Ekonomi

Davos, gati “sofra” e udhëheqësve dhe pasanikëve të botës

Forumi Ekonomik Botëror vjetor, i javës së ardhshme, vjen në një situatë mjaft intriguese

Një festë e zhurmshme e elitës politike dhe ekonomike, niveli i lartë i të cilës përputhet me atë të të ftuarve. Kjo mund të jetë e vetmja konferencë në botë ku reperi dhe producenti i muzikës Will.i.am do të mund të takohet me Toni Bler për të debatuar nëse feja është një shkak për konflikte.
Davos

Mirë se vini në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror. Për katër ditë me radhë në resortin malor zviceran të Davosit, ministra, drejtues të lartë, bankierë qendrorë dhe akademikë do të mblidhen, takohen e përshëndeten rreth koktejleve, për të debatuar zhvillimet gjeopolitike. Këtë vit, Davosi krenohet me më shumë se 40 kryetarë shtetesh si dhe 2500 drejtues të tjerë të lartë nga biznesi dhe shoqëria, të cilët do të trajtojnë tema të tilla si rritja ekonomike, përfshirja sociale dhe e ardhmja e internetit. Kancelarja gjermane Angela Merkel, do “përplasë supet” me guvernatorin e Bankës së Anglisë, Mark Carney, kryeministri kinez Li Keqiang me George Osborne, ashtu si Ana Botin, shefja e Bankës Santander me Lloyd Blankfein, e Goldman Sachs, apo shefi i lartë operativ i Facebook, Sheryl Sandberg, me drejtuesin e Microsoft Satya Nadella.
Drejtuesit e kompanive britanike si BP, Centrica, Pearson, Royal Dutch Shell, HSBC, BAE Systems e Vodafone nuk mbeten më mbrapa. “Unë kam marrë pjesë për 25 vjet rrjesht, dhe Forumi tregon se sa i vjetër jam unë”, thotë Sir Martin Sorrell, shefi ekzekutiv i grupi reklamues WPP, i cili do të jetë aty mëngjesin e të mërkurës për të diskutuar për të ardhmen e Britanisë në Evropë. “Ai mbetet mundësia më e mirë e vendtakimit në botë, por edhe shumë emocionues. Qeveritarë, drejtues të biznesit dhe mediave mblidhen në një përqëndrim sa të ndryshëm, aq edhe të mahnitshëm”. Ndryshe nga ai, Jeremy Farrar, drejtor i Welcome Trust, financuesi i kërkimeve për shërimin nga Ebola, merr pjesë për herë të parë, duke synuar të rrisë profiling e kompanisë. “Nëse duam të luajmë rol në qeverisjen globale dhe zhvillimet shëndetësore, njerëzit duhet të dinë për ne,” thotë ai. Një pjesëmarrës që do të preferonte të kishte më pak vëmendje pritet të jetë edhe Princi Andre. Udhëheqësit e biznesit presin ta takojnë në mbrëmjen tradicionale të së enjtes, të ndjekur nga akuzat e një skandali seksual, që ai vazhdimisht i ka mohuar.
Këtë vit Forumi zhvillohet nën hijet e pasigurisë gjeopolitike, ku trazirave në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme u shtohen edhe pasiguritë e zgjedhjeve në Greqi, të cilat mbahen fundjavën e ardhshme dhe që kërcënojnë të mbysin rimëkëmbjen ekonomike. Francois Hollande ishte parashikuar që të premten të mbante një fjalim për ndryshimin e klimës, por pas zhvillimeve dramatike të javës së kaluar në Francë, ai do të flasë për sulmet terroriste në revistën satirike Charlie HEBDO dhe në supermarketin hebre.
