Qëndrimi i keq në bangat e shkollës, apo në karriget e punës, bën që të hasim probleme me shtyllën kurrizore. Gjithashtu, edhe përdorimi i pajisjeve si smartphonët, laptopët, çantat e rënda me libra për fëmijët, apo orët e tepërta përpara televizorit, i rëndojnë këto probleme, sidomos në radhët e të rinjve. Në grupmoshat e reja ende nuk ka përfunduar procesi i osifikimit të epifizave kockore, ose siç njihet ndryshe maturimi i plotë kockor, ndaj dhe shkaqe të tilla krijojnë probleme të rënda të shtyllës kurrizore.
Ndryshimet që pëson shtylla kurrizore janë tre: kifoza, lordoza dhe skolioza. Kifoza dhe lordoza janë përkulje normale deri në njëfare grade, përtej së cilës më pas konsiderohen si anormale. Kifoza është deformimi i njohur si gibus, ose një pamje e kërrusur e kurrizit, sidomos në nivelin e kraharorit. Kifoza mbi 35 gradë konsiderohet si anormale. Lordoza është e kundërta, një theksim i përkulshmërisë, e cila prek më tepër zonën e qafës dhe të belit (zonat cervikale dhe lumbare). E njëjta gradë si për kifozën, vlen edhe për lordozën. Ndërsa skolioza është një devijim anash i shtyllës kurrizore, e cila deri në 15 gradë trajtohet me ushtrime. Nga 20-30 gradë trajtohet me korse drejtqëndrimi dhe përtej kësaj, trajtohet me kirurgji. Këto deformime duhen kapur në kohë, sidomos nga prindërit ose mësuesit, pasi fëmijët mundet të mos i vënë re që në stadet e para.
Rreziqet janë nga më të ndryshmet. E para dhe më e zakonshmja, është fakti që mund të bëhen të pakthyeshme kur kalojnë moshën e pjekurisë kockore dhe problemet shëndetësore, krahas aspektit estetik, janë të shumta. Deformime të tilla mund të shtypin nervat dhe të japin dhimbje të forta në periferi.
E dyta, mundet të shkaktojnë probleme me funksionimin e organeve, sidomos tek femrat, të cilat mundet edhe të mbeten shtatzëna në të ardhmen dhe në nivelin e kraharorit, këto deformime pengojnë frymëmarrjen.
Këshillat ose sugjerimet që ju japim në rast se prekeni nga deformime të tilla të shtyllës kurrizore, janë:
– Të bëni kujdes me qëndrimin në karrige. Mundohuni të afroni karrigen me tavolinën për të mos pasur shumë hapësirë për të qëndruar anash. Nëse keni mundësi të uleni duke pasur anash jush një pasqyrë, do të ishte ideale, pasi duke parë veten në pasqyrë, do ta korrigjoni menjëherë një posturë të keqe.
– Përdorni atlete komode. Takat e larta, apo këpucët jo të rehatshme, jo vetëm që të lodhin shpejt, por edhe e deformojnë shtyllën kurrizore. Nga ana tjetër, duhet të shmangni ngritjen e peshave të rënda në njërën dorë. Mundohuni ta balanconi peshën.
– Nëse gjeni mundësi, regjistrohuni në një kurs noti, pasi është ndër sportet e vetme që ju ndihmon shumë në rregullimin e deformimeve të shtyllës kurrizore.
Nëse shihni se problemet vazhdojnë të rëndohen, mos hezitoni asnjëherë të shkoni tek një mjek ortoped dhe të ndiqni seancat e fizioterapisë, sipas konsultës me ortopedin.