Kembrixh- Bota është e ‘përmbytur’ nga paraja e gatshme, me bankat e mëdha qëndrore që pompojnë çdo vit qindra miliardë dollarë, kryesisht në prerje të mëdha 100 dollarëshe.
Kjo e fundit përbën gati 80 përqind të parave në dorë në SHBA, me një normë totale prej 4.200 dollarë për frymë. Prerja 10 mijë jenëshe (rreth 100 dollarë) përbën rreth 90 përqind të parasë së gatshme në të gjithë Japoninë, ku paratë e thata për frymë janë pothuajse 7.000 dollarë për frymë.
Dhe siç e kam argumentuar për dy dekada me rradhë, e gjithë kjo para ka lehtësuar rritjen kryesisht të ekonomisë së nëndheshme, dhe jo asaj të ligjshme. Unë nuk jam duke mbojtur krijimin e një shoqërie pa para të gatshme, e cila as që do jetë e mundur dhe as e dëshirueshme në çdo kohë së shpejti. Por një shoqëri më pak para të gatshme në qarkullim, do të jetë një vend më i drejtë dhe më i sigurtë.
Me rritjen e kartave të debitit, transfertave elektronike, dhe pagesave nëpërmjet celularëve, përdorimi i parave ka qenë prej kohësh në rënie në ekonominë e ligjshme, veçanërisht tek transaksionet e mesme dhe të mëdha. Sondazhet e Bankës Qendrore, tregojnë se vetëm një përqindje e vogël e parave në prerje të madhe, janë duke u mbajtur dhe përdorur nga njerëzit e zakonshëm apo bizneset.
Paraja e gatshme lehtëson aktivitetin krimimal për shkak se ajo është anonime, dhe prerjet e mëdha janë veçanërisht problematike për shkak se janë aq të lehta për t’u transportuar dhe fshehur. Një milion dollarë në kartmonedha 100 dollarëshe mund të futet në një valixhe, një milion dollarë në një prerje 500 euroshe mund të fshihet në një çantë të vogël.
Sigurisht, ezkistojnë shumë mënyra për të korruptuar zyrtarët, angazhuar në krimin financiar, dhe iu shmangur taksave, edhe pa paratë e gatshme. Por shumica përfshijnë kosto shumë të larta të transaksionit (për shembull, diamantët e paprerë), ose rrezikun e zbulimit (le të themi transferta bankare ose pagesa me kartë krediti). www.bota.al
Po, epoka e re e kripto-monedhave si Bitkoin, në mos janë plotësisht të paprekshme ndaj zbulimit, janë afërsisht të tilla. Por vlera e tyre luhatet ndjeshëm, dhe qeveritë zotërojnë shumë mjete me të cilat mund të kufizojnë përdorimin e tyre – për shembull, duke i penguar ata nga të kryejnë transaksione në banka apo dyqanet me pakicë. Paraja e gatshme është unike në likuiditetin dhe pranimin e saj pothuajse universal.
Vetëm kostot e evazionit fiskal janë tronditëse, ndoshta 700 miliardë dollarë në vit në Shtetet e Bashkuara (duke përfshirë taksat federale, shtetërore, dhe ato lokale), dhe shumë më të mëdha në Evropën e taksave të larta. Krimi dhe korrupsioni, edhe pse vështirë të matet, thuajse me siguri gjenerojnë kosto edhe më të mëdha. Mendoni jo vetëm për drogat e paligjshme dhe gjobëvëniet, por edhe trafikimin e qenieve njerëzore, terrorizmin dhe grabitjet.
Për më tepër, pagesat me para në dorë nga punëdhënësit për punëtorët në të zezë, janë një nga nxitësit kryesorë të emigracionit të paligjshëm. Ulja e shkallës së përdorimit të parave të gatshme, është një mënyrë shumë më humane për të kufizuar emigracionin se sa ndërtimi i gardheve me tela me gjemba. Nëse qeveritë nuk do të ishin aq të dehura nga fitimet që bëjnë duke shtypur para të gatshme, ato mund të zgjohen nga kostot.
