fizikisht me eksplozivë.
“Ato automjete nuk mund të përdoren më nga askush”- theksoi gjenerali. Disa nga shpërthimet që u dëgjuan në Kabul ditët e fundit të evakuimit amerikan,kishin të bënin pikërisht me shkatërrimin e armëve dhe automjeteve ushtarake nga ushtria amerikane.
Së dyti, talebanët nuk dinë domosdoshmërisht si t’i përdorin armët që kanë përvetësuar.
Sipas një raporti nga SIGAR, organi qeveritar amerikan i krijuar në vitin 2008 për të mbikëqyrur aktivitetet amerikane në Afganistan, mungonin pilotët e kualifikuar për të drejtuar shumë nga avionët që ndodheshin në këtë vend.
Prandaj ushtria afgane varej nga mijëra kontraktorë të dërguar nga SHBA,për menaxhimin e shumë automjeteve dhe sistemeve komplekse të armëve. Disa nga avionët që ka të ngjarë të kenë përvetësuar talebanët kërkojnë pilotë dhe mekanikë të specializuar, si dhe mirëmbajtje specifike, dhe është shumë e vështirë të fluturosh me to pa trajnimin e duhur.
Sipas Entoni Kordesman të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, pa ushtarë të specializuar shumica e avionëve dhe armëve të rënda që ndodhen tani në duart e talebanëve janë të papërdorshme. Zhozef Votel, komandant në pension i forcave amerikane në Lindjen e Mesme, shprehet se shumica e armëve të sofistikuara që gjenden aktualisht në duart e talebanëve “janë më shumë një trofe dhe asgjë tjetër”.
Por ndërkohë, problemi më i madh është se talebanët mund t’i shesin armët e sofistikuara në tregun e zi. Falë Rrjetit Hakani, talebanët kanë një qasje të mirë në tregjet e paligjshme në disa vende të Gjirit Persik, ose t’ia shesin ato vendeve si Kina dhe Rusia.
Endrju Smoll, ekspert i politikës së jashtme në think-tankun “German Marshall Fund”, tha se talebanët ka shumë të ngjarë ta lejojnë Kinën të ketë qasje në armët amerikane. Por një oficer i ushtrisë amerikane tha për “Reuters” se Kina nuk është e interesuar shumë, pasi ka tashmë qasje në armë shumë të sofistikuara.
Ndërkohë, shqetësimi më i madh ka të bëjë më shumë se çdo gjë tjetër me armët e vogla, ato që talebanët mund t’i përdorin me lehtësi pa pasur nevojë për ndonjë trajnim specifik. Pra armët e zjarrit, si dhe aksesorët shumë të dobishëm, siç janë syzet e shikimit për natën, të cilat një burim amerikan i intervistuar nga “Reuters” i quajti “ndryshues të situatave”. / Il Post – Bota.al