I famshëm për rolin e tij në vrasjen e Jul Cezarit, a ishte Bruti një tradhëtar i pashpirt, apo një çlirimtar guximtar?
Klani Junia ishte një nga familjet më të njohura dhe më të rëndësishme në Romë që nga ditët e para të Republikës. Anëtarët e kësaj familjeje zgjidheshin shpesh në postin e konsullit, pozita më e lartë shtetërore, dhe emëroheshin diktatorë në kohë krize.
Një nga legjendat e themelimit të Republikës flet për një anëtar të kësaj familjeje, Lucius Junius Brutus, i cili rrëzoi mbretin e fundit të Romës në shekullin e 6-të p.e.s. dhe vendosi rendin kushtetues të sistemit republikan. Kur Marcus Junius Brutus, pasardhësi i tij, lindi në vitin 85 p.e.s., kishte shumë pritshmëri që edhe ai do të arrinte kulmin e pushtetit.
Rënia e Republikës
Në sistemin republikan, pushteti ndahej midis familjeve të mëdha të klasës patriciane romake, përmes zgjedhjeve për poste të ndryshme politike dhe ndikimit të Senatit.
Republika ishte krijuar për të siguruar që askush të mos grumbullonte të gjitha pushtetet e një mbreti – dy konsuj ndanin pushtetin çdo vit dhe secili shërbente vetëm për një vit të vetëm. Çdo familje konkurronte për nderin e të pasurit një konsull, gjë që e bënte pushtetin të kalonte rregullisht nga një familje tek tjetra, duke shmangur përqendrimin e tepërt të tij.
Ky sistem funksionoi mirë për sa kohë që Roma ishte një shtet i vogël, por deri në shekullin I p.e.s., romakët kishin filluar të qeverisnin territore të mëdha përtej detit. Kjo i detyroi ata të krijonin ushtri të mëdha për të pushtuar territore të tjera dhe për të ruajtur kontrollin mbi tokat tashmë të pushtuara.
Gjeneralët e këtyre ushtrive të fuqishme morën fuqi të madhe ushtarake, ndikim politik dhe pasuri të jashtëzakonshme të fituara nga fushatat ushtarake. Në vitin 88 p.e.s., një nga këta komandantë, Lucius Cornelius Sulla, marshoi mbi Romë për të shtypur rivalët e tij politikë dhe për të ristrukturuar shtetin.
Më pas, Gaius Marius çoi trupat e tij drejt qytetit. Sa herë që Roma binte në duart e një sundimtari të ri, kundërshtarët e tij politikë rrezikonin të vriteshin. Politika romake kishte qenë gjithmonë e rrezikshme, por tani ishte kthyer në një luftë për jetë a vdekje.
Në këtë botë të re të dhunës së përhershme politike lindi dhe u rrit Marcus Junius Brutus. Ai e dinte se babai i tij kishte qenë një objektiv për vrasje nga Sulla, edhe pse arriti të mbijetonte. Megjithatë, ai u vra më vonë ndërsa mbështeste një revoltë kundër përkrahësve të Sullës.
Qarkullonin thashetheme se babai i vërtetë i Brutit ishte në të vërtetë dikush që më vonë do të bëhej një nga romakët më të shquar të kohës – Juli Cezari. Megjithatë, kjo është e pamundur, pasi Cezari do të kishte qenë vetëm 15 vjeç kur Bruti lindi. Megjithatë, ai kishte një marrëdhënie të ngushtë me nënën e Brutit, Servilian, më vonë në jetë, dhe padyshim e favorizoi Brutin kur u bë një figurë e fuqishme.
Ngjitja e Cezarit dhe Brutit
Pas luftërave civile midis Sullës dhe Mariusit, u bë e qartë se forca ushtarake ishte tashmë baza e vërtetë e pushtetit politik. Më ambiciozët nga pasardhësit e familjeve fisnike filluan të ndjekin karriera ushtarake për të forcuar pozitat e tyre në shoqëri.
Një nga më të suksesshmit në këtë aspekt ishte Pompeu, i njohur në histori si Pompeu i Madh, për pushtimet e tij të shpejta në Lindjen e Afërt. Një tjetër figurë e shquar ishte Marcus Licinius Crassus, një nga komandantët e ushtrisë së Sullës, i cili përdori pozicionin e tij për të krijuar një pasuri të pallogaritshme.
