Sport

Copëza Juventusi: Historitë e më të urryerve. Ose më fitimtarëve

 

Screen Shot 2016-09-07 at 06.53.04

Revolucion: “Ti pretendon të bësh revolucionin, pa ditur rezultatin e Juventusit?” (Palmiro Togliatti i thotë Piero Secchias).

Kaviar: “Platininë e kemi marrë për një kothere bukë dhe ai na ka vënë sipër kaviarin” (Gianni Agnelli).

Kafe: Boniperti dhe fama e tij prej kurnaci. Pietro Vierchwood, me uniformën bardhezi në sezonin 1995 – 1996: “Në karrierën time kam vendosur një rekord: kam arritur të kem një kafe të paguar nga Boniperti”.

J: Kërkesës për një përkufizim të Juventusit, Avokati iu përgjigj: “Shoqja e jetës time, por sidomos një emocion. Ndodh kur shikoj të futen në fushë ato uniforma. Emocionohem madje, edhe kur lexoj në gazetë gërmën J në ndonjë titull. Nganjëherë emocionohem edhe me Udinesen, gjithmonë prej ngjyrave bardhezi”.

Fanella: Në 1900, vitin e debutimit zyrtar, Juventusi luan me bluzë rozë dhe jakë të zezë: babai i njërit prej themeluesve, industrialist tekstilesh, kishte mbetje copash rozë për t’i shfrytëzuar. Uniforma e parë kishte qenë një këmishë e bardhë. Bluza u bë me rripa bardhezi vetëm në vitin 1903, kur do të blihej një stok bluzash nga Anglia, sipas këshillës së John Savage – futbollisti i parë i huaj në histori – i cili i kish kërkuar një miku të tij në vendlindje, që t’i dërgonte një numër uniformash të Notts County.

Marisa: Veç të tjerash, Boniperti ishte mbiquajtur Marisa. Dhe e shpjegon arsyen: “Në periudhën para kampionatit një miqësore Novara – Juve luhej gjithmonë. Rivaliteti ishte shumë i madh, plus me një çikë kunj ndaj meje, novarez tradhëtar, që kisha zgjedhur Torino. Qenë sfida që tërhiqnin shumë publik. Popullariteti i Juves ishte i madh dhe Novara nuk ishte skuadër dosido, luante në Serie A dhe gëzonte respekt. Qe në një prej atyre miqësoreve, kur në hyrjen e dy skuadrave në dush u prezantua Marisa, Miss Piemonte e kolme, edhe ajo me unformën dhe getat bardhezi. Më dhuroi një buqetë lulesh, isha kapiteni, u bë një puthje reciproke dhe publiku nisi të ulërijë: Marisa, Marisa. Pastaj kori ndryshoi shënjestër dhe me ligësi vazhdoi: çdo herë që prekja topin, tifozët ia fillonin: Marisa, Marisa» (Nga “Una vita a testa alta”, shkruar me Enrica Speronin).

Carcano: Carlo Carcano, trainer i katër prej pesë titujve të parë të Pesëvjeçarit të Artë bardhezi (1930 – 1935). I ardhur në 1930, imponoi një disiplinë të hekurt, arriti të integrojë grupin e oriundëve dhe lançon, veç të tjerëve, Felice Borelin. Përvoja e tij tek Juventusi u ndërpre papritmas në dhjetor të 1934, në vijim të zërave këmbëngulës lidhur me homoseksualitetin e tij, i konsideruar i papranueshëm në ato vite të regjimit fashist. Zyrtarisht, shkarkimi u b “për motive personale”. Mbeti kështu për një dekadë në skajet e futbollit, deri në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Skandal: Skandal i madh, kur Jose Altafini u dashurua dhe më pas u martua, në majin e vitit 1973, me Annamaria Gallin, gruaja e futbollistit dhe shokut të skuadrës, Paolo Barison.

Shkurt: Giovanni Trapattoni, që në sezonin e parë në stolin e Juventusit, 1976 – 1977, paraqitet me një shprehje të paharrueshme: “do të flas shkurt dhe prerë”.

