Ian Buruma*
Demokracia, në perëndim apo kudo tjetër, bazohet në gatishmërinë për të realizuar kompromise, zgjidhur konflikte interesi në mënyrë paqësore, brenda kuadrit të sundimit të ligjit. Që demokracia të funksionojë, qytetarët duhet të jenë të përgatitur të japin dhe të marrin. Kjo do të thotë gjithashtu që në një shoqëri të qytetëruar ne biem dakord të jetojmë me dallime fetarë dhe kulturorë, pa i fyer në mënyrë të qëllimshme ata persona, vlerat e të cilëve nuk i ndajmë. Kjo nuk është një çështje e bashkëpunimit burracakëor me të keqen, apo e të hequrit dorë nga liria e shprehjes. Nuk do të thotë as mungesë parimesh, siç përpiqet ta interpretojë ndokush. Toleranca nuk është shenjë dobësie
Regjisori holandez, Theo van Gogh i cili u vra prej një ekstremisti mysliman në Amsterdam pak më shumë se dhjetë vjet më parë, kishte shumë të përbashkëta me satiristët e Charlie Hebdosë. Ashtu si redaktorët dhe karikaturistët francezë, ai ishte një provokator, një anarshist moral, një artist tronditës që nuk shihte kurrë një tabu që nuk do të donte ta thyente.
Për shkak se antisemitizmi ishte tabuja e madhe europiane e pasluftës, Van Gogu fyente hebrenjtë me shaka të trasha me dhoma gazi. Për arsye se na thuhet që të “respektojmë” Islamin, ai vinte në lojë Allahun dhe Profetin e tij, pak a shumë ashtu si bënte Charlie Hebdo.
Qëllimi i thyerësve të tabuve është që të shohin se sa mund të zgjaten limitet e lirisë së shprehjes, nga pikëpamja ligjore dhe sociale. në fund të fundit, pavarësisht dramës disi histerike që u zhvillua pas vrasjeve mizore në Paris, liria e shprehjes nuk është absolute. Shumica e shteteve europianë kanë ligje kundër ligjëratës së urrejtjes, duke përfshirë Francën, ku është e ndaluar që të mohohet ekzistenca e Holokaustit.
Liria e shprehjes është në fakt relative. Atë që mund ta thotë një artist apo një shkrimtar, nuk mund ta thotë një gjykatës apo një politikan. Një gjuhë që përdoret nga afro-amerikanët ems tyre mund të jetë shumë fyese nëse përdoret nga një i bardhë. E kështu me radhë. Rregullat e thjeshtë të mirësjelljes krijojnë barriera shoqërore që nuk lejojnë të themi atë që duam.
Roli i provokatorëve është të sfidojnë këto barriera shoqërore, duke qenë qëllimisht jo të mirësjellshëm. Duhet të ketë hapësirë për ikonoklastë të tillë, në arte dhe në skajet e gazetarisë, dhe sigurisht që ata nuk duhet të pësojnë sulme të dhunshëm.
Por, të barazosh Theo van Goghun ose Charlie Hebdonë me “demokracinë” apo “qytetërimin perëndimor është një gjë shumë e madhe. Se kështu i bie të thuash që Al Qaeda në Jemen përfaqëson qytetërimin Lindor apo Islamik.
Qytetërimi perëndimor është gjithësesi një koncept i paqartë. A do të thotë greko-romak, apo kristian, apo judeo-kristian? Apo është Iluminimi? Nëse po, cili Iluminim? Volteri? De Sade? Adam Smithi? A nuk ishin fashizmi dhe komunizmi pjesë të qytetërimit perëndimor?
Sido që të jetë, nevoja për të thyer tabu nuk është aspak unike për Perëndimin. Dhe kultura e fyerjes dhe provokimit është në disa drejtime e kundërta e mënyrës se si funksionon në realitet demokracia.
Demokracia, në perëndim apo kudo tjetër, bazohet në gatishmërinë për të realizuar kompromise, zgjidhur konflikte interesi në mënyrë paqësore, brenda kuadrit të sundimit të ligjit. Që demokracia të funksionojë, qytetarët duhet të jenë të përgatitur të japin dhe të marrin. Kjo do të thotë gjithashtu që në një shoqëri të qytetëruar ne biem dakord të jetojmë me dallime fetarë dhe kulturorë, pa i fyer në mënyrë të qëllimshme ata persona, vlerat e të cilëve nuk i ndajmë.
