Paris, kemi një problem! Situata në Francë duket të jetë më e rëndë se trazirat e tjera të viteve të fundit, të tilla si protestat e këtij viti kundër reformës së pensioneve dhe trazirat e jelekëverdhëve të pesë viteve më parë. Në të vërtetë, vala e tanishme e protestave është potencialisht më serioze se tre javët e trazirave që pasuan vdekjen e dy adoleshentëve që u fshehën në një nënstacion elektrik për t’i shpëtuar policisë në 2005.
Këtë herë policia franceze duket se ka më shumë faj – ose të paktën oficeri që qëlloi dhe vrau Nahelin, 17-vjeçarin, duket se nuk ka mbrojtje për veprimin e tij. Në të kundërt, përgjigja e Emmanuel Macron, presidenti francez, duket se ka qenë më e përgjegjshme se ajo e Nicolas Sarkozy, ministri i Brendshëm 18 vjet më parë. Presidenti Macron i quajti të shtënat “të pashpjegueshme dhe të pafalshme”, ndërsa Sarkozy i quajti adoleshentët e vdekur hajdutë dhe nxiti tensione në vitin 2005.
Tragjedia në të dyja rastet është se rebelët po dëmtojnë më së shumti lagjet e tyre, duke u vënë flakën dyqaneve që përdorin familjet e tyre dhe duke shkatërruar tramvajet dhe autobusët në të cilët mbështeten komunitetet e tyre. Ndërsa ekipi i futbollit francez, shumica e anëtarëve të të cilit kanë lindur në të njëjtat lagje, e bëri thirrjen për qetësi të premten, protestuesit janë përfshirë në një “proces të vërtetë vetë-shkatërrimi”.
Zemërimi moral ndaj atij që duket të jetë një rast i qartë i dhunës policore – oficeri që qëlloi Nahelin është akuzuar për vrasje nga pakujdesia – ka shkaktuar ankesa kundër brutalitetit të policisë në zonat e banesave shumëracore në qytetet e mëdha të Francës.
Në mënyrë të pashmangshme, ajo është përzier me plaçkitjen kriminale dhe me politikën jokoherente revolucionare të grupeve të vogla, por pakënaqësitë në themel janë të justifikuara. Si për të vërtetuar kauzën, sindikatat e policisë franceze arritën t’i hidhnin benzinë zjarrit, duke nxjerrë një deklaratë të premten ku i përshkruanin rebelët si “parazitë” dhe “hordhi të egra”, dhe duke paralajmëruar se vendi ishte në në mes të një lufte civile.
Problemi i kohezionit social është gjithashtu i rëndë, pasi popullsia e madhe e qytetarëve francezë me origjinë afrikano-veriore priren të përqendrohen në qytetet e mëdha ku ata e përjetojnë policinë pothuajse si një forcë pushtuese. Presidenti Macron mund të ketë reaguar siç duhet në fillim, por ai duhet të nisë një program urgjent të reformës policore dhe masave sociale.
Zërat e tjerë politikë në Francë janë më keq. Jean-Luc Melenchon, kandidati kryesor i të ashtuquajturës së majtë në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, ka refuzuar të apelojë për “qetësi” dhe duket se pothuajse e miraton dhunën. Eric Zemmour ka përsëritur mesazhin e tij racist se emigrantët e gjeneratës së dytë dhe të tretë nuk janë vërtet francezë dhe se kjo është një revoltë e “të huajve”. Për fat të mirë, ai pak ndiqet dhe Marine Le Pen, kandidatja kryesore e së djathtës kundër imigracionit, vazhdon të kërkojë respekt duke ruajtur një gjuhë të moderuar.
Por kërcënimi që ksenofobia të pushtojë tërësisht politikën franceze është më real tani se sa ka qenë ndonjëherë. Zgjedhjet e ardhshme presidenciale janë pas katër vjetësh, kështu që deri në atë kohë presidenti Macron duhet të kontrollojë brutalitetin e policisë dhe ndjenjën e banlieves se ata janë qytetarë të klasit të dytë në vendin e tyre. Nuk ka kohë për të humbur. / The Independent – Bota.al