Bota

Emigrimi drejt Evropës po e shpopullon, Ballkani vuan sot nga mungesa e fuqisë punëtore

Nga Nemanja Rujevic

Linkiesta

“Në Serbi jetojnë rreth 6.55 milionë njerëz”- deklaroi presidenti serb Aleksandar Vucic në fillim të nëntorit, duke lënë të kuptohet se ishte në dijeni të rezultateve paraprake të regjistrimit të fundit të popullsisë (i zhvilluar nga 1 tetori deri më 17 nëntor).

Nëse deklarata e tij rezulton e vërtetë, kjo do të thotë se Serbia ka përjetuar një rënie dramatike të popullsisë që nga regjistrimi i vitit 2011, kur në vend jetonin 7.18 milionë njerëz. Megjithatë, një rënie të cilën Vucic e përcaktoi si më pak serioze “se sa pritej”.

Edhe para se të fillonte regjistrimi i popullsisë, disa media komentuan se “Serbia po vdes.” Por do të ishte ndoshta më e drejtë të thuhej se “Serbia po vdes dhe po emigron”.

“Deri më sot faktori kryesor i rënies së popullsisë në Serbi, nuk ka qenë emigracioni, por një bilanc negativ natyror, Por tashmë dukuria e emigrimit po merr përmasa alarmante”- shpjegon Ivan Marinkovic, demograf në Institutin e Shkencave Sociale në Beograd.

Një tendencë e ngjashëm vihet re edhe në vendet fqinje, pra në të gjitha vendet ish-jugosllave, me përjashtim të Sllovenisë dhe Shqipërisë. Regjistrimi i fundit në Kroaci tregoi se popullsia rezidente në vend është zvogëluar me 400 mijë (10 për qind) në krahasim me regjistrimin e mëparshëm.

Situata duket edhe më alarmante në Bosnje Hercegovinë. Sipas të dhënave të publikuara nga Unioni për Kthim dhe Integrim të Qëndrueshëm, 485.000 njerëz u larguan nga vendi midis korrikut 2013 dhe dhjetorit 2021. Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, Bosnje Hercegovina renditet e dyta në mesin e vendeve me diasporën më të madhe në botë (34 për qind e qytetarëve banojnë jashtë vendit), e paraprirë vetëm nga Guajana, ndërsa në vendin e tretë është Shqipëria (30.7 për qind).

Nuk ka ende të dhëna për Kosovën, pasi lista përfshin vetëm shtetet anëtare të OKB-së. Por nuk mund të përjashtohet që diaspora kosovare të jetë edhe më e madhe se ajo boshnjake dhe ajo shqiptare. Përgjigja ndaj pyetjes mbi destinacionin kryesor të qytetarëve të Ballkanit që largohen nga vendet e tyre në kërkim të fatit është tashmë e njohur: shumica e njerëzve emigrojnë në Gjermani, fuqia e parë ekonomike në Evropë.

“Sigurisht që nuk është një dukuri e re. Migrimi ka ekzistuar gjithmonë në Evropë. Njerëzit shkojnë atje ku ka punë dhe siguri”- shpjegon për Deutsche Welle Boris Mijatović, deputet i Bundestagut, i zgjedhur nga radhët e të Gjelbërve. Të dhënat tregojnë se pavarësisht nga vazhdimësia e pandërprerë e krizave, që kulmuan me pandeminë dhe luftën në Ukrainë, Gjermania ka një nevojë të pashtershme për fuqi punëtore dhe vazhdon ta shohë Ballkanin Perëndimor si një nga burimet kryesore për punëtorët që i duhen.

Vetëm që nga fillimi i këtij viti, numri i vendeve të lira të punës në Gjermani është rritur me 853 mijë. Punonjësit e kujdesit personal (vendet e punës mbeten të lira për mesatarisht 239 ditë), hidraulikët dhe teknikët e sistemit të ngrohjes (234), punëtorët e ndërtimit (221) dhe infermieret (118) shquhen ndër profesionet më të vështira për të gjetur krahë pune.

“Dhe ky është vetëm fillimi”- shkruante këtë verë e përjavshmja gjermane “Der Spiegel”. Nga tani dhe deri në vitin 2035 – kur të dalin në pension gjenerata e fundit e Baby Boomers – Gjermanisë mund t’i mungojnë 7 milionë punëtorë. Sipas të përjavshmes gjermane, zgjidhja është tërheqja e 400 mijë punëtorëve në vit nga jashtë.

“Ndërkohë Gjermania ka një popullsi shumë të moshuar, prandaj po përpiqet të tërheqë shumë të rinj. Pra, po tenton që ta zgjidhë problemin duke u fokusuar jo aq tek politikat demografike, të cilat janë të kushtueshme dhe japin rrallëherë rezultatet e pritura, por tek emigrimi. Në këtë mënyrë stimulohet rritja ekonomike dhe në mënyrë implicite edhe shtimi i lindjeve”- shpjegon demografi Ivan Marinkovic.

