Ekonomi

DAVOS / Vonesat e evropianëve që shqetësojnë super elitën

Divorci monetar mes SHBA dhe BE. Ankthi i DAVOS-it në pritje të Merkelit, vonesat e politikave monetare dhe mungesa e kontributit të eurozonës në rimëkëmbjen globale

Davos

DAVOS – Nga sot, Evropa duhet të fillojë atë që Amerika e përfundoi dje. Pas shumë vitesh ecjeje paralele, politikat monetare të SHBA-së dhe eurozonës janë ndarë. Eshtë pra “divorci” i bankave qendrore që gjeneron ankth, kultivon dyshime në mesin e financierëve, biznesmenëve dhe politikanëve të mbledhur në samitin e Davosit për Forumin Ekonomik Botëror.
Një gjendje shpirtërore, që mënjëherë përkthehet në parashikimet mbi kursin e këmbimit dhe reagimet e tregjeve. Për të kaluar më pas tek pyetja themelore: “lehtësimi sasior”, blerja e letrave me vlerë të qeverive, për një vlerë prej 600 miliardë eurosh, do të jetë në gjendje të rimëkëmbë ekonominë evropiane?
Krahasimi me SHBA-në, është sa i pashmangshëm por gjithaq edhe mizor. Fjalimi i Obamës në Kongresin Amerikan, mbylli politikisht dhe psikologjikisht epokën e emergjëencës. Tanimë, është koha për të menduar, sesi mund të ndërhyhet mbi pabarazinë.
Megjithatë Bashkimi Evropian, deri më tani ka bërë pak ose asgjë. Në të vërtetë, gjithçka ka nisur vetëm tani, me lëvizjen e Mario Dragit:50 miliardë euro të reja të hedhura në treg çdo muaj, të paktën për një vit. Praktikisht, deri tani është folur për këtë çështje në ditën e parë të punimeve të samitit. Megjithatë pak vetë dalin zbuluar, madje edhe kur pasdite agjensitë raportuar të shkujdesura mbi “lehtësimin sasior”.
Ish-ministri suedez i Financave, Anders Borg, ndoshta sepse është një vëzhgues i jashtëm, thotë se e ka pritur me “shqetësim” dhe natyrisht me “ankth” këtë lajm. Kohët e financave ndërkombëtare me siguri nuk përkojnë me ato të politikës, por as edhe ato të politikës monetare.
Banka Qëndrore e SHBA, Rezerva Federale, njoftoi përfundimin e planit, që në 5 vitet e fundit futi në sistemin financiar afro 4.500 miliardë dollarë.Guvernatorja Xhenet Jellen, tashmë ka njoftuar se duke filluar nga tani e për disa muaj më rradhë, do të rrisë normën e interesit, e cila që prej vitit 2008 ishte mbërthyer tek nivelet më të poshtme midis 0 dhe 0.25 përqind.
Natyrisht që BQE dhe liderët evropiane nuk mund ta shoqërojnë këtë lëvizje, duke rritur edhe ata normën e interesit, pasi që kjo do të “thante” likuiditetin e për pasojë do të zhbënte përpjekjet shumë të vuajtura përmes “lehtësimit sasior”. Pikërisht këtu ndahet FED-i amerikan nga BQE-ja.
Së paku në Davos, askush nuk nxitet të parashikojë, se cili do të mund të ishte ndikimi në kursin e këmbimit. Dhe askush nuk mund ta gjejë, se kur tregjet financiare do të ndërmarrin ndonjë korrigjim, pa pritur njoftimet zyrtare të zonjës Jellen. Dollari më i fortë, do të thotë lëndëve të para më të shtrenjta dhe njëherazi andralla më të shumta për kompanitë evropiane.
Dhe ky është “ankthi” që kanë sipërmarrësit. “Në një periudhë afatshkurtër – thotë drejtori i deleguar i një banke të huaj-luhatjet mund të jenë shumë të forta”. Në javët e fundit, të gjithë investitorët shitën masivisht monedhën e përbashkët, duke blerë dollarë dhe vënë kësisoj një “bast” mbi operacionin e BQE-së për injektimin e 650-750 miliardë eurove.
Tani bankat dhe korporatat financiare, do të vendosin nëse do të mbajnë pozicionet aktuale ose të “garantojnë vetveten”, duke riblerë euro në sasi të mëdha, me rrezikun e destabilizimit të tregjeve.Pasiguria e paqëndrueshmëria, janë gjërat e fundit për të cilat ka nëvojë eurozona këto momente.
Por ky nuk është vetëm një problem i kursit të këmbimit dhe spekullimeve. Ministri italian i Ekonomisë, Pier Carlo Padoan, ishte shumë i qartë një pikë.SHBA-të në fillim rivendosën rregullin tek tregjet bankare dhe financiare, dhe vetëm më pas çliruan likuiditetin dhe subvencionet. Për Padoan, eurozona është e vonuar edhe në këtë proçes:”shtylla kurrizore” e sistemit bankar duhet të riparohet dhe riprojektuar, sepse nga këtu kalojnë burimet që janë jetike për kompanitë dhe individët.
Analiza e Padoan-it, e trajton këtë çështje edhe në rrafshin politik. Një gjë është plani mbi një manovër monetare, i konceptuar nga një shtet federal si Shtetet e Bashkuara. Krejt tjetër gjë, është ta imagjinosh atë në një kuadër institucional të papërfunduar sikurse është BE.
Dallimin mund ta bëjë vetëm udhëheqja politike,”udhëheqje” që në Davos pretendohet hapur nga kryeministri italian Mateo Renci. Por a është vërtet kështu? Forumi Ekonomik Botëror sot pret përgjigje nga mysafirja më e shumëpritur, kancelarja gjermane Angela Merkel./Giuseppe Sarcina – “Corriere della Sera”/
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button