Ka pasur një lëvizje të vogël të vonuar. Banka Qëndrore Evropiane njoftoi kohët e fundit se do të heqë nga qarkullimin prerjen e vet gjigande 500 euroshe. Megjithatë, ky ndryshim i vonuar u vu në zbatim përkundër rezistencës së madhe nga dashnorët e mëdhenj të parasë së gatshme në Gjermani dhe Austri.
Megjithatë, edhe në Evropën veriore, raportohet se normat e valutës për frymë janë ende relativisht të ulëta, në raport me furnizimin masiv të eurozonës në tërësi me para të gatshme (mbi 3.000 euro për banor). Qeveritë e Evropës Jugore, të dëshpëruara për rritjen e të ardhurave tatimore, janë duke marrë gjërat në duart e tyre, edhe pse nuk e kontrollojnë emetimin e kartmonedhave. Për shembull, Greqia dhe Italia janë përpjekur të dekurajojnë përdorimin e parave të gatshme duke i kufizuar ato respektivisht në 1.500 1.000 euro.
Natyrisht, paraja e gatshmembetet e rëndësishme për transaksionet e vogla të përditshme, si dhe për mbrojtjen e privatësisë. Bankierët Qëndrorë te Evropës Veriore që favorizojnë statuskuonë, pëlqejnë të citojnë romancierin rus Fjodor Dostojevski:”Paraja krijoi lirinë”. Sigurisht, Dostojevski ishte duke iu referuar jetës në burgun carist rus të shekullit XIX, dhe jo një shteti modern liberal.
Megjithatë, evropianët e veriut e kanë një të drejtë. Çështja është nëse sistemi aktual ka një bilanc të rregullt. Unë do të argumentoj se qartazi ai nuk e ka. Një plan për frenimin e monedhës së letrës, duhet të udhëhiqet nga tre parime. Së pari, është e rëndësishme të lejohen qytetarët e zakonshëm të vazhdojnë përdorimin e parasë së thatë për lehtësi dhe për të bërë blerje anonime me një madhësi të arsyeshme, duke minuar modelet e biznesit të atyre të angazhuar në transaksione të mëdha e të përsëritura anonime në një nivel tërësor.
Së dyti, çdo plan duhet të lëvizë shumë gradualisht (mendoj për një dekadë ose dy), për të lejuar përshtatjet dhe korrigjimet në mes të rrugës, ndërsa lindin probleme të papritura. Dhe, e treta, reformat duhet të jenë të ndjeshme ndaj nevojave të familjeve me të ardhura të ulëta, veçanërisht ato që janë jashtë sistemit bankar.
Në librin tim të ri, “Mallkimi i parasë së thatë”, unë propozoj një plan që përfshin një largim gradual nga prerjet e mëdha të parave, duke lënë në qarkullim vetëm ato të vogla (10 dollarë e më poshtë) për një kohë të pacaktuar. Plani parashikon përfshirjen financiare, duke iu ofruar atyre me të ardhura të ulëta llogari falas debiti, të cilat mund të përdoren edhe për të kryer transfertat e pagesave qeveritare.
Ky hap i fundit është ai që kanë marrë tashmë disa vende si Danimarka dhe Suedia.
Reduktimi i parasë në letër, vështirë se do t’i japë fund krimit dhe evazionit fiskal; por do të detyrojë ekonominë informale të përdorë mjete më të rrezikshme dhe më pak likude pagese. Paraja e thatë mund të duket si një gjë e vogël dhe e parëndësishme në botën e sotme të teknologjisë së lartë financiare, por përfitimet nga nxjerrja jashtë qarkullimit e pjesës më të madhe të saj, janë shumë më të mëdha nga sa mund ta mendoni.
Shqipëruar dhe botuar nga www.bota.al me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – The Case Against Cash