Magazine

Eliksiri i jetës? Hani më pak dhe mos darkoni vonë

Të jetosh më gjatë, dhe mbi të gjitha me një shëndet të mirë, është dëshira e të gjithëve.

Ndaj për dekada të tëra, shumë shkencëtarë i janë përkushtuar kërkimit të eliksirit të jetës, pra sekretit të jetëgjatësisë, duke e kërkuar atë në zinxhirët e ADN-së dhe tek ushqimi.

Ishte Hipokrati ai që i ftoi dikur njerëzit t’i përdornin ushqimet që hanin si ilaçet e tyre.

Tani ekspertët e Shoqatës Italiane të Mjekësisë së Sëmundjeve të Brendshme, japin këtë këshillë në dritën e provave më të fundit shkencore, dhe pas një rishikimi të gjerë të literaturës mbi këtë fushë:hani pak dhe në intervale të kufizuara, dhe asnjëherë vonë gjatë natës.

Hani më pak (por në mënyrë të kontrolluar)

Hani më pak, por pa e privuar veten nga lëndët ushqyese thelbësore. Mekanizmat mbrojtës të identifikuar deri më tani, lidhen me kufizimin e kalorive. Për të pasur efekte të dobishme (me një lloj “pastrimi të brendshëm”, që përveç heqjes së përbërësve të dëmtuar dhe potencialisht të rrezikshëm, stimulon edhe rigjenerimin e qelizave), mjafton të reduktoni kaloritë në dietën tuaj. Pra të hash më pak, por gjithmonë në mënyrë të kontrolluar , shkakton një rivendosje të metabolizmit tonë në një nivel më të ulët dhe që favorizon një konsum më të pakët.

Kufizimi i kalorive dhe efekti kundër plakjes

Po si arrihet në praktikë kufizimi i kalorive dhe efekti kundër plakjes? Profesor Xhorxho Sesti, president i Shoqatës Italiane të Mjekësisë së Sëmundjeve Brendshme shpjegon: “Nga pikëpamja praktike, kufizimi i kalorive mund të zbatohet sipas qasjeve të ndryshme, për t’iu përshtatur nevojave të individit dhe mundësive të tij.

Por duhet thënë se këto janë përfundime teorike mbi atë që është vërejtur në modelet qelizore dhe shtazore, si dhe mbi shënuesit zëvendësues të jetëgjatësisë së shëndetshme. Për momentin, asnjë nga këto qasje nuk ka prova shkencore që dokumentojnë përfundimisht efektivitetin e tyre në zgjatjen e jetës së shëndetshme, sepse rezultatet e studimeve të vazhdueshme do të vërehen vetëm pas disa dekadash”.

Disa prova paraprake që kjo gjë ndodh edhe tek njerëzit vijnë nga studimi CALERIE i botuar së fundmi në “Nature Aging”: një kufizim 25 për qind i kalorive, ngadalëson proceset e metilimit të ADN-së (të lidhura me shumë procese plakje) pas vetëm 2 vjetësh.

Kujdes nga ushqimet “shumë të përpunuara”

Por ruajtja e kufizimeve strikte të kalorive për periudha të gjata kohore është diçka e vështirë, ndaj shkencëtarët po kërkojnë për mënyra që janë më pak penalizuese. Një nga këto është kufizimi selektiv i ushqimeve shumë të përpunuara.

Dëshmi të shumta epidemiologjike sugjerojnë se një dietë e pasur me ushqime “shumë të përpunuara” (miell i bardhë, sheqer, etj.) shoqërohet me një rrezik në rritje të zhvillimit të sëmundjeve kronike degjenerative dhe rënie të hershme të aftësive njohëse.

Agjërimi me ndërprerje

Një tjetër rrugë e mundshme është agjërimi me ndërprerje, që është aktualisht shumë popullor si një mjet për rënien në peshë. Nga pikëpamja e kufizimit të kalorive kundër plakjes, një qasje efektive mund të jetë alternimi i ditëve me një agjërim gati të plotë, me ditët në të cilat hamë ushqim në sasi normale.

Ngrënia në orët e vona të mbrëmjes, favorizon patologjitë degjenerative

Meqë  nxitësi kryesor i aktivitetit qelizor është drita, kjo qasje sugjeron kufizimin e periudhës kohore në të cilën mund të hahet brenda më pak se 12 orësh, ose më mirë brenda 8-10 orësh, duke e sinkronizuar atë me rrezet e diellit. Kjo praktikë duhet të ndiqet për të paktën 5 ditë në javë. Dihet se ngrënia vonë në mbrëmje, lidhet me një rrezik më të madh të sëmundjeve kronike-degjenerative, ndërsa ngrënia “me dritë natyrale” duket se redukton gjendjen inflamatore dhe mund të lehtësojë rënien në peshë. / Corriere Della Sera – Bota.al

Back to top button