HistoriMAIN

HISTORIA / Cilët ishin Otomanët?

Fillimet më të hershme të Perandorisë Otomane mund të gjurmohen tek Selxhukët, një dinasti turkësh oguzë nga Azoa Qendrore dhe rrethinat e Mongolisë. Në shekullin 9, mercenarë turkë nisën të ndeshen me dinastitë myslimane arabe më tej në perëndim, gjë që shkaktoi konvertime në masë në fenë islame. Në shekullin 11, të etur për toka dhe mundësi, mijëra kalorës Oguzë zbritën në lindje të Anadollit, duke plaçkitur madje gjithë rrugës deri në Bizant, e duke u rikthyer në Khorasan të mbushur me plaçkë.

Më vonë, nën udhëheqjen selxhuke, ata hynë në Persi, e cila ishte shkëputur prej një kohe të gjatë nga ish perandoria e famshme Abaside, duke nënshtruar Ghaznavidët dhe marrë kontrollin mbi kalifët Abasidë, të cilët i dhanë udhëheqësit Selxhuk titullin e Sulltanit.

Kur Sulltani, Tugrili, vdiq në vitin 1063, nipi i tij Alp Arslani mposhti rivalët pretendentë për të marrë fronin. Pasi përfundoi pushtimin e Persisë, ai u zgjerua për në Azerbajxhan dhe Armeni, përpara se të zbriste në tokat bizantine të Anadollit – Turqia e sotme aziatike.

Ky rajon i pasur me burime, ishte zemra e Perandorisë Bizantine – në tokën e saj pjellore ishin ngritur mijëra fshatra e qytete, të gjitha të lidhura me rrugë kyçe tregtare në Lindjen e Mesme. Ishte pjesa më e pasur e Perandorisë – dhe për myslimanët ishte sinonim i Romës. Ata i vunë emrin Al-Rum.

Ishte gjithashtu vendi ku, në betejën e Manzikertit, Alp Arslani arriti një fitore madhështore mbi një ushtri bizantine më të madhe në numër, duke zënë rob madje edhe Perandorin Romanos IV Diogjen si dhe duke i parashtruar me forcë kërkesat e tyre. Teksa bizantinët u tërhoqën të tronditur, duke luftuar mes tyre, portat u hapën dhe nomadët turkë u derdhën në Anadoll, duke i dhënë jetë një transformimi social dhe kulturor të rajonit. Teksa fshatarët e tmerruar bizantinë braktisën tokat e tyre, turqit i zunë ato, duke krijuar një bazë të fortë në Nike. Deri në vitin 1096, me vetë Jeruzalemin në duart e Selxhukëve, Papa Urbani II i mbërthyer nga paniku shpalli një kryqëzatë, duke i bërë thirrje Evropës së Krishterë që të çlironte tokat e shenjta.

Selxhukët u dëbuan nga NIkea, duke u zhvendosur në Konia, në qendër të Anadollit. Njërin pas tjetrit, ata aneksuan fqinjën e turkëve në Anadoll – emiratin e fuqishëm Danishmendid në veri, Saltukidët dhe Menxhuçekët në verilindje dhe Artukidët në juglindje – duke absorbuar kështu një përzierje metropolite banorësh kurdë, arabë, grekë, armenë dhe hebrenj. Armenët u bënë aleatë me zotërit e rinj, dhe krerët e fiseve kurde hynë në ushtrinë e tyre. Të shkëputur prej institucioneve kulturore bizantine dhe duke mos parë një zgjedhje më të mirë, shumë grekë u konvertuan në Islam dhe u vetëasimiluan. Duke u fuqizuar në Konia, Selxhukët e Anadollit më pas do të shkëputeshin nga sivëllezërit e tyre iranianë, duke u bërë Selxhukë të Rum, duke i dhënë kështu vetes trashëgiminë e Romës.

Kur Sulltani Kilixh Arslan II mposhti Perandorin bizantin Manuel I Komnenin në juglindje të Anadollit në vitin 1176, ai jo vetëm hodhi në erë shpresat e Bizantinëve për të rimarrë rajonin, por u dha turqve dhe një shteg drejt brigjeve të Anadollit, bashkë me një sërë rrugësh tregtare. Dy vjet më vonë, duket se ai bashkoi të gjithë Anadollin qendror për herë të parë, duke krijuar një mbretëri të cilës grekët me sa duket i vunë emrin “Turqia”.

Tashmë në shekullin 13, Selxhukët e Rumit vendosën paqen me fqinjët e tyre Bizantinë, por kjo ishte thjesht një qetësi para stuhisë. Pasi kishte mposhtur sundimtarin Kvarazmian të Azisë Qendrore dhe Iranit, ushtria e Gengis Khanit pushtoi rajonin, duke rrafshuar vendbanime dhe masakruar këdo që i dilte para. Ata që mbijetuan u hodhën në vargonjtë e skllavërisë. Pas kësaj, studiues, tregtarë, poetë, mistikë, artizanë dhe nomadë u larguan për në perëndim.

Pavarësisht rrezikut që afrohej, Selxhukët vazhduan të ndërtojnë xhami, shkolla, spitale dhe kopshte. Arkitektura, arti dhe letërsia lulëzuan, teksa shkrimet arabe zbukuronin ndërtesat, monedhat dhe veprat, ndërkohë që persishtja u bë gjuha letrare e oborrit. Shkëmbimi kulturor u shtri tek bizantinët, të cilët kishin nisur të përqafonin kulturën myslimane dhe në disa raste, ishin konvertuar në fenë islame prej dervishëve.

Megjithatë në vitin 1243, pas një humbjeje të hidhur ndaj Mongolëve në veri të Anadollit, Selxhukët ranë dakord të bëhen shtet vasal. Një dekadë më vonë, vetë Perandoria Mongole do të copëtohej, teksa Ilkhanati do të merrte rajonet jugperëndimore. Ndërkohë që Selxhukët dhe Mongolët konsumoheshin prej luftërave të brendshme, Mamlukët nisën të shkojnë drejt jugut. Në shekullin 14, Dinastia Selxhuke ishte në prag të kolapsit, dhe Mongolët do të brakstisnin shumë shpejt Anadollin perëndimor, për t’u drejtuar nga rrugët më fitimprurëse në verilindje. Ata lan pas një rrjet principatash turke, ose bejlikë.

Teksa ish zotërit e rajonit shembeshin nga brenda, turqit nuhatën se kish ardhur koha për një rend të ri. Shumë shpejt do të binte dhe vetë Bizanti dhe një turk do i jepte goditjen vdekjeprurëse – por më parë, duhej që një prej bejlikëve turkë të Anadollit të dilte mbi gjithë të tjerët. Ndër pretendentët e shumtë në veriperëndim, me sytë e ngulur për tek Kostandinopoja, ishte një udhëheqës që e kuptonte më mirë se gjithë të tjerët se çfarë do të duhej. Osmani, kreu i osmanllinjve: një fis që më vonë do të bëhej: Otomanët.

Fundi i pjesës së parë

Përgatiti: Bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button