Mistere

El Dorado, e vërteta pas mitit

Screen Shot 2016-06-24 at 06.44.03

Dr. Jago Kuper

Ëndrra e El Dorados, një qytet i humbur i mbushur me flori, i shtyu shumë konkuistadorë në një udhëtim të pafrytshëm nëpër pyjet e shiut dhe malet e Amerikës së Jugut. Por ishte më shumë një ëndërr. “I florinjti” nuk ishte në fakt një vend, por një person, bën të ditur një kërkim arkeologjik i kohëve të fundit.

Mbërritja e Kolombit në Amerikë më 1492, ishte kapitulli i parë në një botë që ndryshoi dhe përplasjes së kulturave. Ishte një konfrontim brutal i mënyrave krejtësisht të kundërta të jetesës dhe sistemeve të besimit.

Miti europian që u krijua për El Doradon, një qytet i humbur i tëri prej floriri, solli dëshirën aventureske për zbulimin dhe pushtimin. Miti i dërgoi europianët në një kërkim të pafund për flori dhe në prirjen e tyre të egër për të shfrytëzuar tokat e reja për vlerën e tyre monetare.

Ndërkohë, miti amerikanojugor i El Dorados, nga ana tjetër, zbulon natyrën e vërtetë të territorit dhe njerëzve që jetuan atje. Për ta, El Dorado nuk ishte kurrë një vend, por një udhëheqës aq i pasur sa thuhet se e mbuloi veten me ar nga koka te këmbët çdo mëngjes dhe e lau arin në një liqen të shenjtë çdo mbrëmje.

Historia e vërtetë pas mitit po bashkohet dalëngadalë në copa të vogla përgjatë shumë viteve, duke përdorur një kombinim të teksteve të hershme historike dhe kërkimeve të reja arkeologjike.

Në zemër të mitit është historia e vërtetë e një riti mortor që kryhej nga populli Muiska, të cilët kanë jetuar në Kolumbinë qendrore nga viti 800 pas Krishtit deri në ditët tona.

Kronikanë të ndryshëm spanjollë që arritën në këtë kontinent alien në fillim të shekullit të gjashtëmbëdhjetë filluan të shkruajnë mbi këtë ceremoni Eldoradoje, dhe një nga raportimet më të mira vjen nga Juan Rodriguez Freyle.

Në librin e Freyle, “Pushtimi dhe zbulimi i mbretërisë së re të Granadës”, publikuar më 1636, ai na tregon se kur një udhëheqës vdiste në shoqërinë Muiska, fillonte procesi i trashëgimisë për të përzgjedhurin, “të florinjtin”. Udhëheqësi i ri i përzgjedhur i komunitetit, zakonisht nipi i kryetarit të mëparshëm, duhej të kalonte përmes një procesi të gjatë ceremonial që kulmonte në aktet finale me zhytjen e tij në liqenin e shenjtë, një liqen i tillë si Guatavita në Kolumbinë Qendrore.

Rrethuar nga katër priftërinj të lartë të zbukuruar me pupla, kurora ari dhe zbukurime të tjera trupore, udhëheqësi, i zhveshur, por i mbuluar me pluhur floriri, hidhej mbi një trap në liqen që t’i bënte një dhuratë me objekte ari, smeralde dhe gurë të tjerë të çmuar zotave, duke i hedhur ato në liqen.

Brigjet e liqenit rrethor qenë mbushur me spektatorë të zbukuruar në mënyrë të pasur me vegla muzikore dhe duke mbajtur gjallë zjarre aq të mëdha sa drita e diellit mbi liqenin e bukur pothuajse nuk mbërrinte.

Vetë trapi kishte katër zjarre që digjeshin duke nxjerrë shtëllunga të mëdha tymi aromatik në qiell. Kur mbërrinin në qendër të liqenit prifti ngrinte një flamur për të shkaktuar heshtjen e turmës. Ky moment shënonte pikën në të cilën turma premtonte besnikëri ndaj udhëheqësit të tyre të ri duke bërtitur nga brigjet e liqenit.