Ndërkohë, Juli Cezari ishte një fisnik i ri premtues, por pa burimet e Pompeut ose Crassusit. Për të ecur përpara në politikë, ai kishte nevojë për mbështetjen e tyre.
Në vitin 60 p.e.s., u bë e qartë se Senati po bllokonte Pompeun nga marrja e pozicioneve ushtarake që ai dëshironte, dhe po pengonte Crassusin nga reformat financiare që ai kërkonte. Të dy i ishin kundërvënë njëri-tjetrit, për shkak të rivalitetit personal.
Por kur Cezari u zgjodh konsull në vitin 59 p.e.s., të dy vendosën ta mbështesnin për interesat e tyre politike. Kjo krijoi një mundësi për Cezarin, dhe të tre ranë dakord të bashkëpunonin, duke formuar atë që u bë i njohur si Triumvirati i Parë. Së bashku, ata përdorën pushtetin për të ndihmuar njëri-tjetrin në arritjen e qëllimeve.
Pas përfundimit të mandatit të tij si konsull, Cezari u emërua guvernator i Galisë dhe përdori këtë pozicion për të pushtuar një pjesë të madhe të asaj që sot është Franca moderne.
Bruti dhe Lufta për Pushtet në Romë
Cezari dërgoi lajme në Romë për fitoret e tij të guximshme në Gali dhe fitoi mbështetjen e popullsisë duke shpërndarë para për të blerë besnikërinë e tyre. Gjatë kësaj periudhe në Gali, ai i ofroi Brutit një pozitë në stafin e tij, por Bruti e refuzoi.
Bruti nisi karrierën e vet politike në Romë duke punuar si ndihmës i Katonit, i cili ishte emëruar guvernator i Qipros, dhe u dallua për efikasitetin e tij. Pasi u kthye në Romë, Bruti u vu në krye të mbledhjes së monedhave të reja. Disa prej tyre u stampuan me emrin e Brutit, duke bërë që njerëzit të familjarizoheshin me të. Në vitin 53 p.e.s., në moshën vetëm 32 vjeçare, Bruti u zgjodh senator.
Triumvirati dhe përplasjet politike
Senati, megjithëse shumë prej anëtarëve të tij kishin arritur në pozitat e tyre falë Triumviratit, nuk e pranoi lehtësisht ndikimin e Cezarit, Crassusit dhe Pompeut mbi shtetin.
Triumvirati filloi të shpërbëhej pas vrasjes së Crassusit në një luftë kundër Parthëve, si dhe pas vdekjes së Julias, vajzës së Cezarit dhe bashkëshortes së Pompeut.
U bë e qartë se ose Cezari, ose Pompeu do të sundonin Romën, dhe çdokush duhej të zgjidhte njërën anë. Bruti kishte qenë kundër Pompeut për një kohë të gjatë, ndoshta duke kujtuar se si ai kishte vrarë të atin. Por kur Cezari marshoi drejt Romës me legjionet e tij galike, Bruti u rreshtua me Pompeun, duke e parë atë si përfaqësuesin legjitim të Republikës.
Një luftë e përgjakshme midis Cezarit dhe Pompeut përfundoi me Cezarin si autoritetin e vetëm në Romë dhe vdekjen e Pompeut, së bashku me shumë senatorë që ishin të lidhur me Brutin.
Bruti dhe Idet e Marsit
Bruti u fal pas betejës së madhe të luftës civile, dhe sipas Plutarkut, Cezari ishte i lumtur për mbijetesën e tij dhe e bëri një nga miqtë e tij më të nderuar.
Në vitin 44 p.e.s., Cezari u vetëshpall diktator i përjetshëm, duke marrë pushtete të gjera për të “mbrojtur Republikën”. Bruti e pranoi faljen e Cezarit, por nuk iu nënshtrua plotësisht rendit të ri. Ai u divorcua nga gruaja dhe u martua me vajzën e Katonit, njërit prej kritikëve më të ashpër të Cezarit. Megjithatë, pavarësisht se mund të shihej si një kundërshtar i Cezarit, diktatori e zgjodhi Brutin për një post të lartë shtetëror.
