Shendeti

Çfarë ndodh realisht kur na dhemb koka?

Gati të gjithë përjetojnë herë pas here dhimbje koke. Ajo mund të shkaktohet nga një ngushtim rreth lobeve të trurit apo pas një mpirje të fortë të qafës, pasi keni punuar në kompjuter gjatë gjithë ditës. Ajo mund të vijë gjithashtu nga një dhimbje në fytyrë, për shkak të një infeksioni të sinusit apo pas thithjes së një sasie të madhe poleni në një ditë të bukur pranverore.

Zakonisht shkaktari më i zakonshëm i dhimbjeve të kokës është tensioni. Por ajo mund të shkaktohet edhe nga mungesa e gjumit, anashkalimi i vakteve ushqimore apo pirja e alkoolit. Këta faktorë, dhe të tjerë, mund të kontribuojnë në dhimbjen tuaj të kokës.

Por çfarë e shkakton në fakt dhimbjen?

Kur keni dhimbje koke, në fakt nuk është truri juaj që po ju dhemb, edhe nëse aty ndjeni dhimbje. Truri nuk ka receptorë të dhimbjes. Kjo është arsyeja pse kirurgët mund të stimulojnë trurin e njerëzve plotësisht të vetëdijshëm dhe t`i pyesin se çfarë po përjetojnë, një teknikë që u dha mundësi studiuesve të fillojnë të skanojnë trurin.

Pjesa tjetër e kokës suaj, nga ana tjetër, është e ngarkuar me receptorë dhimbje, të njohur zyrtarisht si nociceptors, ose fibra nervore shumë të vogla që i dërgojnë mesazhin trurit se diçka potencialisht e dëmshme po ndodh. Ka nociceptorë në kokë dhe qafë, si në pjesën e brendshme dhe të jashtme të kafkës, ashtu edhe në mbulesën e trurit.

Ekzistojnë gjithashtu fibra dhimbje tek venat dhe nervat. Pra, çfarë i irriton fijet e dhimbjes? Shpesh është e njëjta gjë që e bën shpinën tuaj të dhembë pas pastrimit të garazhit ose qëgjunjët tuaj të dhembin pas një vrapimi: inflamacioni.

“Kur ju tensiononi muskujt e qafës tuaj për një kohë të gjatë ndërsa shikoni në ekranin e kompjuterit, ose thjesht jeni të stresuar dhe muskujt tuaj janë të shtrënguar, aty ka inflamacion në muskuj që sinjalizon dhimbjen, kështu që ju ndjeni dhimbje në qafë

ose dhimbje koke për shkak të tensionit të kafkës” – thotë Dejn Cetkoviç, kryetar i Departamentit të Neurologjisë në Qendrën Mjekësore të Universitetit Vanderbilt.

Nëse dhimbja e kokës është shkaktuar nga një infeksion, edhe në këtë rast ndikon një mekanizëm i ngjashëm. Një infeksion i sinusit mund të shkaktojë inflamacion që irriton fijet e dhimbjes në rreshtimin e sinuseve tuaja. Ose nëse është një infeksion bakterial, toksinat e lëshuara nga bakteret mund të irritojnë ato fibra. Por e gjitha kjo arrin që të irritojë fijet e dhimbjes. Truri juaj e interpreton atë si dhimbje, dhe ju e quani atë një dhimbje koke.

Përtej dhimbjes së kokës së shkaktuar nga tensioni, shumë njerëz luftojnë me dhimbjen më të rëndë të kokës dhe më famëkeqen nga të gjitha:migrenën. Migrena në të vërtetë thyen shumicën e rregullave të dhimbjes së kokës. Mund të jetë disi edhe e gabuar që të quhet migrena dhimbje koke, pasi ajo është më shumë sesa kaq.

Si forma e dytë më e zakonshme e dhimbjes së kokës, migrena mund të shkaktojë të gjitha llojet e simptomave të çuditshme dhe jashtëzakonisht të pakëndshme, përveç dhimbjes së kokës. Ato mund të përfshijnë marramendje, të përziera, shqetësime të shikimit për shkak të dritës ose shikim të paqartë dhe super-ndjeshmëri ndaj dritës, zërit dhe aromave. Ndonjëherë migrena as nuk shkakton dhimbje koke – vetëm simptoma të tjera më të këqija, të cilat shpesh quhen migrenë e heshtur.

Disa nga simptomat janë të njëjta edhe për migrenën ashtu si për dhimbjet e tjera të kokës. “Në rastin e migrenës, ka inflamacion ose të meningeve (tre membranat dura mater, arachnoid dhe pia mater) që mbështjellin kafkën dhe kanalin vertebral aty ku është pika e takimit të trurit me palcën kurrizore, ose të enëve të gjakut brenda dhe jashtë kafkës,”- shpjegon Çetkoviç.

Por këtu është ndryshimi:“Ky inflamacion nuk shkaktohet nga lodhja e tepërt”,- thotë ai. “Ai shkaktohet nga një mori ndryshimesh gjenetike dhe mjedisore që shkaktojnë dhimbje tek njerëz të caktuar që janë të ndjeshëm.”

Por lë t`i kthehemi sërish pyetjes se çfarë e shkakton realisht dhimbjen – apo, në rastin e migrenës, aq shumë simptoma të çuditshme? Ka ende shumë gjëra që ne nuk i dimë për migrenën, thotë Silvia Lukas, profesore e neurologjisë në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Uashingtonit në Siatëll.

Ajo thotë: Membranat që mbështjellin trurin janë të mbushura me nerva, siç është nervi i madh dhe kompleks trigeminal. Këto nerva derdhin një shumëllojshmëri të kimikateve që mund të aktivizojnë nociceptorët. Kur kjo ndodh, nervat i dërgojnë një mesazh trurit. Truri lexon mesazhin, dhe mesazhi thotë “dhimbje” – ose më saktësisht, “migrenë”.

Por ashtu si edhe për shumë gjëra të tjera, edhe për migrenën gjërat janë të komplikuara. Tek njerëzit me predispozitë gjenetike, dhimbjet e kokës nga tensioni mund të evoluojnë në migrenë. “Është vërtetë shumë e çuditshme. Fillon me ndjesinë e qafës së ngrirë, dhe më pas ajo aktivizon trurin, më pas truri aktivizohet dhe shkakton inflamacion në enët e gjakut brenda kokës”- thekson Çetkoviç

Kështu,gjithçka mund të nisë thjesht me një dhimbje të qafës e shkaktuar nga një punë shumë e vështirë, pastaj ajo kthehet në migrenë. Nga ana tjetër, ndonjëherë i gjithë procesi fillon tek vetë truri.

Migrena, thotë Lukas, është një kanalopati – një sëmundje që shkaktohet nga mosfunksionimi i kanalit jon (një proteinë që vepron si një pore në një membranë qelizore dhe lejon kalimin selektiv të joneve (të tilla si jonet e kaliumit, jonet e natriumit dhe jonet e kalciumit), me anë të të cilave rryma elektrike kalon brenda dhe jashtë qelizës). Kjo do të thotë që sinjalet elektrike në tru nuk funksionojnë gjithmonë siç duhet, dhe kjo mund të jetë vërtetë një dhimbje koke. / Discover – Bota.al

Back to top button