MAINPersonazhe

Elisabeta II, 94 vjeçare dhe sërish në provë

Ikja e Harryt, hetimet mbi Andrean dhe prapaskenat e The Crown

Annus Horribilis kishte qenë 1992, sipas vetë Mbretëreshës. Të gjorës Elisabetë i kishin rënë mbi krye të gjitha, që nga shpërthimi i martesës midis Charles dhe Diana, tek divorci i vajzës së saj Anna e deri te ndarja e djalit, Andrea: dhe viti kishte mbaruar me zjarrin e kalasë së dashur të  Windsor-wve. Por 2020 nuk ka qenë më pak, në krahasim me ata dymbëdhjetë muaj të pafat.

Filloi menjëherë në janar me fishekzjarrët: por ato nuk ishin të Vitit të Ri, por të Megxit. Harry dhe Meghan realizuan planin e tyre djallëzor për të ikur në Kaliforni, duke lënë në baltë familjen mbretërore: dhe ishte Elizabeta në radhë të parë që u shastis. Mbretëresha, sipas thashethemeve të pallatit, ishte veçanërisht e hidhëruar nga vendimi i nipit, për të hequr dorë nga detyrat e tij e për të kërkuar fatin jashtë vendit: por në veçanti mënyra në të cilën çifti mashtrues e trajtoi çështjen,  ku mbretërorët u gjendën para faktit të kryer, e trishtoi Elizabetën, e cila ishte gjithashtu shumë afër nipit të saj.

Por sikleti më i madh nuk kishte ardhur ende. E shkaktoi Andrea, i cili është edhe djali i preferuar i Mbretëreshës. Arrestimi i Ghislaine Maxwell e ktheu çështjen e manjatit pedofil Epstein në titujt kryesorë. Dhe princi ishte mik i tij: aq sa gjykata amerikane kërkoi të dëgjonte Andrean, si një person i informuar për faktet. Të paturit e një anëtari të familjes mbretërore të përfshirë në një çështje kaq skandaloze, duhet të ketë qenë jashtëzakonisht e dhimbshme për Elizabetën: aq sa u bënë të gjitha përpjekjet që Andrea të mbahej larg vëmendjes, deri në pikën e fshehjes së tij nga fotot zyrtare të dasmës të vajzës.

Fronti i ri

Megjithatë, ardhja e pandemisë i dha sovranes shansin që të konfirmonte rolin e saj si pikëmbështetje për kombin. 

Në orën më të errët, në Prill, ajo mbajti një fjalim të jashtëzakonshëm televiziv: diçka që e kishte bërë më parë vetëm në momente vendimtare, siç ishte vdekja e Dianës ose shpërthimi i Luftës së parë të Gjirit. Dhe fjalët e Elizabetës bënë më kompakte, si dhe ngushëlluan Britaninë e Madhe me një mesazh shprese: do të takohemi përsëri, do të përqafohemi përsëri, siguroi ajo, duke cituar fjalët e një kënge të famshme nga kohërat e luftës.

Çështje të dukshmërisë

Por përhapja e koronavirusit ka detyruar rishikimin e të gjithë koreografisë mbretërore: sepse Elisabeta, veçanërisht e rrezikuar në moshën 94 vjeç, ishte e mbyllur për disa muaj në Kalanë Windsor, e ndihmuar vetëm nga një oborr i vogël besnikësh. Pallati Buckingham mbeti bosh siç nuk kishte ndodhur kurrë më parë, por mbi të gjitha padukshmëria e Mbretëreshës përfaqësonte një largim nga tradita: monarkia, siç është përsëritur shumë herë, duhet të shihet, që të besohet.

Një dukshmëri që u sigurua nga sezoni i katërt i The Crown: në të cilin Elizabeta nuk bën aspak përshtypje të mirë, duke u shfaqur shumë e ftohtë dhe e shkëputur (përveç se në grindjet me Margaret Thatcherin). 

Por është një lloj publiciteti që nuk ka sjellë dëm: megjithëse mbretëria portretizohet si një familje jofunksionale dhe mizore, lidhja e anglezëve me monarkinë është forcuar, në vend që të zvogëlohet.

2020 përfundoi me një kulm: Elisabeta do të jetë ndër të parat që do të marrë vaksinën kundër Covid (jo për privilegj dinamik, por prej pleqërisë). Dhe përsëri shembulli i saj do të shërbejë për të inkurajuar një komb të trembur. / bota.al

Back to top button