Ekzorcizmi, ose dëbimi i shpirtërave. Shumë njerëz kanë dëgjuar për këtë praktikë, në një mënyrë apo një tjetër. Sot, besimi se demonët ekzistojnë dhe mund të vënë nën kontroll njerëz është një gjë që me shumë gjasë e gjeni në ndonjë roman, apo film horror, por jo në jetën reale. Megjithatë, frika nga demonët dhe shpirtërat e këqinj ka qenë një prej besimeve fetarë më të përhapur në botë, dhe e ka origjinën që në lashtësi. Nuk është habi që Kisha Katolike ende pretendon se njerëzit mund të vihen nën kontroll prej demonëve dhe për këtë gjë, Bibla përmend gjashtë raste ku Jezusi i ka dëbuar dhe ofron ekzorcizmin si mjet për eleminimin e këtij rreziku.
Ideja që shpirtërat pushtues janë të këqinj është kryesisht koncept judeo-kristian, ndonëse çdo fe dhe sistem besimi e pranon zotërimin, në një formë apo një tjetër. Ja disa gjëra që mund të mos i dini për ekzorcizmin…
- Fenomeni i ekzorcizmit ka ekzistuar ndoshta që nga kohët më të hershme. Në Greqi, Epikuri dhe Eskini ishin bij të grave që jetonin nga ky art, dhe secili prej tyre ishte qortuar rëndë, njëri nga Stoikët dhe tjetri nga Demosteni, se kishin ndihmuar nënat e tyre në këto praktika të pandershme.
- Fjala ekzorcizëm vjen nga greqishtja, exorkismos – lidhje me betim.
- Vatikani nxorri fillimisht udhërrëfyes zyrtar për ekzorcizmin në vitin 1614 dhe e rishikoi në 1999.
- Përkundër besimit popullor, praktika e dëbimit të demonëve nuk kufizohet vetëm në Katolicizmin roman apo Perëndim. Ajo kryhet kudo në botë, nga të gjithë fetë e mëdha.
- Ekzorcizmi është shumë i zakonshëm edhe në Judaizëm. Jozefi, një studiues romako-hebre i shekullit të parë, raportonte për ekzorcizma duke përdorur ekstrakte të rrënjëve helmuese. Në kohët më të fundit, Rabini Jehuda Fetaja ishte autor i librit Minchat Yahuda, që merret gjerësisht me ekzorcizmin, përvojën e tij me njerëz të pushtuar, si dhe tema të tjera të mendimit hebre.
- Në Islam, ekzorcizmi quhet rukia. Ai përdoret për të ndrequr dëmin e shkaktuar prej sikhr, ose magjia e zezë. Ekzorcizmat janë sot pjesë e një trupe më të gjerë mjekësish alternative islamike bashkëkohore, të quajtura al Tib al Nabavi (Mjekësia e Profetit).
- Besimet dhe praktikat që i përkasin ekzorcizmit janë të lidhura edhe me Hindutë. Nga të katër Vedat (librat e shenjtë të Hinduve), Atharva Veda besohet se përmban sekretet që lidhen me ekzorcizmin, magjinë, dhe alkiminë.
- Sipas Kishës Katolike, pasi ekzorcizmi është përfunduar, personi i pushtuar ndien “një lloj lehtësimi dhe ndjehet i rilindur e i çliruar prej mëkatit”. Fatkeqësisht për pacientin, jo të gjithë ekzorcizmat janë të suksesshëm herën e parë, dhe mund të duhen ditë, javë apo edhe muaj, lutje konstante dhe ekzorcizma.
- Sipas Ligjit Kanonik të Kishës, ekzorcizmat solemnë mund të ushtrohen vetëm prej një prifti të ngarkuar me lejen e shprehur të peshkopit vendas, dhe vetëm pas një ekzaminimi të kujdesshëm mjekësor, për të përjashtuar mundësinë e sëmundjes mendore.
- Në vitin 2005, një murgeshë e re në Rumani vdiq në duart e një prifti gjatë një ekzorcizmi, pasi ishte lidhur në kryq, i ishte mbyllur goja dhe ishte lënë aty për ditë të tëra pa ujë, në një përpjekje për të dëbuar demonët.
- Pushtimi prej demonit nuk është një diagnozë e vlefshme psikiatrike apo mjekësore.
- Mendimi zyrtar i Psikiatrisë për “pushtimin nga demoni” është se simptomat që i atribuohen të pushtuarit (pacientit) shoqërohen me sëmundje fizike apo mendore, si histeria, mania, psikoza, sindroma e Turete, epilepsia, skizofrenia, apo edhe format e rralla të autizmit.
- Ajo që shumica e qarqeve fetare e injorojnë, është se ekziston një formë manie e quajtur demonomania, ose demonopatia, ku pacienti beson se ai apo ajo është i pushtuar nga një apo më shumë demonë. Iluzioni që ekzorcizmi funksionon mbi njerëzit që përjetojnë simptomat e pushtimit i atribuohet prej disave, efektit placebo, dhe fuqisë së sugjestionit. Disa raste tregojnë se persona që supozohet se janë të pushtuar, në fakt janë narcizistë apo vuajnë prej vetëvlerësimit të ulët, dhe bëjnë si të pushtuar prej demonëve për të tërhequr vëmendje.
- Në vitin 1975, 31-vjecari Michael Taylor iu nënshtrua ekzorcizmit në Kishën e Shën Tomasit, në Barsnley të Anglisë, por shkoi në shtëpi “i pushtuar nga djalli”, dhe vrau brutalisht të shoqen. U shpall fajtor, por me sëmundje mendore.
- Ditën e Krishtlindjeve 2010, në Londër një 14 vjecar u rrah dhe mbyt prej të afërmve që përpiqeshin të dëbonin shpirtërat e këqinj prej tij.
- Ndikimi i madh kulturor i Ekzorcizmit vjen prej filmit “Ekzorcisti”. Në javët pas daljes së filmit në vitin 1974, një qendër katolike në Boston mori kërkesa të përditshme për ekzorcizma. Skenari u shkruajt nga Uilliam Peter Blatty, që u përshtat prej romanit bestseller të vitit 1971, me të njëjtin emër.
- Thuhet se edhe Nënë Tereza iu nënshtrua ekzorcizmit në fundin e jetës së saj, nën drejtimin e Kryepeshkopit të Kalkutës, Henri D’Souza, pasi ai vuri re se ajo ishte tejet e acaruar në gjumë, dhe kishte frikë se “mos ishte e sulmuar prej djallit”./bota.al