Letersi

“Dhe unë të mendoj po s’të kërkoj”, poezia plot ndjenja nga Bukowski

“Dhe unë të mendoj po s’të kërkoj” është një ndër poezitë më të bukura nga Charles Bukowski, e cila i drejtohet një dashurie në vështirësi. Të dy duket qartë që e duan njëri-tjetrin, por janë tepër krenarë për ta pranuar e për t’i folur njëri-tjetrit. Është historia tipike e dy personave që duhen, por që krenaria e mposht ndjenjën dhe gjithçka zbehet. Autori e mendon vajzën që do, por nuk i shkruan, nuk e kërkon. Është tepër krenar për ta bërë një gjë të tillë. Ama kjo situatë bën që ndjenjat të ftohen. Krenaria e tepërt barazohet me humbje të dashurive të vërteta, ndaj nëse e do dikë, lëre mënjanë krenarinë dhe foli, bisedo dhe zgjidhi mosmarrëveshjet që ke me të.

“Dhe unë të mendoj po s’të kërkoj”
S’rreshta kurrë së menduari për ty,
do doja aq shumë të ta them.

Do doja të shkruaja se më pëlqen të kthehem,
Se më mungon dhe të mendoj.
Po s’të kërkoj.
Madje s’të shkruaj as njatjeta.
Nuk di si je.
Dhe më mungon ta di.

Ke projekte?
Buzëqesh dot?
Ç’ëndërrove?
Do dalësh?
Ku do të shkosh?
Ke ëndrra?
A hëngre?

Do të më pëlqente të mund të kërkoja.
Po s’kam forcë.
Dhe as ti nuk ke.
Dhe atëherë rrimë e presim më kot.

Dhe mendomë.
Dhe kujtomë.
Kujtohu se të mendoj, se ti nuk e di, por ty të jetoj
çdo ditë që shkruaj për ty.

Dhe kujtohu se të kërkosh e të mendosh,
janë dy gjëra të ndryshme.
Dhe unë të mendoj,
Po s’të kërkoj.

Back to top button