Punëtorë: “Trapattoni të shpjegonte se fusha ishte e gjatë 90 metra dhe duhej përshkuar e gjitha, jo vetëm 70 metra; se ndeshja zgjaste 90 minuta dhe ta filloje ishte paksa sikur punëtori që timbron fletëhyrjen: punohet deri në minutën e 90-të dhe nuk lihet më parë. Ky ishte futbolli ynë, i përbërë nga gjëra të sakta, jo me thjeshtësi, fjalë që nuk e duroj dot pasi në futboll nuk ekziston, por me konkretësi” (Antonio Cabrini).

Piu i XII-të: Me 17 shkurt 1952, Juventusi do ndeshet me Lazion në Romë. Dy ditë më parë, skuadra ishte pritur nga Papa Piu i XII-të, që pasi u kish thënë lojtarëve se ishte juventin, u lutet: “Përpiquni të fitoni”. Me përfundimin e ndeshjes 2 – 0 për bardhekaltrit, danezi Praest në dhomën e zhveshjes nuk gjen rehat: “Çfarë turpi, çfarë turpi! Po tani çfarë do mendojë për ne, çfarë do të thotë Ati i Shenjtë?”, deri kur ndërhyn Boniperti: “Çfarë do të mendojë? Çfarë do të thotë? Është ajo që do të thotë Avokati që duhet të shqetësojë!”.

Cigare: Pyetjes së Gianni Agnellit, që e kapi në pushimin e një ndeshjeje me cigaren në gojë, “Si ka mundësi? Një atlet si puna jote që tymos në pushim të ndeshjes?”, Platini iu përgjigj: “Avokat, e rëndësishme është që të mos pijë cigare Bonini, është ai që duhet të vrapojë. Unë jam Platini”.

Jashtë: Alessandro Del Piero dhe pasioni i shfrenuar për Platininë: “E kam studiuar në të gjitha lëvizjet e tij. Një ditë do ta lë bluzën sipër mbathjeve dhe ndoshta do t’i ngjaj pak”.

Pinturicchio: Del Piero u bë Pinturicchio një ditë gushti të vitit 1995 në Villar Perosa, ku çdo verë Gianni Agnelli shkonte për të vizituar skuadrën. Ndërsa Avokati po bëhej gati të ulej në krah të Marcello Lippit, vjen pyetja e fundit: “Avokat, po nëse Baggio është Raffaello, Del Piero kë piktor ju kujton?”. Agnelli u mendua për një çast dhe pastaj u përgjigj: “Pinturicchio. Po, Del Piero është Pinturicchio”.

Bonimba: Boninsegna, i mbiquajtur Bonimba. “Ia detyroj Gianni Breras. Në San Siro e kam pyetur se pse. Sepse i ke bythët e varura dhe, kur vrapon, më kujton Bagonghin, një xhuxh cirku. E pashë me habi, si për t’i lënë të kuptonte se me 176 centimetrat e mi, isha shumë më i gjatë se ai. Më pas Brera shkroi tek “Giorno”, pak a shumë: Është e kotë që Bonimba të më shikojë nga lart poshtë. Xhuxh e kam pagëzuar dhe xhuxh mbetet. Ama një xhuxh gjigand”.

Mumo: Raimundo Orsi i quajtur Mumo, 1 metër e 68 centimetra, lojtar krahu i majtë me driblim dhe finte gjakatare, është absolutisht një personazh me talentin më të madh në futbollin e viteve ’30. Pasi ka magjepsur me fanellën e Argjentinës në Olimpiadën e 1928, për ta bindur të kalonte nga Independiente tek Juventus, Edoardo Agnelli i ofroi 8000 lireta, plus një Fiat 509 dhe një vilë – në atë kohë rroga e një punëtori të mesëm ishte 300 lireta, 1 kilogram bukë kushtonte 25 qindarka, një kostum burrash 90 lireta. Në fund, si bardhezi do të koleksiononte 177 ndeshje, duke realizuar 77 gola.

Rekord/1: Gjatë Pesëvjeçarit të Artë, Juventus realizon një numër mbresëlënës rekordesh: nga maksimumi i fitoreve në kampionat (25 në sezonin ’30-31 dhe në ’32-33) në minimumin e humbjeve (4 në sezonin ’30-31 dhe në’31-32); nga pikaverazhi maksimal në klasifikim (55 pikë në ’30-31) në rekordin e golave të shënuar (89 në sezonin ’31-32) dhe në minimumin e atyre të pësuar (22 në ’32-33); nga seria më e mirë e ndeshjeve pa humbje (21 në sezonin ’33-34) në primatin e lojtarëve të rreshtuar njëkohësisht në kombëtare (9 në ndeshjen Italia – Hungari të tetorit 1933).

