Ekonomi

Çfarë është ekonomia e sjelljes? Brexit është një prej shembujve

Ekonomia e sjelljes përfshin studimin e psikologjisë, në analizën e vendim-marrjes prapa një rezultati ekonomik, siç janë faktorët që shtyjnë një konsumator që të blejë një produkt, në vend të një tjetri.

Akademiku amerikan, Richard Thaler fitoi çmimin Nobel në ekonomi, të hënën për punën e tij në këtë fushë. Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave, e cila dha çmimin prej 845.000 funtash, vlerësoi Thalerin për përfshirjen e supozimeve psikologjike në analizat e vendim-marrjes ekonomike.

Ndryshe nga fusha e ekonomisë klasike, në të cilën vendim-marrja bazohet tërësisht në logjikën e ftohtë, ekonomia e sjelljes mundëson sjellje joracionale, si dhe përpjekjet për të kuptuar pse kjo mund të ndodhë. Koncepti mund të zbatohet në miniaturë për situata individuale, ose më gjerë, për veprimet më të gjëra të një shoqërie, apo tendencat në tregjet financiare.

Brexit është një shembull se si ekonomia e sjelljes mund të jetë e dobishme. Thaleri ka sugjeruar se teoria mund të ndihmojë të shpjeghet, se si votimi i ngushtë për t’u larguar nga Bashkimi Evropian u ndikua nga zgjedhjet instiktive, dhe jo nga vendim-marrja racionale.

Teoria është veçanërisht e dobishme për kompani dhe ekspertë marketingu, që përpiqen të rrisin shitjet duke inkurajuar ndryshime në sjelljet e konsumatorëve. Mund të përdoret edhe për qëllime të përcaktimit të politikave publike.

Thaler është veçanërisht i mirënjohur për punën e tij mbi “teorinë e shtytjes”, një term që ai e pagëzoi për të shpjeguar se si ndërhyrje të vogla, mund të nxisin individët të marrin vendime të ndryshme. Megjithatë, shtytjet mund të jenë manipuluese, për dëmin e individëve.

Ja disa shembuj të teorisë:

Supermarketet

Thaler sugjeron se mund të bëhen ndryshime në “mjedisin e zgjedhjes” së një individi, për të ndikuar në sjelljen e tyre. Shembulli më i mirë i kësaj vjen në supermarkete, ku mund të tërhiqet vëmendja tek produkte të caktuara, për të inkurajuar konsumatorët që të shpenzojnë para.

Dhurimi i organeve

Thaler ka shqyrtuar përdorimin e inercisë dhe fuqinë e marrëveshjeve të parazgjedhura, në lejet për dhurimin e organeve. Në Britani, për shembull, Theresa May po konsideron një sistem të pëlqimit të supozuar – që do të nënkuptonte që individët supozohet të pranojnë përdorimin e pjesëve të trupit pas vdekjes, nëse nuk zgjedhin të kundërtën – në një politikë që ishte kritike, për fjalimin e saj në konferencën e partisë Konservatore në Mançester javën e kaluar.

Kujtesat për taksat

Njësia e “shtytjes” në agjencinë e tatimeve të qeverisë britanike përdori letra kujtese për pagimin e taksave, duke përdorur parimet e ekonomisë së sjelljes, që thuhet se ndihmoi për të mbledhur më shumë se 200 milionë stërlina në një vit.

Cigaret elektronike

Ekipi i studimit të sjelljes punoi me Departamentin e Shëndetit për kuadrin rregullator të cigareve elektronike, duke i parë pajisjet si ndoshta dobiprurëse për të ndihmuar duhanpirësit që të heqin dorë. Ai këshilloi qeverinë se është shumë më e kollajtë të zëvendësosh një sjellje të tillë, se sa të eleminosh një të ngulitur. Më shumë se 2.3 milionë njerëz tani e përdorin. / The Guardian – Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button