Bota

Demokracia e frikës

fn

Nga Nadia Urbinati

Demokracia e frikës fitoi në zgjedhjet lokale të së djelës në Francë, me armën e retorikës ksenofobike të Frontit Kombëtar, së cilës i druhen të gjitha vendet perëndimore. Kjo mund të vërehej edhe tek fjalët qetësuese, të përdorura nga Barak Obama në konferencën për shtyp dy ditë më parë. Presidenti ndjeu nevojën të risigurojë amerikanët, se do të bëjë gjithçka që ka në dorë për të mbrojtur demokracinë, duke shtuar se “liria është më e fortë se frika”, ndaj ajo duhet të mbrohet me çdo kusht.

Problemi është se përballë armiqve të padukshëm dhe të pamëshirshëm si terroristët e ISIS-it, liria kërkon strehë tek politikat emergjente, dhe këto nga ana e tyre mund të përdoren nga demagogë cinikë, për të kërkuar masa radikale ndaj lirisë, në emër të mbrojtjes së kombit. Ky është sot rreziku për Francën.

Ashpërsia e kohëve të fundit e presidentit Holond pas sulmeve të Parisit, nuk arriti të bindë francezët se masat për të kufizuar lirinë, janë të mjaftueshme. Dhe si në një rreth vicioz, strategjia e shpëtimit kombëtar, bëhet objektiv në vetvete; për Marin Lë Pen në luftën kundër Shtetit Islamik është një pretekst dhe masat anti-terrorizëm një mundësi e madhe për të arritur qëllimin e vërtetë:zgjidhjen e problemit të mbylljes së kufirit. Të lajë duart me Europën.

Ky është projekti i nacionalistëve evropianë, të cilët kanë në udhëheqje Lë Penin. Dhe kjo e fundit e njeh dhe e përdor argumentin e emergjencës, për të kërkuar masa më radikale. I është hapur rruga rezultateve të tmerrshme. Udhëheqësja e Frontit Kombëtar, tashmë partia udhëheqëse në Francë, evokon pasionin stërgjyshor të bashkimit të trupit mistik të kombit kundër armiqve të brendshëm, emigrantëve, refugjatëve:të gjithë identifikohen me terroristët, me myslimanët.

Thjeshtëzimi është një retorikë e pamëshirshme, që i bie shkurt detajeve dhe specifikimeve. Dhe për shkak të kësaj force në imagjinatën kolektive, është e lehtë të kuptohen dhe përsëriten deri në kulm. Fitorja e Frontit Kombëtar është dërrmuese në zonat kufitare:në Kale e ka tejkaluar 50 përqindëshin, duke përfituar nga presionet kundër mijëra refugjatëve, “xhunglës së re”, duke shpresuar për të udhëtuar drejt Anglisë.

Demokracia liberale nuk ka armë të fuqishme kundër frikës, sepse konkurrenca e lire e ideve, dëshiron dhe kërkon paqe civile dhe qetësi. Ajo është e dobët ndaj frikës radikale, sepse rregulli i saj është të jetë në gjendje të bashkojë opinionet pa sheshuar dallimet, pa i futur të gjithë të ndryshmit në një thes. Është e dobët, sidomos në Evropë, ku është transplantuar mbi kombin, në një trup që mund të përfaqësohet me identitetin kyç ekstrem.

Xhuzepe Mazini e kuptoi shumë mirë këtë, dhe këmbënguli në mbajtjen e veçantë të kombësisë së trupit politik nga fejë nacionaliste nacionaliste. Megjithatë, bëhet fjalë për një dallim të rafinuar, të lehtë për t’u artikuluar në kohët e politikës së qetë të së zakonshmes. Historia e kontinentit të vjetër na e ka mësuar:frika ka ngulfatur demokracitë e reja dhe të dobëta në vitet e para të pas luftës së parë botërore.

Mjaftojnë pak demagogë, që të spekulojnë mbi ndjeshmërinë e masave, dhe frika bën punën e vet:në fillim i armatos nacionalistët kundër atyre, që këmbëngulnin tek përpjekjet diplomatike dhe paqësore për zgjidhjen e konflikteve, më pas i armatosën fashistët dhe nazistët, të cilët vendosën një regjim njëpartiak në emër të shpëtimit të vendit. Ajo që erdhi më pas ne e dimë shumë mirë.

Pasi u dehëm me mitin e pastërtisë së kombit, arritëm të zbusim kombin me të drejtat individuale, dhe demokracinë me pluralizmin partiak dhe kufizimin e pushteteve. Por këto rregulla, këto të drejta nuk mbijetojnë vetëm, pa mbështetjen e një opinioni publik të madh e të përhapur, pa një kuptim të përbashkët.

Kjo është thelbësore, për shkak se demokracitë s’mund të shmangin që idetë të shprehen lirisht, s’mund t’u mbyllin gojën demagogëve. Forca e tyre është e nëndheshme, dhe duhet të dijnë t’i marxhinalizojnë këto rreziqe, pa i shtypur ato. Kjo duhet të ndodhë në kohë të vështira, për të mos lejuar që liderë popullorë e të zgjuar, t’i fryjnë flakëve të frikës dhe që prekin shumicat.

Frika tronditi demokracitë e dobëta në vitet e luftës së parë botërore, dhe është rrikthyer si një rrezik në Evropën e demokracive të ngurta kushtetuese, që i janë nënshtruar stresit të fortë të krizës ekonomike dhe terrorizmit.

Një përgjigje, mesa duket më e lehtë dhe ciklike është populizmi, regjimi i shumicës, pushteti i numrit të madh, jo për të qeverisur në respekt të pakicës, por për të dominuar dhe sunduar kundër kësaj të fundit. Mazhoritanizmi, është një armë e rrezikshme në duart e populistëve. Ai është një pasojë e mundshme e demokracisë së frikës, një trajektore që për Evropën mund të ketë efekte shkatërruese, dhe që mund të zbatonte në mënyrë të plotë projektet anti-evropiane të armiqve të saj. /“Huffingtonpost.it”

Shënim: Nadia Urbinati, gazetare dhe politologe në Universitetin e Kolumbias në Nju Jork

Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button