Rekord/2: Me Juventusin, Furino fitoi 8 tituj (1972, 1973, 1975, 1977, 1978, 1981, 1982, 1984), rekord i ndarë me Virginio Rosettan dhe Giovanni Ferrarin (do të ishte edhe Ciro Ferrara, por që e ka humbur një për shkak të Calciopolit), ama i pari me një bluze të vetme. “Nga futbolli kam shumë kujtime dhe një vrimë në kërci, që ma ka bërë Perico në Ascoli”.

Bisiàco: Fabio Capello – që me uniformën e Juventusit ka luajtur 6 sezone dhe ka fituar 3 tituj (’72, ’73 e ’75) – nuk është friulan, por “bisiàco” (nga sllavishtja “bezyak”, pa tokë, popujt që largoheshin përpara pushtimit të myslimanëve apo të barbarëve dhe që, me të mbërritur përpara barrierës së Isonzos, detyroheshin të ndaleshin).

Kauboj: “Ndodh të gabosh, e rëndësishme është ta kuptosh. Kam bërë tifozllëk 20 vjet për kaubojsat e filmave uestern dhe vetëm tani e kuptoj se ndoshta të pushtoje indianët dhe t’i qëlloje, nuk ishte gjë e bukur” (Alessandro Del Piero).

Kuaj: Boniek, i apasionuar i zjarrtë mbaj kuajve. Sot ka një skuderi, Wind (ish Kar Tom). I ka vënë emrin Platini një hamshori paksa të ndrojtur, që garoi pa fat në vitin 2012 në hipodromin roman të Tor di Valles.

Bersalier: “Të kesh qenë juventin është sikur të kesh qenë në ushtri bersalier. Gjithë jetën mbetesh i tillë” (Antonello Cuccureddu, i cili me bluzën bardhezi, në 12 vjet ka fituar 6 tituj, 1 Kupë Italie dhe 1 Kupë UEFA, gjithsej 434 ndeshje me 39 gola).

Shkëmb: “Në jetë kam bërë shumë budallallëqe dhe për karrierën time nuk do të vinte askush as një filxhan kafeje. “Allegri është koqe”, thoshin. “Luan në kazino, vë baste me kuaj, ka lënë gruan në altar, është vetëm një kokë e çmendur”. Jam ky që jam sepse sfidova një paragjykim. Demonstrova se origjina e ka një kuptim: vij nga Livorno, jam prej shkëmbi dhe shkëmbi, siç dihet, është i fortë” (Massimiliano Allegri në marsin e 2016).

Emra: Beram Kayal, mesfushor izraelit i Celtic Glasgow, që djalit të tij i ka vënë emrin Pirlo.

330: Treqind e tridhjetë million lireta, plus Carmignanin e Fernandinin: kaq i ka kushtuar Juventusit Dino Zoffi, i ardhur në verën e 1972 nga Napoli. Deri në sezonin 1982-83 nuk do të linte më asnjë sezon kampionati pa zhvilluar. www.bota.al

Tetë: Numri i bluzës së Bonipertit ishte 8, siç saktësoi i mërzitur një herë që “Gazzetta dello Sport”, duke dashur të bëjë një skuadër të përbërë nga juventinët më të fortë të historisë, i caktoi numrin 10.

Njëmbëdhjetë: Disa shifra të Bonipertit si futbollist. Debutimi në Serie A është me 2 mars 1947, Juventus – Milan 1-2. Fitoi 5 tituj (1950, 1952, 1958, 1960, 1961) dhe 2 Kupa Italie (1959, 1960). Golashënuesi më i mirë (27 gola) në sezonin 1947/48, deri më 10 janar 2006 qe në krye të klasifikimit të golashënuesve juventinë të të gjitha kohërave (rekord i thyer nga Alessandro Del Piero). Dhe pastaj, 38 ndeshje dhe 8 gola në kombëtare, qe italiani i vetëm i grumbulluar për ndeshjen e 100 Vjetorit të Football Association (Londër, 21 tetor 1953): i rreshtuar si lojtar i krahut të djathtë, shënoi 2 gola. Ndeshja përfundoi 4-4, Anglia barazoi prej një favori që iu bë anglezëve nga arbitri: “E kujtoj mirë atë ndeshje dhe përgjigjen e trainerit anglez Winterbotton për pyetjen se kush do t’i shërbente për ta forcuar skuadrën: “11 Boniperti”. www.bota.al

