Covid19

Covid-19 dhe problemet me kujtesën. Ja çfarë thuhet në këtë studim

Shumë përsona që kanë kaluar Covid-19 përjetojnë probleme konjitive edhe pas një kohe të gjatë, sipas një studimi të ri. Studimi është përqendruar tek llojet e problemeve konjitive të përjetuara nga pacientët e trajtuar në “Mount Sinai system” në New York, spital që ka marrë përsipër trajtimin e pacientëve me Covid-19 që nga fillimi i pandemisë. U vu re se më shumë se 24% e pacientëve të shëruar prej Covid-19 përjetonin vështirësi konjitive, si probleme me kujtesën, me përqëndrimin dhe me shpejtësinë e përthithjes së informacioneve, sidomos të informacioneve të reja.

“Jemi duke parë probleme afatgjata konjitive në një grup të caktuar personash, në varësi të moshës dhe rëndesës së sëmundjes”, ka thënë Jacqueline Becker, neuropsikologe klinike dhe autore e studimit në fjalë.

U testuan 740 pacientë në periudhën prill 2020 – maj 2021 dhe u arrit në përfundimin që 1 në 4 pacientë, kishte probleme me depozitimin e kujtimeve të reja, ndërsa problemi i dytë më i hasur ishte ulja e përqendrimit. Pacientë të tillë bëheshin të paaftë të organizoheshin, të bënin plane apo të gjykonin në mënyrë të shpejtë, siç ishin përpara se të prekeshin nga Covid-19. Këto përfundime ishin më tepër të hasura në pacientët që ishin të hospitalizuar, por nuk përjashtoheshin as tek ata që merrnin trajtim në urgjencë dhe largoheshin në shtëpi.

“Spitale të tjerë kanë pasur edhe pacientë me probleme të rënda konjitive prej Covid-19, aq sa disa prej tyre edhe pas kalimit të sëmundjes, ngeleshin të paaftë për t’u kujdesur për veten e tyre”, ka thënë dr. Igor Koralnik, neurolog i përfshirë gjithashtu në studim. “U vu re që grupmosha më e prekur, ishte përgjithësisht ajo e re dhe askush nga ne nuk e di nëse pacientë të tillë do të kthehen në gjendjen që ishin përpara se të prekeshin nga Covid-19”, ka shtuar mjeku në fjalë.

“Është e trishtë të shohësh persona në moshë të re, 20, 30 apo 40 vjeç me probleme me kujtesën. Ata nuk mendojnë si duhet. Ngasin makinën dhe harrojnë se për ku u nisën të shkonin”, është shprehur dr. Helen Lavretsky, psikiatre dhe një nga autoret e studimit. “Një përfundim i tillë prek performancën e këtyre personave në çdo ambient, shkollë, punë apo shoqëri. Nuk e dimë as nëse do të kthehen siç ishin më parë, por u këshillojmë të gjithëve të përfshihen sa më shumë në punë, familje dhe komunitet për të krijuar raportet që kishin më parë, me shpresën se do të përfitojnë në aspektin e deficiteve konjitive”.

Back to top button
Close
Close