“Një Luan dikur ra në dashuri me një vajzë të bukur dhe u kërkoi prindërve të saj të martohej me të. Prindërit e moshuar nuk dinin çfarë të thoshin. Ata nuk donin t’ia jepnin vajzën e tyre Luanit, por nuk dëshironin të vriteshin nga mbreti i kafshëve. Por në fund babai i vajzës i tha:
“Ndihemi shumë të nderuar nga propozimi, por siç e shihni, vajza jonë është e vogël dhe e brishtë, ndaj kemi frikë se ndoshta, ndonjëherë pa dëshirë, me kthetrat dhe dhëmbët tuaj mund ta dëmtoni atë. Pra, vetëm për lumturinë dhe sigurinë e saj, ne sugjerojmë që Madhëria juaj të presë kthetrat dhe të heqë dhëmbët. Më pas, me shumë kënaqësi do ta shqyrtojmë propozimin tuaj”.
Luani, duke ndjerë dashuri të vërtetë dhe të fortë, ishte aq i verbër për dashurinë që ndjente ndaj vajzës, vendosi të hiqte dhëmbët dhe të priste kthetrat. Kur u kthye sërish tek prindërit e vajzës, ata e panë dhe qeshën me të madhe me të.
Morali i fabulës është se dashuria mund ta zbusë edhe personin më të egër”.
Nëse dikush ndjen shumë për dikë, sado keq të sillet me personat e tjerë, me atë që do realisht, do të jetë personi më i butë. Njësoj edhe me luanin që ndryshoi totalisht. Edhe me njerëzit funksionon po njësoj, transformohen në persona komplet tjetër, kur dashurojnë vërtet.
Njoh një person që konsumonte substanca narkotike dhe ka ndryshuar totalisht në momentin që u lidh me një vajzë serioze. Nëse e sheh tani, nuk e njeh më. Dikur ishte i dobët, gjithë kohës nën efektin e substancave dhe nuk e kishte ndonjëherë mendjen kur i flisje. Tashmë është rregulluar në një punë serioze, duket qartë që ka hequr dorë nga substancat dhe sillet gjithë respekt ndaj gjithë personave të lagjes.
Dashuria të transformon, shpesh për mirë, ndonjëherë për keq. Varet shumë nga personi që ke pranë, ndaj nëse tek vetja shihni që keni plot vese, të cilat doni t’i ndryshoni, mundohuni të zgjidhni pranë vetes dikë që veset tuaja i ka pika të forta dhe kështu mund të ndryshoni për mirë.