Bota

En Marche! Liberali rebel që do të “luftojë” Le Penin

Nëse entuziasmi është udhërrëfyes për suksesin elektoral, shkruante Olivier Pirot në “La Nouvelle République”, Emmanuel Macron mund të jetë presidenti i ardhshëm i Francës. Vitin që kaloi, kur ministri shumë popullor i ekonomisë i presidentit Hollande bëri lëvizjen e parë drejt pushtetit duke krijuar një lëvizje të re centriste, “En Marche!” )Përpara), u parashikua gjerësisht se fluska e tij do të pëlciste. Por sondazhet tregojnë se ai është ngjitur me dy kandidatët kryesorë, republikanin e djathtë François Fillon dhe udhëheqësen e Frontit Nacional, Marine Le Pen. Në cilëndo epokë tjetër, një parti e re që përpiqet të arrijë në raundin e dytë do të ishte “mision i pamundur”. Por, ashtu sikurse parti të reja janë ngritur në Spanjë, Itali dhe gjetkë, mund të ndodhë edhe këtu.

Macron është befasues në një tjetër aspekt, shkruante Darko Janjevic në Deutsche ëelle (Berlin). Ai është i rrjedhshëm në gjuhën angleze. Shumica presidentëve francezë mezi kanë arritur të flasinm, me theks të rëndë, disa fraza. (“Jini krenarë për ju”, thoshte Hollande në një fjalim “sepse ju mund të jeni … bëni atë që ne duam të bëjmë.”) Konservatorët u skandalizuan kur Macron mbajti kohët e fundit një fjalim të gjatë në Universitetin Humboldt të Berlinit, të gjithin në anglisht. Ai e bëri këtë për shkak se i drejtohej një audience evropiane, shkruante Robert Zaretsky në “Chicago Tribune”. Në një gjuhë të kthjellët dhe bindëse, ai argumentoi për “më shumë Evropë, jo më pak”. Ai është një “liberal i palëkundur”, i cili dëshiron të heqë qafe shtetin “dirigjist” të de Gaulle; dhe ndryshe nga Le Pen dhe Fillon – të dy nuk lëshojnë pe për imigrantët – ai dëshiron të “nxisë dhembshurinë” për refugjatët, të cilët i sheh si një “mundësi ekonomike”. Është e lehtë që të shohësh tërheqjen e tij për njerëzit e shqetësuar edhe për perspektivën e tyre të punës, edhe për rritjen e nacionalizmit. Fjalimi i tij në Berlin bëri të qartë se ai është “shpresa e fundit e madhe franceze”, për një të ardhme evropiane të bazuar në vlerat themelore.

Pasi fillimisht e injoroi Macronin, tani Le Peni po e demonizon atë si një “kandidat të Brukselit dhe globalizmit”, shkruante Rémi Duchemin në Europe1.fr (Paris). Por ai po merr mbështetje nga ekonomistë të rëndësishëm dhe figura madhore, si ish kandidatja për presidente, Segolene Royal, të cilët e dinë se e majta është shumë jopopullore për të patur një shans. Ka madje zëra që kandidati socialist do të hiqet mënjanë, për t’i hapur rrugë atij. Megjithatë, refuzimi i Macron për t’u reshtuar qoftë me të djathtën, qoftë me të majtën, i lë votuesit konfuzë, shkruan Vassilis Joannides de Lautour në “Les Echos”. Dhe pa një parti të establishmentit, ai nuk mund të mbështetet tek deputetët dhe kryebashkiakët për të amplifikuar mesazhin e tij. Një tjetër rebel politik, Jean-Pierre Chevènement doli në zgjedhjet e 2002 si një “nacionalist i majtë” dhe “pëlciti”. Me shumë gjasë, ky do të jetë edhe fati i Macronit./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button