Që nga lufta e nxituar e tarifave, te retweet-et zyrtare të Shtëpisë së Bardhë ku Trump shfaqej si Papa ose si Luke Skywalker, deri te dyshimi i tij shqetësues për Kushtetutën («Nuk e di nëse duhet ta respektoj»): veprimet e fundit të Z. President lënë të mendohet se ka humbur arsyen.
Por, përtej këtij rasti specifik, po sikur të jetë pikërisht një gjendje e luhatshme mendore ajo më e përshtatshme për një burrë shteti?
Kjo është teza provokuese që hedh psikiatri Nassir Ghaemi, profesor në Universitetin Tufts, në librin “Një çmenduri e jashtëzakonshme. Histori të çrregullimeve mendore të liderëve të mëdhenj”.
Sipas Ghaemi-t, liderët shumë të ekuilibruar janë idealë në kohë paqeje dhe mirëqenieje, ndërsa në periudha të vështira, të kesh ndonjë çrregullim psikik mund të të japë avantazh. «Gjatë krizave gjeopolitike apo ekonomike duhen liderë realistë, krijues, të qëndrueshëm dhe empatikë», shpjegon Ghaemi. «Studime të ndryshme tregojnë se këto katër karakteristika janë shpesh më të theksuara tek personat që vuajnë nga çrregullime psikiatrike si çrregullimi bipolar, ku fazat depresive ndërthuren me periudha maniakale. Depresivët janë zakonisht më realistë dhe empatikë, ndërsa gjatë fazës maniakale shfaqen energji, kreativitet dhe rezistencë ndaj stresit».
Ghaemi e mbështet tezën e tij me metodën e psikobiografisë: një lloj diagnoze e bazuar në dokumente që ndihmojnë në rindërtimin e faktorëve kryesorë, edhe gjenetikë, të figurave të mëdha historike.
Një rast shembullor është ai i Abraham Lincolnit, president i SHBA-së nga viti 1861 deri në vitin 1865.
«Vuante në mënyrë të përsëritur nga depresioni, deri në atë pikë sa të afërmit e tij, kur ishte i ri, i fshihnin thikat nga frika se mos priste damarët», tregon autori. «Por pikërisht depresioni, duke ia hequr filtrin rozë realitetit, i dha një qartësi të jashtëzakonshme: përballoi çështjen e skllavërisë me vendosmëri. U përpoq deri në fund të shmangte luftën civile, dhe më pas e fitoi atë falë aftësisë së tij analitike. Tregoi empati edhe për rebelët e Jugut, duke urdhëruar që udhëheqësit e tyre të mos dënoheshin me vdekje».
Edhe Winston Churchilli kishte dobësi që rezultuan fitimprurëse.
«Vuante nga ciklotimia, një formë e lehtë e çrregullimit bipolar. Alternonte periudha depresioni, që ai i quante “qeni i zi”, gjatë të cilave mezi ngrihej nga krevati, me faza lehtësisht maniakale ku ishte brilant dhe i pandalshëm. Ishte “realizmi i tij depresiv” që i bëri të mundur të kuptonte me kohë kërcënimin e Hitlerit, ndërkohë që paraardhësi i tij Neville Chamberlain kultivonte trëndafila dhe iluzione për kancelarin gjerman».
Churchill tregoi gjithashtu shumë empati ndaj bashkëkombësve të tij. «Megjithëse ishte konservator, luftoi për klasën punëtore dhe të varfrit», thotë psikiatri. «Në vitet ’20, gjatë mirëqenies ekonomike, dështoi si ministër Financash dhe, për shkak të ciklotimisë dhe irritimit, kishte pak miq. Por gjatë luftës u bë luani britanik që të gjithë e admirojnë».
Dhimbja e Gandhi-t
Edhe Mahatma Gandhi u prek nga vuajtjet e jetës: «Në rini vuante nga depresioni dhe mendimet vetëvrasëse. Gjatë jetës pati disa faza në të cilat mendonte se vuante nga sëmundje të rënda: nga dokumentet historike mund të klasifikohet si i prekur nga distimia, apo depresion kronik i lehtë», shpjegon Ghaemi. «Por ishte pikërisht ajo përballje intime me brishtësinë që formësoi te ai një empati radikale, e cila e shtynte të ishte dashamirës – por jo i dorëzuar – edhe ndaj armiqve». Një filozofi i jodhunës që ndikoi edhe te Martin Luther King.
«Edhe ai ishte klinikisht depresiv, dhe aftësia e tij për t’u identifikuar me të tjerët buronte më shumë nga përvoja personale e dhimbjes shpirtërore, sesa nga mësimet morale», vëren studiuesi. «Një udhëtim i brendshëm që ai e shndërroi në një forcë të pathyeshme».
Prejardhje krejtësisht fizike kishte vuajtja e Franklin Delano Rooseveltit: «Poliomieliti e detyroi të përdorte karrige me rrota që në moshën 39-vjeçare, por temperamenti i tij hipertimik – një gjendje maniakale e lehtë dhe e qëndrueshme e karakterizuar nga energji e lartë dhe rezistencë ndaj stresit – e bëri të aftë të përballonte me sukses Depresionin e Madh dhe Luftën e Dytë Botërore».
As John Fitzgerald Kennedy nuk gëzonte shëndet të mirë: «Vuante nga sëmundja e Addison-it, e trajtuar me ilaçe hormonale shumë të rënda, dhe kishte një shtyllë kurrizore të dëmtuar. Edhe ai ishte hipertimik, me tipare të theksuara maniakale: hiperaktivitet, pagjumësi, dëshirë seksuale të lartë dhe humor të ndryshueshëm», shpjegon studiuesi.
«Forma e tij e lehtë e manisë ishte rrënja e karizmës së tij të pafundme, edhe pse në vitin e parë të presidencës ilaçet që merrte përforcuan tiparet maniakale, duke ndikuar në vendime të nxituara si pushtimi i dështuar i Kubës. Kur ndërpreu trajtimin hormonal, gjeti një ekuilibër më funksional, duke përballuar me qartësi krizën e raketave dhe duke promovuar reforma të rëndësishme për të drejtat civile».
Po Trumpi? «Edhe ai është një hipertimik: energji e madhe, nevojë e vogël për gjumë, vetëvlerësim i tepruar dhe impulsivitet i fortë. Në kontekste krize, ky temperament mund të ndihmojë kreativitetin dhe rezistencën ndaj stresit, por në periudha stabiliteti mund të çojë në vendime agresive dhe jofunksionale si tarifat apo menaxhimi tiranik i emigracionit», përfundon psikiatri. «Çështja nuk është nëse Trump është “i sëmurë” apo “i shëndetshëm”, por nëse psikika e tij është e përshtatshme për momentin historik që po kalon Amerika: sipas të gjitha gjasave, nuk duket se është». / bota.al