Analiza

“Charlie Hebdo” dhe vendi i saj në gazetarinë franzeze

Hebdo1Revista satirike franceze “Charlie Hebdo”, u sulmua sot nga njerëz të armatosur, të cilët vranë 12 persona në zyrat e saj në Paris. Ishte një nga sulmet më të rënda mbi revistën, që edhe më parë ka përjetuar akte të dhunshme. Në vitin 2006, shumë myslimanë u zemëruan, kur “Charlie Hebdo” ripublikoi 12 karikaturat e Profetit Muhamed, që në fillim ishin publikuar nga e përditshmja daneze, “Jyllands-Posten”. Zyrat e revistës franceze, u bombarduan në nëntor të vitit 2011, kur u publikua një karikaturë e Muhamedit nën titullin “Charia Hebdo”.
Një nga postimet e fundit në “Twitter” nga revista, ishte një karikaturë e liderit të grupit militant të Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi. Botuesi, Stephane Charbonnier, ishte nën mbrojtjen e policisë, pasi kishte marrë disa kërcënime me vdekje. Ai dhe 3 karikaturistët e tjerë, gjendeshin mes të vrarëve nga personat e armatosur në masakrën e sotme.
Satira historike
Hugh Schofield, korrespodent i BBC-së në Paris, thotë se “Charlie Hebdo”, është pjesë e një tradite të gjatë dhe të shkëlqyer të gazetarisë franceze, duke rikujtuar skandalin që denoncoi Maria Antonetën, në prag të Revolucionit Francez.
Tradita franceze, kombinon radikalizmin e krahut të majtë me një gojështhurje provokuese që shpesh endet në kufijtë e së pahijshmes – thotë Schofield. Në shekullin e XVIII, shënjestra kryesore ishte familja mbretërore, dhe thashethemexhinj të ndryshëm krijuan jo pak tregime, shpesh me ilustrime, të skandaleve seksuale apo të korrupsionit në oborrin e Versajës.
Në ditët e sotme, ka “dragoj” të tjerë për t’u “masakruar“ si politikanët, policia, bankierët apo klerikët. Satira, në vend të fabrikimit të së vërtetës së plotë, është një armë që bazohet tek zgjedhja. Por e njëjta frymë e paturpësisë, që dikur merrej me regjimin e vjetër, pjesërisht trashanike dhe pjesërisht e vetë-promovar politikisht, ndihet ende në kohën e sotme. Revista nuk është shitur kurrë në kopje të shumta, dhe për 10 vjet nga 1981 e deri në vitin 1991, ajo pushoi së ekzistuari, për shkak të mungesës së fondeve. Por me përdorimin e karikaturave tepër domethënëse dhe titujve shpërthyes, ajo u shndërrua në një element kryesor, në menynë e përditshme që ofrojnë kioskat e gazetave apo edhe shitësit e stacionit hekurudhor.
Duke u mbështetur në traditën e fortë të Francës së “bandes dessinees” (strishave komike), vizatimet dhe karikaturat, kanë qenë përcaktuese e natyrës së “Charlie Hebdo”. Përgjatë viteve, ajo ka shtypur karikatura që e paraqesin Muhamedin si një personazh përrallash për fëmijë, dhe tepër të butë.
Aty shpesh, policia tregohet duke mbajtur për koke emigrantët, atje gjeje masturbimin e një murgeshe; Papën e veshur me kondom, pra në thelb asgjë për të interpretuar si njëanshmërisht tendencioze. Revista “Charlie Hebdo”, e vuante jo nga pak krahasimin e vazhdueshëm me rivalen e saj më të mirë, më e njohur dhe më e  suksesshme, “Le Canard Enchaine” (Lajmi i rremë). Të dyja frymëzohen, nga e njëjta nevojë për të sfiduar pushtetet. Por nëse “Le Canard”, është mbi të gjitha e fokusuar tek “scoop”-et dhe sekretet e paraportuara, Charlie është edhe më e thjeshtë por edhe më mizore njëkohësisht, duke vendosur një përzierje të karikaturave dhe një mendje shpesh polemizuese.
Betejat ideologjike
Pavarësisht pozitës së saj të njohur në të majtën e politikës franceze, e kaluara e “Charlie Hebdo” është e mbushur me ndarje dhe tradhtira. Njëri nga kryeredaktorët e saj më jetëgjatë, dha dorëheqjen pas një debati rreth anti-semitizmit. Pjesa dërrmuese e stafit – karikaturistët dhe shkrimtarët – paraqiten me një nofkë të vetme “noms de plume” (Stilolapsi). Përpara sulmit të së mërkurës, ekipi drejtohej nga  Charbonnier, i njohur si Charb, dhe një tjetër karikaturist që quhej Riss. Por të gjithë, ua dinë emrat e tyre të vërtetë. Origjina e gazettes, bazohet tek një tjetër botim satiric, i quajtur Hara-Kiri, i cili bëri jo pak bujë në vitet ‘60.
Në  vitin 1970, erdhi momenti i famshëm i krijimit të Charlie. Dy ngjarje dramatike, do të dominonin lajmet: një zjarr i tmerrshëm në një diskotekë, që vrau më shumë se 100 njerëz dhe vdekja e ish-presidentit francez, gjeneralit Charles de Gaulle. “Hara-Kiri” e hapi faqen e pare, me një titull tallës për vdekjen e gjeneralit: “Bal tragique një Colombey, un mort”, që do të thotë: “Një i vdekur, valle tragjike në Colombey, (shtëpia e De Golit). Skandali që pasoi kete titull, çoi në ndalimin e publikimit të gazetës. Gazetarët e saj, iu kundërpërgjigjën menjëherë çensurës, duke krijuar shpejt një të përjavshme të re, “Charlie Hebdo”. Charlie, në fakt nuk ishte një referencë direkte ndaj Charles de Gaulle, por e mori këtë emër se në fillimet e veta rishtypte karikaturat e revistës “Charlie Brown” në Shtetet e Bashkuara. /bbc/
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button