Kulture

Dasma japoneze. Një ritual tradicional pothuaj magjik

Në Japoni ka dy lloje dasmash, ajo perëndimore dhe ajo shintoiste. Kjo e fundit përfaqëson një zakon të vjetër dhe është forma me të cilën martohen japonezët që nga antikiteti. Këto dasma tradicionale janë mjaft tërheqëse sidomos për ritualet që duhen ndjekur nga cifti gjatë ceremonisë. Besimi shintoist është besimi vendas i Japonisë dhe këto ceremoni bëhen në kapela të tempujve shintoistë ose të quajtur Jinja. Dasma drejtohet nga një prift që nganjëherë asistohen nga priftëresha, Miko, ku marrin pjesë edhe muzikantë që luajnë muzikë klasike tradicionale gjatë ceremonisë.

Në dasmë nusja vesh një kimono të bardhë të quajtur shiromuku (白無垢) që përfaqëson pastërinë. Gjithashtu e mbulon kokën më një kapuç të bardhë të quajtur tsuno kakushi(角隠し) dhe tradicionalisht ka shërbyer për të fshehur “brirët e xhelozisë” së nuses dhe për të simbolizuar besnikërinë dhe kompromisin. Dhëndri vishet me një kimono të zezë të quajtur montsuki (紋付) që është gjithmonë i dekoruar me emblemën e tij familjare. Vesh gjithmonë çorape tradicionale të quajtura tabi.

Në ceremoni shkojnë vetëm familjarë të afërt të çiftit dhe kjo ceremoni zgjat 30 min. Çifti shkëmben unazat dhe lexojnë betimet martesore, më pas vjen momeni  më i rëndësishëm kur pijnë sake (pije japoneze) në tre tasa të vegjël të quajtur sakazuki (盃). Kur mbaron rituali i ceremonisë, prifti përdor një shufër të shenjtë të quajtur onusa për të bekuar çiftin. U jep edhe një degë sakaki (Cleyera japóneze), një bimë e shenjtë e përdorur në kohën e shintoizmit. Në fund të ritualit të gjithë familjarët prezentë pijnë sake si një mënyrë për t’i uruar çiftit dhe prifti e mbyll ceremoninë me disa fjalë.

Pas mbarimit të ceremonisë fetare çifti përgatitet për hirou no gui(披露の儀), një festim i stilit perëndimor që zhvilohet në një sallon ku shkojnë tani të gjithë familjarët dhe miqtë. Çifti i ndërron rrobat tradicionale me ato perëndimore dhe festojnë në një banket me të ftuarit.

Para kësaj feste familjarët dhe miqtë u dhurojnë para të futura në një zarf të quajtur shugi bukuro(祝儀袋), dhe nëse shifra e shumës është numër tek akoma më mirë.

 

Leave a Reply

Back to top button