Revista digjitale The Intercept ka siguruar një sërë dokumentash që hedhin më shumë dritë mbi operacionet e vrasjes/kapjes nga ana e ushtrisë amerikane, në një moment kyç të evolucionit të luftës së dronëve – mes viteve 2011 dhe 2013. Dokumentet janë nxjerrë nga një burim brenda komunitetit të inteligjencës, që ka punuar me këta lloje operacionesh dhe programesh. “The Intercept” i garantoi burimit kërkesën për anonimat, për shkak se materialet janë të klasifikuar dhe sepse qeveria e SHBA është angazhuar në një persekutim agresiv të bilbilfryrësve.
Burimi tha se vendosi të ofrojë këto dokumenta për The Intercept, për shkak se beson se publiku ka të drejtën që të kuptojë procesin me anë të të cilit njerëzit futen në listat e vrasjeve dhe në fund vriten, sipas urdhërave të skalionëve më të lartë të qeverisë së SHBA.
“Ne po lejojmë që kjo të ndodhë. Dhe kur them ‘ne’, e kam fjalën për qytetarët amerikanë që kanë qasje në këtë informacion tani, por vazhdojnë të rrijnë duarlidhur”, i tha “burimi” revistës Intercept”.
Sipas revistës, që nga dita e parë si komandant i përgjithshëm, droni ka qenë arma e preferuar e presidentit Obama, e përdorur nga ushtria dhe CIA për të gjetur dhe vrarë njerëz që administrata e tij ka vendosur – përmes proceseve të fshehtë, pa gjyq – se duhen ekzekutuar…
The Intercept shkruan se mbledhja e informacioneve të zbulimit kur vriten terroristë, dhe nuk kapen, është përshkruar në studimin për Jemenin dhe Somalinë, i kryer nga një njësi e Pentagonit, ajo e Inteligjencës, Mbikëqyrjes dhe Zbulimit (ISR).
SI I AUTORIZON PRESIDENTI VRASJET
Sipas The Intercept, “është raportuar gjerësisht se presidenti Obama miraton direkt shënjestrat me vlerë të lartë për t’u përfshirë në listën e vrasjeve, por studimi i fshehtë i ofruar nga Burimi, ofron një ide mbi zinxhirin e vrasjeve, duke përfshirë një grafik të detajuar që shtrihet nga mbledhja e informacioneve elektronikë dhe njerëzorë, e deri tek tryeza e presidentit. Në po atë muaj që u shpërnda raporti i ISR – Maj 2013 – Obama firmosi udhëzuesin për përdorimin e forcës në operacionet e kundërspiunazhit jashtë vendit. Një zyrtar i lartë i administratës, që nuk pranoi të komentojë për dokumentat e klasifikuar, i ka thënë revistës se këta udhëzime mbeten në fuqi edhe sot”.
Më tej, revista investigative amerikane ka bërë një përshkrim të procedurave. Sipas saj, “kur dikush futej në listën e vrasjeve, analistët e shërbimit të fshehtë krijonin një portret të të dyshuarit dhe të rrezikut që ai paraqiste, duke e mbledhur në një format të quajtur “karta e bejsbollit”. Më pas, ky informacion i bashkohej informacionit operacional dhe vendosej në një “dosje të informacionit të shënjestrës”, e cila përcillej më lart në pritje të urdhërit për veprim. Mesatarisht, presidentit i duheshin 58 ditë për të firmosur për një shënjestër. Në atë pikë, forcat e SHBA kishin 60 ditë për të kryer sulmin. Dokumentat përfshijnë edhe dy raste studimorë që bazohen pjesërisht në informacione të detajuar të lartave.
SHPESH, SULMET VRASIN SHUME ME TEPER SE SA SHENJESTRAT
The Intercept shkruan se ndërkohë që SHBA dhe Pentagoni deklarojnë se programi i vrasjeve të shënjestruara është preciz, në të vërtetë, dokumentat që flasin për një fushatë speciale operacionale në Afganistanin verilindor, Operacioni Haymaker, tregojnë se mes janarit 2012 dhe shkurtit 2013, sulmet e operacioneve speciale të SHBA shkaktuan vdekjen e më shumë se 200 vetëve. Prej tyre, vetëm 35 ishin shënjestra të miratuara”.
USHTRIA I QUAN NJEREZIT E PANJOHUR SI “ARMIQ TE VRARE NE AKSION”
Sipas dokumentave, ushtria i quan “armiq të vrarë në aksion” edhe ata që nuk kanë qenë shënjestër e sulmeve, por që janë vraë. Nëse pas vdekjes së tyre nuk dilnin prova se ata nuk ishin terroristë apo “luftëtarë të paligjshëm të armikut”, mbetej që të quheshin armiq të vrarë në aksion, sipas burimit të The Intercept.
Ky është linku i artikullit të plotë: The assassination complex
Bota.al