Shendeti

Epidemia e lindjeve të parakohshme: Nga se shkaktohen, dhe si mund të shmangen ato

Dita Botërore e Lindjeve të Parakohshme, u organizua për herë të parë më 17 nëntor 2011 në më shumë se 60 vende, dhe ka si synim kryesor ndërgjegjësimin mbi një problem alarmant, që shpesh nënvlerësohet, duke u dhënë zë familjeve të pacientëve të rinj që luftojnë për jetën e tyre.

Vetëm në Itali, lindin çdo vit më shumë se 30.000 foshnja të parakohshme (7 për qind e totalit). Mjerisht, pavarësisht përparimeve mjekësore, falë të cilave foshnjat e lindura para kohe, janë gjithnjë e më shumë në gjendje që të mbijetojnë, lindja e parakohshme mbetet ende vrasësi nr.1 i të porsalindurve.

Fëmijët që lindin në botë para javës së 37-të të shtatzënisë janë rreth 1 në 10, ose 15 milionë në vit. Mbi 1 milion prej tyre vdesin, shpesh që në orët e para të jetës, nga komplikimet që lidhen me lindjen para kohe, nga problemet e frymëmarrjes tek papjekuria e organeve.

Lindja e parakohshme prek familjet e pasura dhe të varfra, megjithëse në përqindje shumë të ndryshme dhe për shkaqe të ndryshme. Shkalla më e lartë e vdekshmërisë së lindjes së parakohshme (rreth 16 vdekje për 1000 lindje) është në vendet e Afrikës Perëndimore, konkretisht në Liberi dhe Sierra Leone.

Po cilat janë shfaqet? Shkencëtarët nuk kanë ende një përgjigje të saktë. Dihen faktorët e rrezikut, që në vendet në zhvillim dhe ato të zhvilluara, janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Në vendet e varfra, janë kryesisht infeksionet nga të cilat preket nëna gjatë shtatzënisë dhe kushtet e vështira të jetesës; tek vendet e pasurit, ndikon mosha gjithnjë e më e avancuar e nënës, përdorimi i teknikave të riprodhimit të asistuar, dhe faktorë të tillë si hipertensioni dhe obeziteti.

Ndoshta këtu luajnë një rol edhe faktorët gjenetikë. Sigurisht që infeksionet, madje edhe ato më të zakonshmet, duket se luajnë një rol në nxitjen e lindjes së parakohshme. Edhe stresi psikologjik i nënës, ndoshta në sinergji me faktorë të tjerë si inflamacioni, duket i aftë të nxisë lindjen e parakohshme.

Gjithsesi nuk dihet ende se cilat procese biologjike janë të përfshira në këtë dukuri. Aktualisht janë duke u zhvilluar shumë studime për të identifikuar treguesit biologjikë që me një test gjaku apo urine, mund të identifikojnë më me besueshmëri gratë më të rrezikuara.

Tridhjetë vjet më parë, shumica e foshnjave të lindura në javën e 28-të të shtatzënisë, pra 12 javë përpara kohe, nuk mbijetonin përtej vitit të parë. Sot, 90 për qind ia dalin, edhe nëse kjo përqindje vlen vetëm për vendet e zhvilluara. Situata është ndryshe në vendet e varfra, por gjithsesi ka disa “teknologji”, që duket se funksionojnë kudo.

Për shembull, e ashtuquajtura teknika e “nënës-kangur”, në të cilën foshnja mbahet në kontakt të ngushtë me lëkurën me nënën, kontribuon shumë mbijetesën e foshnjave të lindura para kohe, ashtu si edhe ushqyerja me gji, apo edhe disponueshmërinë e pajisjeve të thjeshta të ventilimit mekanik.

Back to top button