Geta: Problemi ishte bezdisës për të gjithë. Bëhej fjalë për ato geta të urryera që Zidane i vishte të bardha e të shkurtëra. U ngarkua të ndërhyjë Ciro Ferrara. Ka kujtuar më pas Angelo Di Livio: “Ciro ia preu copa-copa ato geta të shëmtuara dhe i vari tek dollapi i Zidane. Duhej të kuptonte se në atë mënyrë nuk mund të dilte … Në fund të fundit, ajo ishte një skuadër e tmerrshme, apo jo? Duhej të kishe kujdes se çfarë bëje, se çfarë thoje dhe madje sesi të visheshe”. www.bota.al

Natë: Kur e prezantoi me Henry Kissingerin, Avokati Agnelli e përshkruajti kështu: “Ja Bonieku, bukuroshi i natës” (referimi është për ulje-ngritjet në rendiment, i habitshëm sidomos në ndeshjet e mbrëmjeve të kupës).

Zakone: Presidenti Boniperti, i famshëm për zakonin që e linte gjithmonë stadiumin përpara përfundimit të pjesës së parë.

Fotografi: Boniperti mbante të varur në zyrë (si metodë pedagogjike) foto të skuandrës kundërshtare që kishte fituar titullin e fundit, apo atë me të cilën Juve kishte humbur një ndeshje vendimtare: në këtë mënyrë dekurajonte pretendimet e lojtarëve.

75: Në 1982, vit në të cilin fitoi Botërorin dhe Topin e Artë, Paolo Rossi fitonte 75 milion lireta.

Dollap: Mesfushori i qendrës Luisito Monti, që zbarkoi në Itali nga Argjentina në 1931. Paguhet në dollarë amerikanë (5000 në muaj, plus një shtëpi jashtë Torinos) dhe shumëve u duket një ish futbollist, shumë i shëndoshë, mbi 10 kilogram mbipeshë. I mbiquajtur “doble ancho”, domethënë “dollap me dy kanata”, i duhet pak për ta rifituar gjendjen dhe bindur të gjithë për vlerën e tij, duke u vendosur në qendër të mbrojtjes bardhezi. “Ashpërsia e ndërhyrjeve të tij ishte proverbiale, njëlloj si rezistenca e tij ndaj dhimbjes” do të shkruajë më pas Felice Chiesa.

Hidrovolanti: “Susanna, fëmija i tretë, e tregoi ngjarjen tek “Vestivamo alla marinara”, një libër kujtimesh familjare i botuar në vitin 1975. Në një ditë vere të 1935, piloti Arturo Ferrarin, as i aviacionit i Luftës së Parë Botërore, ish rekordmen në 1928 i shpejtësisë ajrore në circuit të mbyllur dhe i fluturimit pa ndalim, vjen në Forte dei Marmi me një hidrovolant S.80 në të cilin Suni ngjitet për të bërë një xhiro. Ferrarin ndalon për mëngjes. Në fillim të pasdites riniset për Genova; Edoardo me të, duhet të kthehet në Torino. Në fazën e uljes, Edoardo ngrihet në këmbë përpara kohe (sipas disa dëshmitarëve, ndoshta për të pozuar përpara fotografëve), mjeti godet një trung dhe kërcen, ai përplas kokën pas një helike dhe vdes në vend. Kur bie telefoni në vilën e Fortes, përgjigjet gjyshja amerikane, “Princess Jane”. Ul receptorin dhe i thotë Sunit, që është vetëm 14 vjeç: “Yt atë vdiq”. Maria Sole kujton se më të vegjëlit nuk mësuan asgjë atë ditë. Mëngjesin tjetër u zgjuan nga kujdestaret që i mbanin në krah të veshur si për qytet, këpucë dhe çorape. “Askush nuk na tha se kishte vdekur babai, e mësuam më vonë. Kur mbërritëm në shtëpi në Torino, mamaja na pyeti nëse ne fëmijët do të donin ta shikonim dhe Miss Parker ndërhyri: “Jo, zonja Virginia, është më mirë që ta kujtojnë siç ishte… Kishe një të fashuar rreth kokës”» (Marco Ferrante “Casa Agnelli”, Mondadori, 2007).

