Bota

Pse “Brexit” nuk është në interesin e askujt

cameron

Nga Bernard Guetta

“Internazionale”

Do të jetë tema kryesore e takimit të sotëm në Bruksel. Në mbledhjen festive të Këshillit Evropian, me rastin e festave të fundvitit, 28 krerë shtetesh dhe qeverish do të përqendrohen mbi kushtet e vendosura nga kryeministri britanik Dejvid Kameron, për t’i kërkuar më pas britanikëve të votojnë në favor të qëndrimit të mëtejshëm të Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian, në referendumin që parashikohet ta mbahet vitin e ardhshëm.

Çdo gjë sugjeron, se liderët evropianë do të orientohen drejt kompromisit. Negociatat nuk do të jenë aspak të lehta, dhe me siguri nuk do të jenë as të shkurtra, por në fund do të mbërrihet në një marrëveshje, sepse askush, as Kameron dhe asnjëri nga 27 liderët e tjerë të BE-së, nuk mund të përballojë luksin e papajtueshmërisë.

Kryeministri britanik, e di shumë mirë se vendi i tij do ketë shumë për të humbur nga një Brexit, ndaj dhe do të donte t’u thoshte zgjedhësve të tij, se mori lëshime të mjaftueshme, dhe se për këtë arsye Britania e Madhe nuk ka interes të largohet nga unioni, duke përplasur derën.

Sa i përket liderve të tjerë evropianë, me sa duket nuk duan të krijojnë precedentin e një dalje nga BE-ja, dhe në këtë kuadër ata do të bëjmë gjithçka për t’i ofruar Kameronit argumentet, që i duhen për të mos e humbur referendumin.

Në fund do të mberrihet tek kompromiset e nevojshme, por problemi është se në këtë rast nuk do të ketë garanci, se votuesit britanikë nuk do të zgjedhin gjithësesi ta braktisin BE-në.

Dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja mbetet një mundësi konkrete, pasi është shumë më e lehtë të kritikosh, sesa të mbrosh Evropën. Është më e lehtë të mbështetesh mbi mungesën e besimit tek institucionet evropiane, dhe të argumentosh se unioni është i kontrolluar nga një grusht tekninicnësh të rënë nga qielli, kur në fakt të gjithë anëtarët e Komisionit emërohen nga qeveritë e zgjedhura të 28 shteteve anëtare, dhe që në thelb nuk bëjnë asgjë tjetër, përveçse zbatojnë vendimet dhe traktatet, mbi të cilat të njëjtat qeveri janë pajtuar vullnetarisht.

Një verbëri e rrezikshme

Është e lehtë të luash me faktin se Bashkimi Evropian, nuk është ende një demokraci e bazuar tek votimi i përgjithshëm pan-evropian. Megjithatë, injorohet fakti tjetër, që vendimet merren nga shumica e shteteve anëtare, dhe se janë pikërisht shtetet-kombe dhe qytetarët e tyre, ata që refuzojnë të heqin dorë nga sovraniteti në fushat më të rëndësishme.

Është e lehtë ta reduktosh unionin në një burokraci ndërhyrëse, ndërkohë që është shumë më e vështirë për të shpjeguar se projekti evropian është në progres, dhe se janë 28 shtetet anëtare që e frenojnë zhvillimin, se monedha e përbashkët dhe tregu i përbashkët na kanë dhënë përfitime të mëdha, dhe se pa unitet tonë nuk do të kishim shumë peshë në arenën ndërkombëtare, përkundrazi do të dribloheshim vazhdimisht nga gjigantët që e dominojnë këtë shekull. Nëse gjithë këtyre, i shtojmë faktin që shumë evropianë kanë frikë nga ndryshimet e mëdha që po ndodhin në botë, një fushatë referendare mbi BE-në është një derë e hapur për temat më të lehta dhe të pandershme, si dhe për triumfin e një verbërie të rrezikshme. /Bota.al

Leave a Reply

Back to top button