Bota

Çfarë mund të ndodhë realisht nëse Londra largohet nga BE?

Screen Shot 2016-02-06 at 09.50.19

Nga Bernard Guetta

Ky është një skenar që ka shumë gjasa të ndodhë, aq më tepër që sugjerohet dhe nga sondazhet e zhvilluara javët e fundit. Pavarësisht nga lëshimet ndaj Britanisë së Madhe, dhe ndryshimet që udhëheqësit evropianë do të miratojnë pas pak ditësh në samitin e rradhës në Bruksel, në mënyrë që të lejojnë kryeministrin britanik Dejvid Kameron t’i tregoj votuesve të vet se i ka marrë reformat e kërkuara, dhe konfirmuar kësisoj vazhdimin e qëndrimit të Londrës në union, nuk është e pamundur që eurofobët të arrijnë të triumfojnë në referendumin e 23 qershorit.

Nëse kjo ndodh, një nga tre fuqitë e mëdha evropiane do të braktisë projektin e përbashkët, duke shkaktuar një tërmet të dhunshëm, nëse kemi parasysh se po flasim për një zhvillim të paparë më herët. Por çfarë mund të ndodhë në praktikë?

Sipas njërit prej udhëheqësve më të informuar evropianë, përgjigja është “asgjë”, ose të paktën asgjë e menjëhershme. Së pari, derisa britanikët nuk janë shprehur, do të ishte paraprakisht kundërproduktive ideja për të ringjallur Bashkimin Evropian pas daljes eventuale të Londrës, sepse kjo do të nënkuptonte forcimin e eurofobëve, të cilët akuzojnë vazhdimisht udhëheqësit evropianë, se duan ta kthejnë eurozonën në një bashkim politik që do të diktojë ligjin në kuadër të projektit evropian, dhe do të argumentonin se e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar federalizmit, është një shpërbërje përfundimtare e unionit.

Kjo do të komplikojë detyrën e Dejvid Kameronit dhe britanikëve pro-evropianë, të cilët në këtë moment duhen lënë të lirë për të argumentuar se Mbretëria e Bashkuar do të ketë shumë për të humbur duke dalë nga unioni, dhe sidomos do të rrezikonte të shihte Skocinë të shpallte pavarësinë e saj, pasi këta të fundit nuk kanë ndërmend të ndjekin britanikët në aventurën e tyre.

Por në rast se në fund fitojnë eurofobët? Në këtë rast, thonë ata, do të ketë ende kohë për të vlerësuar pasojat, sepse Londra do të përballet me problemin skocez, gjetjen e një pozicioni të ri në botë dhe ndryshimin (proces që nuk është i lehtë) e të gjitha ligjeve, që janë të lidhura me pranimin në Bashkimin Evropian.

Ky proces do të jetë me aq shumë me të meta, sa do të zbutë rrezikun e infektimit të shteteve të tjera. Edhe për këtë arsye, Brexit ose jo Brexit, Franca dhe Gjermania do të presin gjithësesi verën e vitit të ardhshëm për të çuar përpara propozimet e tyre për forcimin e eurozonën, përmes harmonizimit progresiv të politikave të saj fiskale dhe sociale, emërimin e një ministri të ekonomisë së eurozonës, si dhe krijimin e një dhomë të veçantë në kuadër të Parlamentit Evropian.

Së fundmi, duhet të kemi parasysh se veprimet konkrete do t’i takojnë mazhorancave të dala nga zgjedhjet franceze dhe gjermane të vitit 2017. Në letër, arsyetimi është krejtësisht linear, por problemi është se ndërkohë zona Shengen mund të jetë vetëm një kujtim, dhe se tensionet brenda Bashkimit Evropian do të jenë në kulmin e tyre, aq sa largimi i britanikëve mund të shndërrohet në gozhdën e fundit në arkivolin e Evropës së bashkuar. Nxitimi nuk është asnjëherë pozitiv, por edhe qetësia olimpike ka rreziqet e saj.

“Internazionale” / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button