Analiza

Dilema imperiale e Amerikës

Ian Buruma

Profesor i Demokracisë, të Drejtave të Njeriut dhe Gazetarisë në Bard College.

dilema imperiale e amerikesPresidenti i SHBA, Barack Obama, gjendet i sulmuar  nga të ashtuquajturit fajkonjtë liberalë, pak a shumë në të majtë, dhe nga intervencionistët aktivë në të djathtë. E quajnë një president të dobët, që udhëheq një Amerikë të trembur nga lufta dhe që po sprapset.

Kritikët e Obamës, në të majtë e në të djathtë, besojnë se SHBA kanë një detyrë unike që t’i imponojnë vullnetin e tyre botës. I vetmi dallim është se të parët i justifikojnë pikëpamjet e tyre me fjalë për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, ndërkohë që të dytët nuk kanë nevojë për një justifikim të tillë, sepse në fund të fundit Amerika është kombi më i madh mbi tokë.

Sido që të jetë, supozimi që SHBA duhet të udhëheqë me forcë bazohet mbi idenë se pa një fuqi hegjemone dashamirëse që të bëjë policin e botës, do të ketë kaos dhe kontrollin do ta marrin forcat më dashakeqe. Një opinion i tillë u shpreh shumë qartë në një artikull të kohëve të fundit nga mendimtari i politikës së jashtme, Robert Kagan.  Pershtatur ne shqip nga bota.al

Argumenti i Kaganit është se nuk mund t’u besosh shteteve të tjerë që të veprojnë me përgjegjshmëri, pa një lidership të fortë të Amerikës. Ashtu si fajkonj të tjerë, ai paralajmëron se diktatorët jo vetëm do të sillen keq nëse u jepet një shans, por edhe aleatët demokratikë duhet të mbahen në vendin e tyre përmes një dore të fortë hegjemone.

Në Azinë Lindore, për shembull, Kina duhet të “frenohet” prej aleatëve të fortë të SHBA. Por nëse Japonia, aleati kryesor i Amerikës në rajon “do të ishte shumë më e fuqishme dhe shumë më pak e varur nga SHBA për sigurinë e saj”, edhe ajo nuk do të mund të besohej.

Kagan mund të ketë të drejtë kur mendon se një sprapsje e shpejtë e SHBA nga Azia Lindore mund të ketë pasoja të rrezikshme. Por ky argument ka aromën e njohur të fazës së fundit të një perandorie. Fuqitë imperiale europiane të shekullit të njëzetë do u paraqisnin periodikisht perspektivën e largët të pavarësisë, shteteve që kishin kolonizuar – por jo tani, jo përpara se të ishin gati, jo përpara se zotërit perëndimorë t’i kishin edukuar që të kujdeseshin me përgjegjshmëri për vetveten. Nuk dihej se sa duhej të zgjaste ky edukim.

Ky është paradoksi i imperializmit. Sa kohë që të kolonizuarit ndodhen nën çomangën imperiale, ata nuk mund të jenë asnjëherë tamam-tamam gati, sepse autoriteti për të menaxhuar punët e tyre, me përgjegjshmëri apo jo, u ishte hequr.

Perandoritë mund të vendosin rend dhe stabilitet për një kohë të gjatë. Por imperialistët – ashtu si shumë amerikanë sot – lodhen, dhe të kolonizuarit nervozohen. Rendi imperial bëhet i brishtë, dhe siç vëren me të drejtë Kagani, kur rendi i vjetër më në fund shembet, shpesh herë pas tij vjen kaosi.  Pershtatur ne shqip nga bota.al

Kjo gjë ndodhi në Indi në vitin 1947, kur u larguan britanikët, u shkëput Pakistani dhe afro 1 milionë hindu dhe myslimanë vdiqën në masakrat e ndërsjella. Por a do të thotë kjo që Raxhi britanik duhej të kishte zgjatur më shumë? Dhe nëse po, sa më shumë? Në fakt, mund të thuhet se zgjatja në kohë e sundimit imperial mund t’i kishte përkeqësuar tensionet etnikë. Në fund të fundit, këta tensione ishin rezultat i politikave imperiale përça-e-sundo.

Kështu ndodh sot, deri në një farë mase, me Pax Americana-n – një lloj rendi botëror imperial që nuk ka qenë kurrë një perandori formale. Krahasuar me shumicën e perandorive të mëparshme, ishte relativisht i mirë, ndonëse shpesh herë harrohet se si lideri i “Botës së Lirë” rrëzoi udhëheqës të zgjedhur dhe mbështeti diktatorë, si në Kili, në Korenë e Jugut, El Salvador, Argjentinë, Indonezi, Guatemalë e kështu me radhë.

Rendi botëror liberal kaq shumë i lëvduar dhe i ruajtur nga SHBA ishte një produkt i Luftës së Dytë Botërore dhe i Luftës së Ftohtë. Gjermania dhe Japonia duheshin mbajtur poshtë, fuqitë komuniste duheshin frenuar, dhe vendet e vjetër të Europës duhej të mësonin të jetonin me njëri-tjetrin përmes institucioneve unifikues pan-nacionalë. E gjithë kjo u bë e mundur prej parave dhe fuqisë ushtarake të Amerikës. Si rezultat, Bota e Lirë, në Europën Perëndimore dhe Azinë Lindore ishte në varësi të SHBA.

Kjo nuk mund të vazhdojë përgjithmonë. Në fakt tensionet kanë nisur të shfaqen. Por, këtu vjen paradoksi i vjetër imperial. Sa më gjatë që të tjerët mbeten të varur nga SHBA, aq më pak të zotë do të jetë të kujdesen për punët e tyre, duke përfshirë edhe sigurinë. Dhe ashtu si një prind autoritar, vetë SHBA pavarësisht kritikave për aleatët që të ngrihen vetë në këmbë, shpesh herë nuk pranon të lërë të lirë vartësit e vet të padisiplinuar.

Kur në Japoni erdhi në pushtet qeveria e re në vitin 2009, dhe u përpoq të prishë rendin e pasluftës duke iniciuar marrëdhënie më të mira me Kinën dhe reduktim të varësisë nga SHBA, administrata Obama u përpoq ta dëmtojë këtë përpjekje. Perandoria informale nuk mund të duronte një mosbindje të tillë.

Në fjalimin e tij të fundit për politikën e jashtme në Akademinë ushtarekë të West Point, Obama e përmendi shumë pak Azinë Lindore. Por nëse ka një rajon që mund të përfitojë nga doktrina Obama, që premton qasje më shumë politike dhe më pak ushtarake për problemet rajonalë, ky rajon është Azia Lindore.

Gjithësesi, instiktet e Obamës janë ata të duhurit. Të paktën ai ka pranuar limitet e fuqisë së Amerikës për të imponuar me forcë një rend global. Suksesi i tij si president qëndron më pak në gjërat e mira që ka bërë, se sa në marrëzitë që ka shmangur, si përshembull futja në luftëra të tjera të panevojshme.

Kjo gjë nuk e zgjidh dilemën imperiale se si të reduktohet varësia nga hegjemoni, pa shkaktuar më shumë tirani dhe dhunë. Por ky proces i dhimbshëm dhe plot risqe, me kalimin e kohës duhet të nisë, dhe do të jetë më mirë të ketë maturinë që propozon Obama, se sa retorikën e ashpër të kritikëve të tij. /Project Syndicate/

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button