Kur restorantet gjermanë u rikthyen në aktivitet të plotë këtë verë pas pandemisë, ato u përballën me një mungesë të theksuar të fuqisë punëtore. Shoqata Kombëtare e Tregtisë i ka kërkuar qeverisë të hapë menjëherë dritën jeshile për ardhjen e punëtorëve nga Ballkani Perëndimor.

Edhe sektori i aeroporteve, që u detyrua të kompensonte urgjentisht mungesën e punëtorëve për shkak të valës së pushimeve nga puna gjatë bllokimit, ka hedhur sytë nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia. Në fakt Ballkani Perëndimor është i vetmi rajon jashtë BE-së ndaj të cilit Gjermania e ka hapur tregun e saj të punës edhe për punëtorët e pakualifikuar.

Ky mekanizëm – që parashikon një kuotë vjetore maksimale prej 25.000 punëtorësh – u krijua pas krizës së emigracionit të vitit 2015 për të bindur qytetarët serbë, boshnjakë-hercegovianëdhe maqedonas të hiqnin dorë kërkimi i azilit në Gjermani.

“Njerëzit largohen nga vendet e tyre, pasi nuk shohin ndonjë perspektivë për veten dhe familjet e tyre. Vlerat e Bashkimit Evropian, si siguria dhe paqja, janë një faktor tërheqës për njerëzit nga Ballkani, Moldavia dhe Ukraina. Për këtë ne duhet të forcojmë këto vlera në të gjithë rajonin”- thekson shpjegon Mijatovic.

Sipas tij nuk po flitet mjaftueshëm për fenomenin e largimit të atyre që janë më të arsimuar. Duke reflektuar mbi dimensionin etik të procesit të rekrutimit të fuqisë punëtore, demografi Ivan Marinkovic thotë: “Në çdo rast, kapitalizmi e refuzon çdo formë të moralizmit. Gjermanët janë efektivë, kaq”.

Marinkovic thotë se për ta rikthyer në drejtimin e kundërt këtë tendencë demografike negative, nuk mjafton zbatimi i një politike të bazuar tek përfitimet për nënat dhe çiftet e reja, një rritje të subvencioneve për fëmijët etj. “Cilësia e jetës në tërësi është e një rëndësie vendimtare. Ne nuk duhet të jetojmë domosdoshmërisht si gjermanët. Por të paktën duhet të kemi kushte të mira jetese. Shumë njerëz thonë se janë të detyruar të kërkojnë një jetë më të mirë diku tjetër”- shton ai.

Sipas të dhënave të fundit në dispozicion, gati 1.5 milionë qytetarë të ish-Jugosllavisë kanë gjetur “një jetë më të mirë” në Gjermani. Prej tyre, 427.000 janë shtetas kroatë, të ndjekur nga serbët (243.000) dhe shqiptarët e Kosovës (243.000), Bosnje Hercegovinës (211.000) dhe Maqedonisë së Veriut (121.000). Ndërkohë aktualisht në Gjermani banojnë 74.000 shqiptarë nga Shqipëria.

Duke pasur parasysh edhe plakjen e popullsisë dhe shpopullimin e Ballkanit, situata sot është shumë e ndryshme nga viti 1968 kur Jugosllavia socialiste vendosi të lidhë një marrëveshje me Gjermaninë për të ashtuquajturin “gastarbeiter”. Një vendim që mund të përkufizohet si një përpjekje për të eksportuar papunësinë nga një vend shumë i populluar.

“Sot në Serbi ka mungesë të fuqisë punëtore, dhe është një dukuri që po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme, pasi gjenerata e “Baby Boomers” po del në pension. Kjo është arsyeja pse jemi dëshmitarë të një krize në sistemin e pensioneve, e konceptuar si program i solidaritetit ndër breza”- shpjegon Marinkovic.

Gjithsesi, s’duhet harruar se diaspora dërgon para në shtëpi, të cilat garantojnë mbijetesën e shumë familjeve dhe ndonjëherë kontribuojnë ndjeshëm në ekonominë e vendeve të origjinës. I pyetur nëse beson se vendet e Ballkanit, që po përballen me “murtajën e bardhë” (kolapsin demografik) dhe emigracionin masiv, mund të zhduken plotësisht, Marinkovicthotë: “Është e qartë se në një moment të caktuar, pragu përtej të cilit një ripërtëritje natyrore e popullsisë do të bëhet e pamundur pa emigracion masiv nga jashtë”.

Back to top button