Magjepsëse, shumë aspekte të këtij interpretimi të ngjarjeve janë vërtetuar nga kërkime të lodhshme arkeologjike – kërkime që kanë zbuluar gjithashtu aftësi të jashtëzakonshme dhe përmasa të mëdha në prodhimin e arit në Kolumbi në kohën e mbërritjes së europianëve në vitin 1537.

Në shoqërinë Muiska, floriri, ose më saktë, një përzierje floriri me argjendin dhe bakrin e quajtur tumbaga, ishte shumë e vlerësuar, jo për vlerën materiale, por për fuqinë e saj shpirtërore, në lidhje me zotat dhe me aftësinë për të sjellë balancë dhe harmoni brenda shoqërisë. Siç shpjegon një pasardhës i Muiskave Enrique Gonzalez, floriri nuk simbolizon mirëqenie për njerëzit e këtij populli.

“Për Muiskët sot, njësoj si për paraardhësit tanë, floriri nuk është asgjë më shumë sesa një dhuratë… floriri nuk nënkupton pasuri për ne.”

Kërkime të kohëve të fundit nga Maria Alicia Uribe Villegas nga Muzeu i Floririt në Bogota dhe Marcos Martinon-Torres nga Instituti i Arkeologjisë UCL, kanë treguar se brenda shoqërisë Muiska këto objekte “ari” bëheshin specifikisht për përdorim të menjëhershëm si dhurata për zotat për t’i nxitur ato të balancojnë ekuilibrin e kozmosit dhe për të siguruar një marrëdhënie të qëndrueshme me mjedisin e tyre.

Sipas arkeologut Roberto Lleras Perez, një ekspert në veprat e arta dhe sistemeve të besimit të Muiskëve, krijimi dhe përdorimi i objekteve metalike mes tyre është shumë i veçantë në Amerikën e Jugut.

“Për aq sa di unë, asnjë shoqëri tjetër nuk i kushtonte mbi 50 për qind të prodhimit të vet dhuratave për zotat. Mendoj se kjo është me të vërtetë unike”, thotë ai.

Objektet e arit si koleksioni i ‘tunjos’ (dhurata për zonat, më së shumti të sheshta me figurina antropomorfe), të cilat prezantohen në mënyrë dixhitale në Muzeun e Britanisë, bëheshin duke përdorur procesin e dyllit të humbur – duke krijuar forma argjile mbi modele dylli para se të shkrinin dyllin dhe të bënin derdhjen në flori.

Për shkak se të gjitha objektet e arit në secilën prej dhuratave kanë të njëjtën firmë kimike, si dhe tipare unike të prodhimit, është e qartë se këto objekte bëheshin posaçërisht për këtë ceremoni dhurate dhe qëndronin si objekte ekzistuese për popullatën për pak orë apo ditë para se të humbeshin në fund të liqenit.

Në mënyrë pothuajse të pabesueshme, një skenë që paraqiste pikërisht atë që përshkonte me fjalë Juan Rodriguez Freyle, u zbulua nga tri fshatarë në një shpellë në jug të Bogotas më 1969-n. Skena e pikturuar paraqet një njeri të mbuluar me ar që po hyn në një liqen të shenjtë, si liqeni Guatavita. Ajo përbën historinë e vërtetë të El Dorados.

Mënyra se si kjo histori u rrit në një mit për një qytet legjendar floriri zbulon në fakt këndvështrimet e ndryshme nga banorët vendas te konkuistadorët europianë, të cilët e shihnin floririn thjesht si një burim pasurie materiale. Ata nuk qenë në gjendje të kuptonin vlerën e vërtetë të floririt brenda shoqërisë Muiske. Mendjet europiane thjesht tronditeshin nga fakti sesa shumë flori hidhej poshtë në ujëra të thella të liqeneve apo groposej nëpër vende të tjera të shenjta nëpër Kolumbi.

