Emanuel Pietrobon
Vendet evropiane perëndimore dhe ato ish-komuniste po përballen me një krizë demografike pa precedent historik ose të barabartë në botë. Ndërsa në vende si Italia, Gjermania dhe Japonia hija e djepeve të zbrazëta po shfaq më ngadalë efektet e veta për shkak të popullsisë së lartë në numër, dhe të tjerë si Hungaria kanë marrë në duar “dossier”-in e e lindjeve me rezultatet e para të vakëta, në Ballkan situata është radikalisht e ndryshme dhe brenda disa dekadave, përveç në ndodhtë një kthesë e thellë dhe e qëndrueshme, mund të bëhemi dëshmitarë të skenarëve distopikë.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, gadishulli Ballkanik është rajoni gjeopolitik që po përjeton recesionin më të rëndë demografik në planet, madje edhe më keq se ai që po prek Evropën Mesdhetare. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, Rumani dhe Serbi, niveli i lindjeve ka rënë në mënyrë të qëndrueshme për më shumë se njëzet vjet dhe kohët e fundit ka arritur pragun kritik të nëntë lindjeve për një mijë banorë. Të pestë vendet së bashku kanë një normë mesatare pjellorie prej 1,4 fëmijë për grua, ose 0,7 pikë më pak se 2.1-shi i nevojshëm për të garantuar qarkullimin e brezave.
Ky dimër demografik, nëse nuk do të ndalet nga agjenda politike largpamëse, do të ketë një rezultat të vetëm: rikompozimin etnik të Ballkanit për shkak të zhdukjes graduale të popujve të tërë.
Drama bullgare
Bullgaria përbën rastin studimor më interesant, duke qenë se rënia e popullsisë filloi në periudhën e hershme të pasluftës dhe nuk është ndalur kurrë, madje as gjatë viteve të regjimit komunist. Sipas censuseve zyrtare, në fakt, është e mundur të heqësh një vijë të drejtë zbritëse, që duke nisur nga 40 lindjet për 1000 banorë të vitit 1915, të çon në 9.1 të regjistruara në vitin 2016. Shkalla e fertilitetit ka qenë nën pragun e zëvendësimit breznor që nga viti 1979, dhe hemorragjia demografike u përshpejtua pas luftës së ftohtë, nga eksodi biblik i gati një milion bullgarëve në pjesën tjetër të Bashkimit Evropian.
Vendi po shpopullohet me ritme mbresëlënëse: 60,000 njerëz më pak çdo vit, ose mesatarisht 164 më pak në ditë. Nga sot deri në fund të shekullit, nëse tendenca vazhdon, popullsia do të përgjysmohet, duke shkuar nga 7 milion në 3 milion.
Kryesisht janë të rinj dhe njerëz në moshë pune, ata që zgjedhin të shpërngulen jashtë vendit, një fakt që shpjegon moshën e lartë mesatare të popullsisë, sot 43 vjeç, vështirësitë e tregut të punës në gjetjen e krahut të punës dhe përkeqësimin e financave publike, dhe që në të njëjtën kohë është shkaku i një rrethi vicioz, I cili pengon suksesin e çdo strategjie pro-natalitetit.
Vendi ka hyrë në një vorbull shpopullimi, nga e cila është e vështirë të dalë, dhe situata është përkeqësuar nga tensionet sociale në rritje midis bullgarëve etnikë dhe romëve, të cilët po përgatiten të bëhen mazhorancë brenda tre dekadave. Sipas Qendrës për politika demografike (Cpd) të Sofjes dhe Akademisë së Shkencave Bullgare, pjesa e romëve në totalin e popullsisë mendohet të jetë shumë më e madhe se 4.9% që rezulton nga regjistrimi i fundit, i cili daton nga viti 2011, dhe ka të ngjarë të jetë midis 11% dhe 17%.
Duke marrë parasysh përqindjet alternative, ndryshimet në vdekshmëri dhe shkallën e lindshmërisë, si dhe normën e e emigracionit, CPD-ja përpunoi një projeksion për një afat të gjatë, sipas të cilit në 2050 bullgarët mund të zbresin si etni nga vendi i parë në vendin e tretë, të lënë pas madje edhe nga nga turqit, dhe 2100 shihet si viti i zhdukjes virtuale të Bullgarisë historike.
Bosnja dhe të tjerët
Shkalla e pjellorisë së Bosnjës dhe Hercegovinës është më e ulta në gadishullin Ballkanik, dhe vazhdon të ulet me një ritëm të shpejtë: midis 2016 dhe 2019 ajo ra nga 1.36 në 1.26. Gjithashtu, njësoj si Bullgaria, ajo nuk regjistron një normë pjellorie më të lartë se 2.1 që nga fundi i viteve 1970, dhe midis 1991 dhe 2019 ajo humbi pak më shumë se një milion banorë, duke kaluar nga një popullsi prej rreth 4 milion e 400 mijë, në 3 milion e 300 mijë.
Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar se deri në vitin 2050 popullsia duhet të ulet me gati 30%, duke mbetur pak më shumë se tre milion banorë. Gjithashtu në këtë rast emigracioni jashtë vendit, veçanërisht në Gjermani, po ndihmon në përshpejtimin e shpopullimit dhe qeveritë e njëpasnjëshme nuk janë në gjendje të përgatisin plane të rimëkëmbjes demografike, pasi detyrohen të operojnë me buxhete gjithnjë e më të shtrënguara dhe rritje të presioneve sociale e ekonomike.
Sistemi shëndetësor është një nga sektorët që vuan më shumë nga efektet e hemorragjisë. Gjatë gjashtë viteve të fundit, më shumë se 5000 infermierë janë larguar nga vendi për të shkuar në Berlin, duke e privuar vendin nga një grup jashtëzakonisht i vlefshëm i krahut të punës. Në të njëjtën periudhë, mbi 40 mijë boshnjakë u larguanpër në Slloveninë fqinje, duke gjetur punë në sektorët e ndërtimit dhe transportit.
Me përjashtim të Sllovenisë, çdo vend i Ballkanit po përjeton kriza të thella demografike, të shoqëruara ndonjëherë me ndryshime etnike me pasoja të pashmangshme shoqërore, kulturore dhe politike në të ardhmen e afërt, si në rastin bullgar, por edhe në Serbi dhe Rumani. Në fakt, edhe këto dy vende të fundit, të cilat po përjetojnë përkatësisht shppopullimin e katërt dhe të dytë më të rëndë të gadishullit, duket se janë të destinuara të bëhen me shumicë rome, sipas parashikimeve të qendrave kombëtare të kërkimit. / InsideOver – Bota.al