Këndvështrimi i Zhan-Zhak Rusoit mbi të drejtën.(Kontrata Sociale)
Më i forti nuk është kurrë aq i fortë sa të mund të jetë përgjithmonë zot, në qoftë se ai nuk e shndërron forcën në të drejtën dhe bindjen në detyrë. Që këndej lind e drejta e më të fortit, e drejtë kjo që në dukje merret me ironi, kurse në realitet vedoset në parim.
Por a nuk do të na e shpjegojnë vallë ndonjëherë këtë fjalë?
Forca është një fuqi fizike; unë nuk po mund të shoh se çfarë moraliteti mund të vijë nga pasojat e saj. T’i bësh udhë forcës është një akt maturie.
Në çfarë kuptimi ky akt do të mund të jetë një detyrë?
Ta supozojmë për një çast këtë të ashtuquajtur të drejtë. Unë them se nga kjo del vetëm e vetëm një çorbë fjalësh të pashpjegueshme. Sepse që nga çasti që është forca ajo që bën të drejtën, që atë çast pasoja ndërrohet më shkakun. Çdo forcë që mposht focën e parë, i zë vendin të drejtës së saj. Sapo të jesh në gjendje të mos i bindesh pa u nënshtruar, atëherë je në të drejtën tënde ta bësh këtë në mënyrë të ligjshme dhe, meqënëse më i forti ka gjithmonë të drejtë, duhet të veprosh në atë mënyrë që ti të jesh më i forti.
Mirëpo çfarë është një e drejtë që vdes kur forca nuk është më?
Ne qoftë se duhet të bindesh me anë të forcës atëherë nuk është nevoja ta bësh këtë me anë të detyrës dhe, në qoftë se nuk je më i shtrënguar që të bindesh, atëherë nuk je më as i detyruar. Pra, shihet që kjo fjalë, e drejta, nuk i shton asgjë forcës; këtu ajo nuk do të thotë gjë prej gjëje.
Bindjuni fuqive. Në qoftë se kjo do të thotë: bëjini udhë forcës, atëherë parimi është më i mirë, por është i tepërt; unë ju garantoj se nuk ka për t’u shkelur kurrë.
Çdo fuqi vjen nga Perëndia, e pohoj këtë. Mirëpo, edhe çdo sëmundje vjen gjithashtu nga Perëndia. A mos vallë kjo do të thonë se është ndaluar të thërritet mjeku?
Kur një brigad më kap befasisht në skaj të një pylli, jo vetëm jam i shtrënguar t’ia dorëzoj kuletën për shkak të forcë, por, po të mund t’ia merrja prapë, a mos vallë ndershmërisht do të isha i detyruar t’ia jepja? Sepse, në fund të fundit, pistoleta që ai mban në dorë është gjithashtu një fuqi.
Le të biem dakord, pra, që forca nuk gjeneron të drejtën dhe se nuk jemi të detyruar t’u bindemi përveçse fuqive të ligjshme.
Kësisoj, na del vazhdimisht përpara çështja ime fillestare.-Zhan-Zhak Ruso/Bota.al