Analiza

Eksperimenti dështoi, por Europa është më demokratike

Nikolaus Blome

Der Spiegel

Ndonëse pjesëmarrja në votime kishte rënie në shumë vende dhe populistët e krahut të djathtë shtuan dukshëm numrat e tyre, zgjedhjet e fundjavës për Parlamentin Europian patën një rëndësi historike. Sepse e zhvendosën ekuilibrin e pushtetit në Europë, në favor të votuesve.

STRASBOURG-EU-PARLIAMENTPër herë të parë në historinë e Bashkimit Europian, partitë kryesore të Parlamentit Europian lançuan kandidatët e tyre, të cilët bënë fushatë për postin e presidentit të Komisionit Europian, si dhe mbajtën fjalime të fora në pjesën më të madhe të Europës, në një eksperiment që preku më shumë se 400 milionë votues.

Qëllimi i daljes me “kryekandidatë” ishte krijimi i një tipari qendror për ato që në thelb janë zgjedhje kombëtare, si edhe për personalizimin e fushatës dhe intensifikimin e zgjedhjeve në televizion. Ishte shpresuar që pjesëmarrja në votime do të rritej mjaftueshëm në zgjedhjet e djeshme, për t’i mbajtur larg qendrës së pushtetit populistët e krahut të djathtë.

Eksperimenti nuk funksionoi ashtu si kishte shpresuar shumëkush.

Jean-Claude Juncker bëri fushatë në emër të kristian demokratëve konservatorë dhe Martin Schulz për social demokratët e qendrës së majtë. Të dy kandidatët morën përsipër detyrën e krijimit të një palë zgjedhjeve vërtetë europiane, deri në pikën e rraskapitjes. Gjatë gjithë kohës së fushatës, iu desh të përballen me vështirësi të vogla dhe të mëdha, që ndonjëherë u shkaktuan tension të skajshëm.

Hesapet i bënë votuesit

Pavarësisht pëprjekjeve, të dy nuk arritën të sjellin një rritje të madhe të pjesëmarrjes. Patën më shumë sukses në këtë përpjekje në ata vende ku ekonomia po ecën relativisht mirë, si në Gjermani. Në vende si Franca, Italia, Britania, Austra dhe Greqia, fushata e tyre nuk pati sukses në tërheqjen e debatit të brendshëm. Dhe ndodhi që votuesit në këta vende të “lanin hesapet” me qeveritë e tyre nacionale. Për ta, partitë anti BE ishin një mjet për të arritur qëllimin, dhe problemet nacionale peshuan më tepër se sa çështjet europiane. Siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, vota u përdor për të ndëshkuar partitë brenda shteteve.

Në këtë drejtim, eksperimenti i paraqitjes së kandidatëve kryesorë ishte një dështim. Megjithatë, zgjedhjet ishin gjithësesi të rëndësishme nga pikëpamja historike. Pershtatur ne shqip nga bota.al

Mund të mos ndodhë në Gjermani, por në disa shtete të tjerë rezultati do të shkaktojë valë tronditjeje në politikën e brendshme. Mbi të gjitha, në Europë ekuilibri i pushtetit është zhvendosur – duke i dhënë pak më shumë Parlamentit Europian dhe votuesve.

Dy kandidatët kryesorë, me personalizimin që u bënë zgjedhjeve, kanë krijuar disa fakte që do të jetë e vështirë të ndryshohen. Eshtë shumë e vështirë të imagjinosh që liderët e shteteve anëtarë të BE do të jenë në gjendje të ndalojnë fituesin e zgjedhjeve, Jean Claude Juncker që të bëhet president i ardhshëm i Komisionit Europian, nëse atë do e mbështesë një shumicë parlamentare. “Koalicioni i madh” tradicional në Parlamentin europian, mes kristian demokratëve të qendrës së djathtë dhe social demokratëve të qendrës së majtë këtë herë do të udhëhiqet nga konservatorët, dhe ka gjasa ta arrijë shumicën e nevojshme. Në fund, kjo do të thotë që liderë si kancelarja gjermane Angela Merkel, që ka thënë se fituesi nuk do të jetë automatikisht president i komisionit, do të duhet të dorëzohen para vullnetit të votuesve. Ndonëse liderët do të jenë sërish të lirë të zgjedhin postet e tjerë të rëndësishëm të BE, duke përfshirë edhe anëtarët e tjerë të Komisionit, një post shumë i rëndësishëm tashmë është dhënë prej votuesve. Kështu duhet të jenë gjërat dhe ky është zhvillim shumë i rëndësishëm.

Ndonëse eksperimenti me kandidatët kryesorë nuk funksionoi siç kishte shpresuar shumëkush, ai gjithësesi rezultoi një sipërmarrje që ia vlejti. Ndonëse pjesëmarrja e votuesve nuk ishte aq e madhe sa duhej, këto zgjedhje gjithësesi e kanë bërë Europën më demokratike.

Pershtatur ne shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button