Kjo nuk është një çështje e bashkëpunimit burracakëor me të keqen, apo e të hequrit dorë nga liria e shprehjes. Nuk do të thotë as mungesë parimesh, siç përpiqet ta interpretojë ndokush. Toleranca nuk është shenjë dobësie.
Toleranca tregon një ngurim për të parë vlerat socialë në terma absolutë, apo për ta ndarë botën në të mirë dhe në të këqinj. Por edhe toleranca nuk është absolute: Një gjë që asnjë shoqëri demokratike nuk mund ta pranojë është që të përdorë dhunën për të imponuar pikëpamjet, qofshin këto fetare, politika apo një kombinim i të dyjave.
Ne mundet vetëm të hamendësojmë për motivet psikologjikë të personave që vranë botuesit dhe artistët e Charlie Hebdo, apo personit që rrëmbeu pengjet dhe vrau katër persona në një supermarket. Ndoshta ishin dështakë patetikë, të cilët kaluan nga ëndrrat adoleshente për vajza, futboll dhe para të fituara kollaj, në Luftën e Shenjtë. Ka ndodhur kështu me shumë xhihadistë të rritur në Europë, duke përfshirë edhe vrasësin e Theo Van Goghut. Ata nuk ishin të parët njerëz të dobët që përqafuan një kauzë revolucionare për t’i dhënë vetes një ndjesi fuqie dhe përkatësie.
Ne dimë më shumë në lidhje me motivet politikë të grupeve të dhunshëm revolucionarë që rekrutojnë këta të rinj dhe të reja, për të bërë vrasjet. Disa pretendojnë se blasfemia apo tllja me Profetin ishin arsye kryesore përse u sulmua Charlie Hebdo dhe u vra Van Goghu. Kam dyshime. Eshtë e vërtetë që myslimanët mund të ndihen të fyer prej filmave apo karikaturave blasfemuese. Por, prapa këtyre vrasjeve ka më shumë se sa ndjeshmëritë e lënduara.
Frikësimi brutal i kritikëve aktualë apo atyre potencialë është një prej qëllimeve të grupeve revolucionarë. Ajo që revolucionarët urrejnë më shumë janë jo sulmet e drejtpërdrejtë prej armiqve të tyre, por kompromiset e domosdoshëm, dhënia dhe marrja, negociatat dhe përshtatjet që bëhen kur jeton në një shoqëri liberale. Objektivi i tyre më i rëndësishëm është që të fitojnë më shumë rekrutë për kauzën e tyre. Nëse janë Islamikë, ata duhet të përpiqen që të detyrojnë myslimanë paqësore, që i binden ligjit, të pushojnë së bëri kompromise me shoqëritë laike ku jetojnë. Ata kanë nevojë për më shumë Luftëtarë të Shenjtë.
Mënyra më efikase për ta bërë këtë gjë është që të provokojnë një reagim kundër myslimanëve duke sulmuar objektiva simbolikë, si Kullat Binjake në Nju Jork, një regjisor të famshëm në Amsterdam, apo një revistë satirike në Paris. Sa më shumë që myslimanët në Europë të ndihen të frikësuar, të refuzuar dhe të rrethuar prej shumicës jomyslimane, aq më shumë gjasa ka që ata të mbështesin ekstremistët.
Nëse pas sulmeve të pak ditëve më parë ne konkludojmë se Islami është në luftë me Perëndimin, atëherë xhihadistët do të kenë marrë një fitore të madhe. Nëse ne zgjedhim të kemi shumicën paqësore të myslimanëve si aleatët tanë kundër dhunës revolucionare, dhe i trajtojmë ata si të barabartë, atëherë demokracitë tona do të forcohen më shumë.
Ian Buruma është Profesor i Demokracisë, të Drejtave të Njeriut dhe Gazetarisë në Bard College si dhe autor i “Ora Zero: Një histori e 1945-ës”
* Marrë me autorizimin e Project Syndicate – www.bota.al