Gazi dërrasë: Fushata e parë e blerjeve e Umberto Agnellit: 105 milion lireta për qendërsulmuesin uellsian John Charles dhe 180 milion për gjysmësulmuesin argjentinas Omar Sivori. Një bast i rrezikshëm, duke filluar nga udhëtimi me makinë nga Novara në qendër të Torino, me Umberton që e shkel gazin dërrasë dhe Sivori mbledhur kruspull në sedile. hesht. “Nuk do ta kisha menduar kurrë se mund të vuaja më shumë nga makina sesa nga avioni”, do të thotë Sivori në mbërritje, që nuk po i besonte vetes se ishte akoma si kokrra e mollës, dhe Doktor Agnelli që ia kthen: “Kishte 2 vjet që po të prisnim”.

Delta: Shkruan Edmondo Berselli për Viallin: “Forca e tij ishte “Delta” shumë e ulët, një diferencial pothuajse zero në rendimentim mbi përpjekjet e përsëritura, domethënë fuqia konstante në harkun e 15 – 20 shpërthimeve, deri kur mbrojtësi kundërshtar, ndoshta më i shpejtë, rrëzohej në konfrontimin fizik”. www.bota.al

Ëndërra: Vialli, që ëndërron akoma golat e humbur.

Guerrilje: Me 18 maj 1990, kur Juventus zyrtarizoi blerjen e Roberto Baggios nga Fiorentina për 25 miliard lireta, tifozat vjollcë zbritën në rrugë për të protestuar kundër Presidentit Pontello. Pati skena guerrilje urbane të vërtetë, me gjuajtje gurësh dhe përplasjesh me policinë. Më pas Baggio do të tregojë në autobiografinë “Una porta nel cielo”, se ai nuk donte absolutisht ta linte Firencen: “Nuk jam larguar: më kanë larguar. Pontello e kishte bërë tashmë pazarin me Agnellin, më kishte shitur një verë më parë”.

Shall: “Më kujtohet ende skena: kur Baggio kaloi nga Fiorentina tek Juventusi, në konferencë shtypi, përpara gazetarëve i vunë në qafë një shall bardhezi dhe ai e flaku tej. Qe një gjest i papëlqyeshëm” (Antonio Caliendo, në atë kohë menaxher i Baggios).

Gjysmë/1: Baggio, i përcaktuar nga Michel Platini një “9 e gjysmë” (domethënë një lojtar që mban në fushë një pozicion bastard dhe që për trainerët është i vështirë për t’u vendosur).

Gjysmë/2: “Kam luajtur të gjithë karrierën me një këmbë e gjysmë” (Roberto Baggio).

22: Fabio Capello, shumë supersticioz. Urren numrin 22. Kur shkoi në Romë me Juven, tifozët ja veshën stolin me numra 2.

Umbertianë: Në vitet ’70 stoli juventin ishte i ndarë në “giovannianë” (ndjekësit e Gianni Agnellit) dhe “umbertianë” (Umberto Agnellit). “Giovannianët” qenë të gjithë, minus një: Roberto Bettega.

Toro: Antonio Giraudo, kur ishte fëmijë ishte tifoz me Torinon.

Industri: Motoja e Luciano Moggit: “Futbolli është një sport të dielën dhe një industri në të gjitha ditët e tjera”.

Gishta: “Pasi i kam shtrënguar dorën një milanisti, vrapoj që ta laj. Pasi i kam shtrënguar dorën një juventini, numëroj gishtat e dorës” (Avokati Peppino Prisco, për një kohë të gjatë Zëvendëspresident i Interit).

Wolf: “Jam tifozi i parë i Juventusit, por një ditë mund të jem i Interit apo i Milanit. Jam profesionist. Jam Wolf, zgjidh problemet” (Antonio Conte në prillin e 2013).

Gjithmonë: “Një titull i fituar nga të tjerët është gjithmonë një i humbur nga Juventus” (Gianni Brera).

(Pjesë të nxjerra nga “La Juve. La cronologia. Le immagini più belle”, Botimet Clichy, 2016)

Përgatiti: ARMIN TIRANA / www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button