Historia e një çifti, ajo e krishterë, ai mysliman, që shpëtuan 750 refugjatë në Sinai, duke ua shkëputur beduinëve, skllavërisë dhe vdekjes
Në Gadishullin e Sinait, ushtria egjiptiane po lufton kundër grupeve terroriste të reshtuar me Kalifatin. Nga përtej kufirit, izraelitët, të shqetësuar, monitorojnë hapësirën e madhe jashtë kontrollit, ku rrezikohet të ndërfuten terroristët. Deri pak kohë më parë, në qetësinë në dukje të shkretëtirës biblike, ndodhi një “përplasje qytetërimesh”, mbi lëkurën e “të mallkuarve të shkretëtirës”: refugjatët e shumtë nga Eritrea, në Sinai. Kishin dy rrugë: lirinë, ose shfrytëzimin si skllevër, deri në vdekje. Pothuajse askush nuk e ka ndjekur këtë tragjedi njerëzore, e cila përfshiu, për dhjetë vite, afro 30 mijë vetë, në një tokë të banuar nga beduinët. Vetëm një grua, Alganesh Fessaha, me origjinë nga Eritrea (tashmë nënshtetase italiane), u vetëdijësua, lëshoi alarmin, dhe u vu në lëvizje për të ndihmuar.
Shumë të rinj eritreas, për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak, kanë paguar kalimin për në Sinai nga Sudani dhe Egjipti, me shpresën për të mbërritur në Izrael. Më fatlumët kanë përfunduar në burgjet egjiptianë, në kushte të tmerrshme. Të tjerët janë endur nëpër shkretëtirë. Alganesh, me celularin e saj, nisi t’u përgjigjet thirrjeve të të dëshpëruarve. Ka shkuar shumë herë në Sinai. Janë rrugë të rrezikshme për një grua të krishterë. Atje është takuar me një mysliman të ri në moshë, sheikun Avad Mohammed Ali Hassan, përgjegjës në një xhami. Flet për të me mirënjohje: “Më mbron sikur të isha motra e tij”.
U vendos mes tyre një bashkëpunim kurajoz për të liruar eritreasit e rrëmbyer nga bandat beduine, mafie të vërteta që kryejnë tregti qeniesh njerëzore dhe u kërkojnë shpërblim familjeve. Të paktën një në tre eritreas ka gjetur vdekjen në shkretëtirë. Gratë shpesh herë përdhunohen. Ka të dhëna për rrëmbim organesh. Një raport i OKB-së, në vitin 2012, flet për një trafik të organizuar qeniesh njerëzore nga Eritrea, drejt beduinëve të Sinait. Alganesh ka krijuar një OJF, Gandhi, që liron eritreasit e burgosur në Egjipt, ndonjëherë familje të tëra: afro 5000 në dhjetë vite.
Dëshmitarë tmerresh
Mohammedi dhe Alganesh kanë shpëtuar së bashku 7500 vetë, duke ua shkëputur beduinëve, skllavërisë dhe vdekjes. Të dy janë dëshmitarë tmerresh: varre masivë, trupa të dhunuar. Ndonjëherë, gjatë torturave, eritreasit janë detyruar t’u telefonojnë familjarëve në Europë, për t’iu lutur që të dërgojnë paratë e lirimit të tyre. Alganeshi dhe Mohammedi, e krishtera dhe myslimani, kanë bërë një zgjedhje të vërtetë qytetërimi: të shpëtojnë jetë njerëzish. I pyetur përse i ka ndihmuar kaq shumë refugjatët, duke i fshehur në xhami, apo në shtëpinë e tij, Mohammedi thotë: “Janë njerëz si unë, nuk mund t’i lë të vdesin kështu”. Eshtë një mysliman, pa ndonjë prirje të veçantë për dialogun ndërfetar. Por për të, ata të “mallkuarit e Sinait” janë qenie njerëzore. Kaq mjafton. Ndërsa për banditët beduinë, bëhet fjalë për jo-njerëz: për ta janë objekte që duhen tregtuar dhe që duhen dhunuar. Por sot, për Mohammedin, i cili është i izoluar në Sinai, ka një tjetër dramë: lufta dhe militantët e kalifatit./Sette – Bota.al