Bota

Elitat europiane përgatiten për vetëvrasjen

screen-shot-2016-12-03-at-07-57-55

Paul Mason

“Lajme të mira për Europën”, është fjalia e parë e një komenti të nëj analize ekonomike. Nëse ju them që e ka shkruar një bankë investimesh e cila ka mbështetur rreptësinë fiskale në eurozonë, mund ta imagjinoni se çfarë lloj lajmi i mirë është.

Pikërisht kështu, François Fillon (Thatcheri francez) është i gatshëm për një balotazh të mundshëm me Marine Le Pen (Musolini francez) në zgjedhjet presidenciale të vitit tjetër. Berenberg, banka private që ka përhapur këtë koment, nuk ka humbur kohë për të festuar suksesin e Fillon në zgjedhjet primare të së djathtës franceze. “Me pakëz fat”, ka siguruar krye-ekonomisti i institutit, Holger Schmieding, “2017 mund të sjellë më shumë shanse se sa risqe”. Shansi do të ishte një qeveri Fillon, pa një opozitë të besueshme socialiste, në gjendje të vërë në zbatim masa “në favor të rritjes”, duke atakuar pagat, orarët e punës dhe shtetin social, dhe duke pasuruar ata që zotërojnë dyzetë miliardë euro në këtë bankë private. Kjo gjë tregon shumë për gabimet e mëdhenj në llogaritje që bëjnë elitat politike europiane.

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, i ka deklaruar një të përditshmeje austriake se nuk do të ketë hapa prapa në projektin federativ të Europës, dhe se asnjë vend nuk mund të sprapset nga ekonomia e stanjacionit e administruar prej Brukselit. Të shohim nëse strategjia “largohu ose dyfisho bastin” e centristëve europianë do të japë frute, ose jo. Në Austri, ku populisti i ekstremit të djathtë Norbert Hofer dhe kandidati i të gjelbërve janë shumë pranë njëri-tjetrit në zgjedhjet presidenciale të 4 dhjetorit, e majta dhe qendra po kërkojnë që të mobilizojnë zgjedhësit e klasës punëtore, besnikë ndaj partisë së tyre. Por mund të mos ia dalin dot. Në Itali, po atë ditë, qeveria e qendrës së majtë duket e destinuar që të humbasë një referendum të konceptuar për të fuqizuar kompetencat e ekzekutivit kundrejt parlamentit. Nëse Kryeministri Matteo Renzi do të dorëhiqet, me tregun që shembet dhe Europën që imponon një plan shpëtimi për bankat, do të kemi në fundin e këtij viti një krizë, si të bankave italiane, ashtu edhe të krejt eurozonës.

Për të kompletuar panoramën, sipas burimeve nga qeveria greke, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vendosur që të bëjë presion, me qëllim që Greqia të shkurtojë më tej shpenzimet e veta publike, nëse nuk dëshiron të rrezikojë një tjetër kolaps të sistemit bankar. E pavëmendshme ndaj sulmeve neonaziste në kampet për imigrantët në ishujt grekë, FMN (ashtu si dhe Komisioni dhe Banka Qendrore Europiane) arrin të shohë nga Uashingtoni, vetëm rregullat e shkruara dhe dokumentat e llogarive.

Për të qenë të qartë, duket se elita centriste europiane ka një makinë të vdekjes. Dhe nëse njihet kultura europiane, një eventualitet i tillë nuk duket dhe aq i largët. Në romanin e tij të vitit 1912, “Vdekja në Venecia”, Thomas Mann përshkruan dëshirën e vdekjes të kulturës kozmopolite europiane, përmes fiksimit dashuror të një të moshuari të sëmurë. Protagonisti, Aschenbach, banon në një hotel të madh në një Venecia të goditur prej murtajës. Duke shkruajtur dy vite përpara vdekjes së kozmopolizmit europian, Mann i njihte mirë tashmë arsyet përse multikulturalizmi do të mund të zhdukej. Në roman, autoritetet e qytetit mohojnë ekzistencën e murtajës, dhe kështu krijojnë kushtet për përhapjen e saj. I lexuar shpesh thjeshtë si një parabolë mbi dashurinë dhe vdekjen, romani në të vërtetë flet në mënyrë eksplicite për tendencat vetëshkatërruese të atij që Mann e quan “shpirti europian”. Sot, multikulturalizmi ynë nuk është i brishtë si në belle époque. Liritë e Schengenit janë, të paktën për qytetarët e bardhë, realë. Programi i shkëmbimit Erasmus ka pasuruar jetën e tre milionë studentëve europianë.

Por edhe kjo kulturë e globalizimit nga poshtë mund të shkatërrohet, sepse mund të ekzistojë vetëm në një mjedis të izoluar nga politika zyrtare. Nacionalizmi ka nisur të trokasë në derë. Dhe në fillim ka prodhuar paralizë dhe frikë. Kur pyeta të rinjtë që takova në festivalin ndërkombëtar të Ferrarës, në shtator, se si do i përgjigjeshin valës së re të ksenofobisë, më folën për Klandestinin e mirë, një lëvizje e rikthimit tek toka, që promovon shkëputjen nga ekonomia zyrtare, si një strategji mbijetese kundër masave të shtrëngimit. Nuk jemi më përballë një elite transnacionale e të sigurtë në vetvete, si ajo e përshkruar nga Samuel Huntingtoni, i cili i quante qeveritë “mbetje të të kaluarës, dobia e vetme e të cilave është lehtësimi i operacioneve globale të elitave”. Sot, klasat drejtuese duhet të bëjnë llogaritë me një lëvizje ndërkombëtare të të djathtës ekstreme, kompaktësia e të cilës rritet me të njëjtin ritëm që bie ajo e globalistëve. Mund t’i japim fund gjithë kësaj. Por vetëm nëse heqim dorë nga kërkesat për rreptësi fiskale, privatizime, orare pune më të gjatë, paga më të ulëta, dhe shkatërrimin e të ardhmes s ëtë rinjve. Për këtë arsye qendra e djathtë franceze, në atë pak kohë që i mbetet, duhet të gjejë diçka më të mirë se sa Fillon.

Paul Mason është gazetar britanik, ekspert i ekonomisë. Bashkëpunon me The Guardian dhe Channel 4. Libri i tij i fundit është “Postkapitalizmi: Një udhërrëfyes drejt të ardhmes sonë”

Në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button