BotaMAIN

Çfarë shkoi keq në Gjermani?

Sasia e madhe e shiut që u derdh në disa vende të Evropës Qendrore gjatë natës midis 14 dhe 15 korrikut shkaktoi përmbytje të rënda serioze, të cilat shkaktuan më shumë se 200 të vdekur dhe rreth 1 mijë të tjerë të plagosur.

Në Gjermani, vendi më i prekur, shirat ishin parashikuar nga meteorologët, por funksionimi i veçantë i “sistemit të alarmit” për këto ngjarje dhe mosbesimi i shumë njerëzve për parashikimet shkaktoi vonesa në evakuime dhe e rëndoi shumë bilancin e dëmeve.

Tani që situata gradualisht po i rikthehet normalitetit, ka shumë diskutime rreth asaj që shkoi keq në sistemin e paralajmërimit dhe parandalimit, dhe nëse mund të ishte bërë diçka për ta parandaluar një katastrofë të tillë.

Nuk ka asnjë dyshim se kjo është një nga përmbytjet më serioze pas atyre që goditën Evropën Qendrore në gushtin e vitit 2002 duke shkaktuar 100 të vdekur, të cilat u shkaktuan pjesërisht nga ndryshimi i klimës.

Por vëmendja e klimatologëve dhe ekspertëve të fushës po përqendrohet edhe tek vonesat e masave të marra nga landet gjermane për të siguruar jetën e popullatës, dhe tek fakti që e njëjta popullatë nuk i mori parasysh paralajmërimet e ditëve të mëparshme.

Sinjali i parë paralajmërues ishte dhënë që fundjavën që i parapriu përmbytjeve nga EFAS, vëzhguesi evropian i përmbytjeve, që paralajmëron në rast rreziqesh autoritetet kombëtare mbi rrezikun e reshjeve të mëdha të shiut dhe përmbytjeve nga lumenjtë evropianë. Informacioni iu transmetua Deutscher Wetterdienst (DWD), shërbimit meteorologjik gjerman, që nga ana e tij paralajmëroi autoritetet e landeve që mund të prekeshin mbi rrezikun e përmbytjeve.

Por diçka në “zinxhirin e komunikimit”nuk funksionoi, ose të paktën jo siç duhej. Në disa zona autoritetet lokale e paralajmëruan në kohë popullatën dhe këta të fundit u larguan nga shtëpitë e tyre, ndërsa në zona të tjera komunikimet u bënë me vonesë ose ishin kaotike.

Hana Kloke, hidrologia që ndihmoi në krijimin e Qendrës Evropiane të Monitorimit të Përmbytjeve pas katastrofës së vitit 2002, tha për “Politico” se një numër kaq i lartë i vdekjeve, ka ndodhur për shkak të “një dështimi të madh të sistemit të paralajmërimit”.

Ajo besonte se ishte e pamundur që “kaq shumë njerëz të mund të vdisnin nga një përmbytje në vitin 2021”. Kloke shtoi se pavarësisht alarmit të dhënë nga EFAS, popullsia e disa qyteteve gjermane e nënvlerësoi rrezikun:“Pamja e njerëzve brenda makinave,apo në përpjekje për të kaluat në ujërat e thella më tmerron, pasi këto janë veprimet më të rrezikshme që mund të ndërmerren gjatë një përmbytje”.

Sikurse raportoi “The Wall Street Journal”, pasi EFAS dha alarmin, shërbimi meteorologjik gjerman raportoi se reshje të mëdha shiut do të binin me shumë gjasa në Gjermaninë Perëndimore ditën e mërkurë.

Në atë moment, u njoftua menjëherë qeveria qendrore dhe ato lokale, ashtu si edhe shërbimet e Mbrojtjes Civile. Evakuimi i godinave në zonat e prekura nga përmbytjet duhet të kishte nisur menjëherë, por nuk ndodhi kështu.

“Ne dhamë alarmin sa më shpejt që patëm mundësi”-thotë Uve Kirshe, zëdhënës i shërbimit meteorologjik. “Por si një autoritet federal, DWD nuk është përgjegjës për evakuimet apo masa të tjera të këtij lloji. Kjo gjë varet nga autoritetet lokale”- tha ai.

Shumë kritika pati edhe nga partitë opozitare ndaj Ministrit të Brendshëm, Horst Sihofer, përgjegjës për mbikëqyrjen e ngjarjeve të tilla si përmbytjet, qëe mbrojti veten duke thënë se urdhri i evakuimit varej nga autoritetet lokale dhe jo nga qeveria qendrore.

Më 12 korrik, DWD dha ​​alarmin, shkroi në mediat sociale në lidhje me përmbytjet që priteshin të mërkurën në mbrëmje, dërgoi një njoftim përmes një aplikacioni të përdorur nga më shumë se 10 milionë gjermanë, dhe rubrikat e motit nëpër televizione paralajmëruan mbi rreziqet e atyre reshjeve.

E megjithatë, autoritetet në shumë qytete nuk vepruan me shpejtësi për të urdhëruar evakuimin e banorëve, dhe u zunë në befasi kur rreth mesnatës të së mërkurës së datës

14 korrik në Rineland-Palatinate dhe North Rine-Vestfalia, dy zonat më të prekura nga përmbytjet, ra 10-15 centimetra shi, një sasi që në kushte normale në ato zona bie në 1 muaj.

Situata, thekson “The Wall Street Journal”, nuk u lehtësua as nga skepticizmi i madh i popullsisë ndaj shërbimit meteorologjik, që pati efekte të mëdha:shumë njerëz pritën deri në momentin e fundit për t’u larguar nga shtëpitë e tyre, duke besuar se parashikimet ishin më tepër alarmante sesa realiteti.

Disa nga zonat ku evakuimet funksionuan më mirë, ishin ato ku ende janë në përdorim sirenat e përdorura gjatë sulmeve ajrore në Luftën e Dytë Botërore, të cilat janë hequr në pjesën më të madhe të Gjermanisë.

Në disa zona, vetëm tingulli i sirenave i bindi njerëzit të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Sipas Ulrike Shmid-Kesler, zëdhënëse e qytetit të Vypertalit në Vestfalinë Veriperëndimore. Sirenat u treguan më efektive sesa mjetet e alarmit dixhital. Kjo pasi “jo të gjithë kanë një aplikacion, dhe ne nuk mund të mbështetemi gjithmonë tek celularët pasi në rast përmbytjeje mund të ndërpritet lidhja me internetin, siç edhe ndodhi në të vërtetë”- thotë Shmid-Kesler. / bota.al

Back to top button