Konjukturat e përgjithshme janë mjaft të qarta. Më së pari, duhet bindur lideri sirian Bashar Al-Asad dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt, të hiqen vullnetarisht mënjanë, për të lejuar sunitët të marrin drejtimin e vendit. Nga ana e tyre këta të fundit, në të njëjtën kohë duhet t’i ofrojnë garanci pakicës shiite dhe Iranit. Rusia, tashmë ka filluar ta bëjë këtë, me miratimin e heshtur të Perëndimit. Masakra ndaj gazetës satirike franceze “Charlie Hebdo”, dhe frika e sulmeve të reja në Evropë, nuk janë krejtësisht pa lidhje me përshpejtimin e këtij procesi
Tani për tani, nuk mund të themi me siguri, nëse do të arrihet një kompromis mbi çështjen bërthamore të Iranit. Megjithatë, paramendoni sikur gjithçka do të shkonte mirë dhe që aktiviteti intensiv diplomatik, i filluar të mërkurën në kuadër të rinisjes së negociatave mes fuqive të mëdha dhe Iranit, do të çonte realisht në një marrëveshje para afatit maksimal kohor, që është 30 qershori i këtij viti.
Sanksionet ekonomike kundër Iranit do të hiqeshin, duke favorizuar kështu krahun e moderuar dhe reformist të Teheranit dhe lehtësuar një hapje brenda vendit. Për popullin iranian, ky do të ishte lajmi më i mirë i mundshëm, dhe në përgjithësi një marrëveshje do të ndryshonte rrënjësisht bilancin në Lindjen e Mesme, sidomos fatin e luftës kundër xhihadistëve dhe Shtetit Islamik.
Në fakt, ushtria iraniane do të mund të merrte pjesë zyrtarisht në koalicionin kundër xhihadistëve sunitë, që janë edhe kundërshtarët e deklaruar të shiitëve iranianë dhe qeverive shiite në Bagdad dhe Damask.
Shteti islamik, avancimi territorial i të cilit tanimë është ndalur, do ta gjente veten keq kundër trupave iraniane tokësore, dhe do të rrezikonte seriozisht humbjen. Megjithatë një perspektivë e tillë, nuk është aspak tërheqëse për vendet sunite të koalicionit (me Arabinë Saudite në krye), për të cilat futja në skenë e Teheranit do të ishte një katastrofë.
Faktikisht, Irani në mënyrë të qartë do të kishte përparësi mbi rivalët rajonale. Jo vetëm një pakicë “heretike” e islamit, do të dilte fitues nga kjo përplasje, por Iran shiit shumë shpejt do të bëhej fuqia e parë në rajon, falë nivelit të arsimimit të të rinjve, për forcën e tij ushtarake, pasurinë e madhe të naftës dhe gazit por sidomos për dinamizmin e një shoqërie të prirur (nën vello) drejt modernitetit.
Prapa negociatave mbi çështjen bërthamore të Irani, luhet një lojë e madhe aq komplekse, sa një sukses i mundshëm në këto bisedime, nuk është në vetvete i mjaftueshëm. Para se arrihet një marrëveshje konkrete, duhet të mendohët rreth fazës së ardhshme, që duhet t’u ofrojë garanci fuqive sunite.
Dhe kjo fazë në mënyrë të pashmangshme përfshin Sirinë, një vend me shumicë sunite, por të udhëhequr nga një regjim shiit dhe aleat i Iranit. Për të shndërruar kompromisin mbi programin bërthamor iranian, në një kompromis të madh rajonal, është e domosdoshme të arrihet një pakt mbi Sirinë. Por lind pyetja:çfarë pakti ?
Konjukturat e përgjithshme janë mjaft të qarta. Më së pari, duhet bindur lideri sirian Bashar Al-Asad dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt, të hiqen vullnetarisht mënjanë, për të lejuar sunitët të marrin drejtimin e vendit. Nga ana e tyre këta të fundit, në të njëjtën kohë duhet t’i ofrojnë garanci pakicës shiite dhe Iranit. Rusia, tashmë ka filluar ta bëjë këtë, me miratimin e heshtur të Perëndimit. Masakra ndaj gazetës satirike franceze “Charlie Hebdo”, dhe frika e sulmeve të reja në Evropë, nuk janë krejtësisht pa lidhje me përshpejtimin e këtij procesi. /Bernard Guetta//internazionale/
a.g./www.bota.al