Romakët e shihnin titullin “mbret” si një fyerje ndaj gjithçkaje që përfaqësonte Republika. Edhe pse Cezari nuk e shpalli veten mbret, romakët e kuptuan se ai kishte të gjitha fuqitë e një mbreti.
Në muret e qytetit nisën të shfaqeshin grafite që bënin thirrje për vrasjen e Cezarit. Madje, në statujën e Brutit të parë, i cili kishte dëbuar mbretin e fundit të Romës, u gdhend fraza: “Oh, sikur të të kishim tani, Brutus!”
Gjithashtu, Bruti gjente shënime pranë shtratit të tij, ku e pyesnin nëse po flinte, duke lënë të kuptohet se ekzistonte një dëshirë për të çliruar Romën nga Cezari.
Komploti dhe vrasja e Cezarit
Një konspiracion filloi të formohej mes senatorëve që donin të rikthenin kohët e vjetra të Republikës, kur Senati kishte pushtet dhe nuk ishte nën urdhërat e një individi të vetëm. Nuk dihet saktësisht se kush e nisi komplotin, por shumë shpejt ai u përqendrua rreth Brutit, për shkak të ndikimit dhe emrit të tij. Dukej se kërkohej që një Brutus tjetër të dëbonte edhe një “mbret” tjetër nga Roma.
Rreth 60 senatorë u bashkuan me komplotin dhe vendosën të sulmonin më 15 mars – dita e njohur si Idet e Marsit. Kur Cezari hyri në Senat, ai u rrethua dhe u godit me thika nga senatorët, të cilët e quanin veten “çlirimtarë”. Ata i kishin fshehur armët nën togat që mbanin veshur.
Cezari u godit 23 herë me thikë. Sipas legjendës, kur ai pa Brutin midis atentatorëve, ai tha: “Edhe ti, bir?” (Et tu, Brute?), frazë që është bërë e famshme nga tragjedia Juli Cezari e Shekspirit. Cezari vdiq te këmbët e statujës së rivalit të tij, Pompeut të Madh.
Pasojat e vrasjes së Cezarit
Pas vrasjes së Cezarit, Bruti doli për të folur në Senat, por senatorët që nuk ishin pjesë e komplotit u larguan në panik. Kur komplotistët ecën nëpër rrugët e Romës me thikat e përgjakura, duke shpallur rikthimin e Republikës, populli i shihte në heshtje. U bë e qartë se nuk kishte përkrahje popullore për atë që kishin bërë.
Ndoshta njerëzit e kuptuan se vrasja e Cezarit nuk do t’i jepte fund kaosit politik. Komplotuesit kishin vendosur të vrisnin vetëm Cezarin, por jo përkrahësit e tij. Mark Antoni, një nga komandantët më të fuqishëm të Cezarit, kishte legjionet e tij dhe mund t’i përdorte për të luftuar komplotuesit. Një luftë e re civile ishte e pashmangshme dhe premtonte të ishte shumë e përgjakshme.
Fund i hidhur për Brutin
Bruti u arratis drejt lindjes për të mbledhur para dhe ushtri për të luftuar Mark Antonin dhe Oktavianin, birin e adoptuar të Cezarit. Në Betejën e Filipit në vitin 42 p.e.s., forcat e Brutit u shkatërruan nga ushtritë e Antonit dhe Oktavianit. I mbetur pa rrugëdalje, Bruti kreu vetëvrasje.
Të tjerë komplotistë u ndoqën dhe u vranë nga Antoni dhe Oktaviani, të cilët e ndanë botën romake mes tyre. Megjithatë, siç kishte ndodhur edhe më parë, dy burra nuk mund ta ndanin pushtetin përgjithmonë. Pas një lufte të fundit civile, Oktaviani, i cili u quajt August, e mundi Antonin dhe shpalli lindjen e Perandorisë Romake.
Roli i Brutit në vrasjen e Cezarit ka ndarë mendimet historike. Disa e panë atë si një kampion të lirisë. Të tjerë e panë si tradhtarin më të madh të historisë.
Në veprën Ferri të Dantes, Bruti është vendosur në nivelet më të ulëta të Ferrit, së bashku me Kasiumin (bashkëpunëtorin e tij) dhe Judën, tradhtarin e Krishtit. / bota.al