Raporti vjetor i World Economic Forum për rrezikun global të “konflikteve ndërshtetërore me pasoja rajonale” sjell gjetje për rreziqet e mundshme të stabilitetit në dekadën e ardhshme, të tilla si krizat e ujit që përbën një rrezik të madh me të cilin mund të ballafaqohet bota. “Njëzet e pesë vjet pas rënies së Murit të Berlinit, bota sërish përballet me rrezikun e konflikteve të mëdha në mes shteteve,” thotë Margareta Drezeniek- Hanouz, ekonomiste e lartë në WEF. Po ashtu sulmet kibernetike në shkallë të gjerë, të tilla si ato që goditën Sony, janë në listën e këtyre rreziqeve. “Ritmi i inovacionit ka lënë pas aftësinë tonë për të qeverisur,” thotë John Drzik, president i kompanisë së sigurimit Marsh. Shqetësimet për të ardhmen do të jenë pjesë e paneleve ku do të përfshihet Marissa Mayer nga Yahoo, e cila trajton debatin se si firmat mund të ruajnë besimin e konsumatorëve me të cilët ndajnë të dhënat personale, apo edhe trajtimi i cështjes së perspektivës së Rusisë në të ardhmen nga zëvendës kryeministri i vendit Igor Shuvalov. Themeluesi WEF Klaus Schwab, një akademik gjerman, i cili në katër dekada ia ka rritur që një simpozium të thjeshtë ta shndërrojë në një pikë takimi për njerëzit më të fuqishëm në botë, shpreson se takimi do të jetë “pika fillestare për një rilindje të besimit global”.
Pjesë e debateve do të jenë edhe presionet e “Luftës për Mbijetesë”, ku Cross Roads Foundation do të sjellë në vëmendje, në një seancë të ngjeshur në 75 minuta, betejën për arsim, strehim, kujdes mjekësor, ujë dhe ushqim të atyre që jetojnë me më pak se 2 dollarë në ditë. Nuk kishte si të kalonte ky Forum i Davosit pa një nismë ndërgjegjegjësuese. Nëse delegatët ecin mesatarisht gjashtë kilometra gjatë takimit vjetor, UBS ka dhuruar 2500 biçikleta për të reduktuar kohën e udhëtimit, bicikleta që më pas do të shkojnë për fëmijët e Afrikës. Banka e investimeve ka shpërndarë edhe pedometra për të matur kilometrazhin.
Përveç agjendës së ngjeshur, Forumi i Davosit “zhvillohet” edhe në kafetë e hotelet jashtë qendrës së konferencave. Por, lëvizja nëpër shpate i bën të pakta shpresat, përveçse në ditën e shtunë të mbylljes. Megjithatë jo pak drejtues biznesesh dalin nga shtëpitë e tyre, për të zhvilluar intervale takimesh gjysëm orëshe. Një prej tyre, duke psherëtirë, thotë se gjatë tre ditëve duhet të rrëshqasë në mbi 40 takime të tilla që i ka të shënuara në ditarin e tij. “Unë mund të shoh pesë ministrat e financave dhe dy kryeministrat e vendeve ku ne operojnë ose synojmë të operojmë,” thotë ai. “Edhe pse nuk mund të realizojmë të gjithë takimet, Davosi na kursen shumë kohë”.
Peisazhet malore të Davosit këtë vit kanë ngjashmëri edhe me kostot e pranimit. Drejtuesit e lartë të “partnerëve strategjikë” të WEF, përfshirë Barclays dhe Facebook po përpiqen të përtypin rritjen me 20 për qind të pagesës vjetore prej 500 mijë franga, me të cilën mbulohen shpenzimet e pesë delegatëve në Davos. Shpenzimet pësuan edhe një rritje tjetër pas vendimit të papritur të Bankës Qendrore Zvicerane, që e rriti vlerën e frangës ndaj Euros. Kaosi në tregjet e monedhave është përcjellë deri tek bifteku i pjekur që delegatët do të hanë gjatë javës së ardhshme në restorante, teksa debatojnë mbi çështjet të rëndësishme të ditës. Ata do të duhet ta jenë në gjendje ta përballojnë edhe këtë. /The Indipendent, 17.01.2015/
a.d./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button