Më 1537-n qenë pikërisht tregimet mbi El Doradon ato që tërhoqën konkuistadorin spanjoll Jimenez de Quesada dhe ushtrinë e tij prej 800 vetash nga misioni i tyre për të gjetur një rrugë tokësore për në Peru në drejtim të atdheut të Muiskëve në Ande. Ky ishte kontakti i parë i këtij populli me europianët.

Quesada dhe burrat e tij u tërhoqën gjithnjë e më thellë në territore të huaja dhe jo mikpritëse, ku shumë prej tyre humbën jetën. Por ajo çfarë zbuluan Quesada dhe burrat e tij i tronditi ata. Veprat e arit të popullit Muisk ishin si asgjë tjetër që ata kishin parë ndonjëherë. Ata qenë në gjendje të prodhonin objekte ari duke përdorur teknika që europianët nuk i kishin parë kurrë me sy.

Në mënyrë tragjike, gjuetia e dëshpëruar për flori është ende shumë e gjallë edhe sot. Arkeologët, të cilët po punojnë nëpër institucione kërkimore fantastike si Museo del Oro në Bogota, po luftojnë kundër një dallge në rritje vjedhjesh. Njësoj si konkuistadorët europianë të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, edhe homologët e tyre modernë vijojnë të shkatërrojnë të shkuarën e Amerikës së Jugut.

Sasia e arit që u zbulua nga grabitësit modernë mbetet marramendëse. Në vitet 1979, kur vende të reja ritualesh u zbuluan nga grabitësit në Kolumbinë e veriut, tregu botëror i floririt pësoi rrëzim.

Kjo vjedhje e floririt e frymëzuar nga El Dorado nënkupton se një shumicë dërrmuese e objekteve të arit të epokës para Kolombit janë shkrirë dhe vlera e vërtetë e këtyre arkifakteve si elemente informuese mbi funksionimin e kësaj kulture të lashtë janë zhdukur përgjithmonë.

Për fat të mirë, koleksionet e mbijetuara të objekteve mbahen me kujdes në Muzeun e Arit në Bogota dhe në Muzeun Britanik në Londër dhe mund të ofrojnë një informacion të vlefshëm mbi këndvështrimet e ndryshme të vlerës materiale dhe perceptimit njerëzor dhe më e rëndësishmja, na tregojnë ne historinë e vërtetë pas mitit të El Dorados.

Ceremonia

Trashëgimtari nxirrej lakuriq dhe mbulohej me baltë e me flori pluhur.

“Pushtimi dhe zbulimi i mbretërisë së re të Granadës”, Juan Rodriguez Freyle

Kërkimi i ëndrrës për tokën e floririt

Rreth viteve 800 pas Krishtit, kultura Muiska fillon të lulëzojë në atë që sot është Kolumbia qendrore, një nga shumë kulturat që zhvilloi një traditë të jashtëzakonshme në përpunimin e floririt në Amerikën e Jugut.

Më 1532, Francisco Pizarro mbërrin në Peru për të filluar të parën nga tri përpjekjet për të pushtuar Inkasit dhe kolonizuar Amerikën e Jugut duke kapur gjatë rrugës sasi të mëdha floriri.

Më 1537, Jimenez de Quesada eksploron territorin e Muiskëve për herë të parë.

Më 1541, Francisco de Orellana bëhet europiani i parë që udhëton përgjatë lumit Amazon dhe thuhet se ishte nxitur për këtë udhëtim nga kërkimi për El Doradon.

Më 1594, Sër Walter Raleigh bën të parën nga dy ekspedita në kërkim të El Dorados, në të dytën shoqërohet nga djali i tij Watt, i cili mbeti i vrarë gjatë aventurës në vitin 1717.

Më 1772, shkencëtari Alexander von Humboldt dhe botanisti Aimé Bonpland, udhëtojnë në Amerikën e Jugut me synimin për të provuar apo përgënjeshtruar legjendën e El Dorados. Ata kthehen në Europë dhe deklarojnë në mënyrë të përsëritur se, sipas bindjes së tyre, El Dorado nuk ka qenë asgjë tjetër veç një ëndërr për konkuistadorët e hershëm.

Leave a Reply

Back to top button