Ekonomi

EKONOMI / Përse Wall Street nuk “qesh” më?

Francesco Guerrera*

perche gli usaBursa e New Yorkut është tashmë vetëm ngjasmimi i një të kaluare që nuk ekziston më. Sot, oepratorët e vërtetë të shkëmbimeve janë kompjuterët, supermendje të heshtura, efikase dhe pa ndjenja. Nuk bëjnë gabime, nuk dehen dhe nuk vijnë kurrë vonë në zyrë.

Pallati neoklasik i New York Stock Exchange, në qoshen mes Wall Street-it dhe Broad Street-it, është shndërruar në një muze të kapitalizmit.

Këtu, një grup i vogël qeniesh njerëzore blen dhe shet ndonjë aksion për hir të telekamerave të televizioneve, si dhe për fotografitë e kujtimeve të kompanive që kuotohen në bursë.

Por, për të kuptuar frikën që po mbërthen investitorët, nuk mund të qëndrosh përpara kompjuterit. Duhet të zbresësh në “floor”, në sheshin e Bursës.

Vetëm aty e kupton që ky është fillimi i fundit të kohërave të bukura për tregjet e aksioneve. Amerikanët e quajnë “body language”, gjuha e trupit, e cila në këtë moment është shumë elokuente: mjafton të shohësh veprimet e shqetësuar të operatorëve më të moshuar, mungesën e batutave sfiduese dhe pakëz të forta, dëshirën për të blerë pak dhe për të shitur menjëherë.

Rimëkëmbja e madhe e tregjeve të aksioneve pas krizës së vitit 2008 po shuhet ngadalë. Pas disa vitesh me çmimet në ngritje, bumit në kuotime dhe miliardave të fituara, veteranët e shitblerjeve janë duke nuhatur fundin e parasë së fituar lehtë.

Në ditët e fundit, të gjithë tregjet e rëndësishëm amerikanë – që nga historiku Dow Jones Industrial Average, tek teknologjiku Nasdaq, e tek më i madhi S&P500 kanë nisur rënien. Pas kësaj jave zjarri, tre indekset, triniteti super i shenjtë i botës së biznesit në SHBA, janë në humbje për 2014-ën.

Pjesa tjetër e tregjeve ndjek Wall Street-in. Kur teshtin New Yorku, Tokion, Frankfurtin dhe Milanon i zënë ethet. Eshtë një prej gjurmëve të fundit të superfuqisë amerikane: nëse investitorët amerikanë humbasin para, atëherë humbasim të gjithë. Ekosistemi financiar i ka rrënjët në kultin e individualizmit, por kur flitet për tregjet, të gjithë për një dhe një për të gjithë.

Deri javën që kaloi, kjo moto e moskëtierëve funksionoi. Mbahet mend mirë dita kur aksionet amerikane prekën fundin – ishte 9 maji i vitit 2009. Ishte ditë e bukur, ndonëse e hënë. Në New York kishte dalë një diell i këndshëm pranveror. Mëngët e këmishëve dhe fundet po shkurtoheshin më në fund, pas një dimri të gjatë. Por për ata që merren me financën, ishin kohë të errëta. Kriza që pothuajse kishte shkatërruar ekonominë botërore rrinte ende pezull mbi tregjet dhe investitorët përgjigjeshin me një fjalë të vetme: shit, shit, dhe vetëm shit.

Por atë ditë, dicka ndryshoi në psikikën e tregjeve. Nuk dihej atëherë, por një përzierje ndihmash nga ana e bankave qendrore, çmimet e aksioneve tashmë shumë të ulët dhe shenjat e para të rimëkëmbjes ekonomike i shtynë tregjet të rriten me më shumë se 150%, në pesë vitet që pasuan.

Dow Jones dhe S&P500 (jo Nasdaq, të cilit i duhet ende të kalojë nivelet stratosferikë të fluskës së Internetit të viteve 2000) kanë thyer rekord pas rekordi. Por ishin më shumë Ben Johnson dhe Lance Armstrong, se sa Carl Lewis dhe Fausto Coppi. Ngjitja e shpejtë e Dow dhe të tjerëve ishte e mundur vetëm falë steroidëve të Federal Reserve (banka qendrore amerikane) dhe bankave të tjera qendrore.

Normat shumë të ulëta të interesit, të vendosura nga burokratët në Uashington, Frankfurt dhe më së fundi, Tokio, i ndihmuan mbretërit e tregjeve të lirë në dy mënyra.

Pikësëpari, ofruan para me çmime shumë të ulët për investitorët e mëdhenj dhe të vegjël. Dhe së dyti, vendosën një tavan mbi bonot “e sigurta”, mes të cilave ato të Thesarit amerikan, duke i shtyrë tregjet drejt instrumentave më me risk, si aksionet.

Ishte një skemë e destinuar të sillte rinisjen e ekonomive në agoni, duke luajtur mbi “shpirtërat kafshërorë” të John Maynard Keynesit; dëshirën për të fituar para e kanë të gjithë qeniet njerëzore.

Për tregjet, strategjia funksionoi (për ekonomitë, më pak), por ashtu si të gjithë drogërat, solli edhe varësinë. Kur, në maj të vitit që kaloi, Federal Reserve deklaroi se do të fillonte të tërhiqej nga tregjet, investitorët panë njëri-tjetrin në sy për një moment shumë të gjatë dhe pyetën: “Po tani?”.

Teorikisht, pas pesë viteve me stimuj, rimëkëmbja ekonomike do të duhej të zëvendësonte ndihmat e bankave qendrore. Kompanitë duhej të ishin në gjendje të justifikonin vlerën e tyre në Bursë, me fitime dhe me programe investimi. Konsumi, prodhimi industrial dhe eksportet duhej të fillonin të tërhiqnin. Dhe Bursat duhej të fillonin të shihnin gjërat “fondamentale”, që në Wall Street domethënë shifrat, bilancet, parashikimet.

Por për momentin, mungon analiza matematikore dhe mbretëron frika.

E vërteta është që në këtë moment, “fondamentalet” nuk ekzistojnë. Ekonomia e SHBA rritet ngadalë, ajo europiane është në fazë ngecjeje dhe madje edhe Kina po ngadalëson.

Shifrën më të frikshme e ofron Jason DeSena Trennert, kreu i qendrës së studimeve Strategas: që nga viti 2008, xhiroja e kompanive në S&P500 është rritur vetëm me 7%. Një shifër shumë e ulët për të shtyrë përpara tregjet. Dhe pa një perspektivë konkrete për përmirësime ekonomikë, është e vështirë të mendosh që xhiroja dhe fitimet mund të rriten në mënyrë domethënëse në vitet që do të vijnë.

Optimistët flasin për çmime që nuk janë ende shumë të lartë nga këndvështrimi historik, si dhe për mungesën e inflacionit, që është bisha e zezë e Bursave.

Por siç thoshte Lidio, traineri im i basketbollit: pa ato, “fondamentalet” nuk shkon gjëkundi. Pa një hop cilësor në ekonomitë e SHBA, Europës dhe Kinës, zotërinjtë e sheshit të Bursës do ta gjejnë veten shumë shpejt shtrirë në dysheme.

* Kryeredaktor i Wall Street Journal në New York

Leave a Reply

Back to top button