BotaMAIN

Epoka e Ankthit, dhe mënyra se si duhet të përballemi me sfidat e mëdha që kemi përpara  

Nga Elif Shafak

E jona është Epoka e Ankthit. Është një epokë zemërimi, shqetësimi, frike, konfuzioni, ndarjeje, polarizimi, dhe e një mosbesimi dhe përbuzjeje në rritje ndaj institucioneve. Dhe falë përhapjes së teknologjive dixhitale, ne jemi njëherazi spektatorë dhe gladiatorë.

Ne mund t’i ndërrojmë rolet sa hap e mbyll sytë, duke u zhvendosur sa para-mbrapa midis sediljeve të audiencës dhe arenës së shkretuar dhe plot pluhur. Platformat e mediave sociale janë shndërruar në Koloseumin e shekullit XXI. Në këto arena dixhitale – të vogla dhe të mëdha, lokale dhe ndërkombëtare – zhvillohet thuajse çdo ditë një luftë e re.

Dhe ndonëse protagonistët priren shpesh të ndryshojnë, gjuha e urrejtjes dhe mosbesimit mbetet e qëndrueshme. Por ndërsa romakët e lashtë argëtoheshin me spektaklet e tyre brutale dhe të përgjakshme, ne njerëzit modernët jemi më të zemëruar me udhëheqësit tanë.

Etimologjia e kësaj fjale është shumë rëndësishme. Zemërimi vjen nga fjala e vjetër norvegjeze “angri”, që nënkupton shqetësim, mundim, pikëllim, agoni, lëndim. Zemërimi lidhet drejtpërdrejt me dhimbjen e një lloji, të cilin shumë nga ne, në Lindje dhe Perëndim, e ndiejnë tani, edhe pse mund të mos e shprehim me këto terma.

Jo shumë kohë më parë, bota ndihej sikur ishte një vend tjetër. Në fundin e viteve 1990 dhe fillimin e viteve 2000, optimizmi ishte shumë i madh. Por ishte një optimizëm që shkonte në mënyrë të rrezikshme drejt vetëkënaqësisë.

Shumë analistë thoshin se historia, mund të lëvizte vetëm në një drejtim: linear, përpara. Harku i saj do të përkulej në mënyrë të pashmangshme drejt drejtësisë. Në atë kohë, ne përdornim lirshëm shprehje të tilla si “të jesh në anën e duhur të historisë”.

Supozimi themelor ishte se e nesërmja do të ishte më demokratike, më gjithëpërfshirëse, më e barabatë dhe e ndërlidhur se sa e djeshme. Optimistët më të mëdhenj të atyre kohëve ishin tekno-vizionarët. Lulëzimi i tyre nuk njihte kufij.

Sa herë që largoheshin nga Silicon Valley dhe merrnin pjesë në konferenca ndërkombëtare apo aktivitete kulturore e letrare, na siguronin plot besim se informacioni ishte bërë “ari” i të sotmes dhe të nesërmes. Se ai ishte gjithçka që na duhej për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

Me më shumë informacion në dispozicion, njerëzit do të bënin me siguri zgjedhjet e duhura politike. Përhapja e shpejtë e informacionit, do të rrëzonte diktaturat dhe do të sillte ndryshimet e nevojshme shoqërore. Rritja e madhe e platformave dixhitale do t’i çonte idealet demokratike në skajet më të largëta të botës.

Edhe ato vende që kishin mbetur pas në procesin e demokratizimit, do të detyroheshin herët a vonë t’i bashkoheshin “botës së qytetëruar”. Në fillim të Pranverës Arabe, kjo gjendje shpirtërore ishte aq e përhapur, sa që shumë njerëz e morën si të mirëqenë se Facebook kishte një ndikim pozitiv në botë.

Ekspertët e pagëzuan si “Revolucioni i Tëitter” rebelimin post-zgjedhor në Iran në 2009. Po atë kohë, një çift i ri egjiptian i vuri emrin “Facebook” vajzës së tyre të porsalindur. Disa muaj më vonë, një familje në Izrael e quajti “Like” fëmijën e tretë.

Shpeshherë mendoj për këta fëmijë, Facebook në Egjipt dhe Like në Izrael. Çfarë lloj bote u kemi dhënë atyre? Natyrisht përhapja e informacionit, as garantoi dhe as gjeneroi më shumë demokraci. Përkundrazi, sot ne jetojmë në një botë ku ka shumë informacion (por edhe shumë keqinformim aksidental dhe të qëllimshëm), por shumë pak njohuri, dhe akoma më pak mençuri.

Këto janë gjëra krejtësisht të ndryshme, dhe duke u fokusuar vetëm tek informacioni, ne kemi lënë pas dore dijen. E kemi braktisur mençurinë. Informacioni ka të bëjë me shpejtësinë, me pjesët diskrete të të dhënave, me shifrat. Por kur bombardohemi me kaq shumë informacione, ne nuk përpunojmë dot atë që lexojmë apo dëgjojmë.

Një mbingarkesë e vazhdueshme e informacionit, na jep iluzionin se kemi njohuri për çdo gjë dhe thuajse për gjithçka. Pak e nga pak, e kemi harruar shprehjen:”Nuk e di!”. Nëse nuk kemi informacion mbi një çështje, mund ta bëjmë shumë lehtësisht një kërkim në Google dhe në 5-10 minutat e ardhshme do të jemi në gjendje të gjejmë diçka për të thënë mbi të.

Dhe nëse lundrojmë në internet pak minuta më shumë, mund ta bindim veten se jemi ekspertë, edhe pse ato copa informacioni nuk përbëjnë dije. Po si mund ta zvogëlojmë sasinë e informacionit me të cilin përballemi çdo ditë, dhe të rritim më shumë njohuritë, dhe për pasojë zgjuarsinë tonë?

Dija kërkon libra, lexim të disiplinuar, një gazetari reflektive, analiza të thella, biseda të nuancuara, shmangien e gjykimeve të nxituara. Dhe mençuria kërkon që ne të bashkojmë mendjen dhe zemrën. Për të qenë të mençur, ne kemi nevojë jo vetëm për analiza racionale, por edhe për inteligjencë emocionale, ndjeshmëri, për një ndjenjë përulësie dhe dhembshurie.

Ne duhet të dëgjojmë historitë e njëri-tjetrit, dhe t’i kushtojmë vëmendje edhe heshtjes midis fjalëve. Në fillim të pandemisë, kur londinezët u lejuan të dilnin shëtitje nëpër parqe publike, fillova të vëreja disa tabela të vendosura aty-këtu.

“Si do të dëshironit që të ishte ndryshe bota, kur të ketë mbaruar e gjitha kjo,?”- shkruhej në njërën prej tyre. Nën atë pyetje, kalimtarët kishin shkruar përgjigjet vetjake, duke përdorur stilolapsat e tyre. Dikush kishte shkruar:”Kur të përfundojë kjo pandemi, unë dua të jetoj në një botë ku mund të dëgjohet zëri im!’.

Është një ironi e trishtë, që në një epokë kur ne të gjithë supozohej të kishim një zë falë platformave dixhitale, dhe përhapjes së pashmangshme e të pandalshme të demokracisë liberale, ka ndodhur gati e kundërta. Miliona njerëz në mbarë botën, ndihen sikur nuk kanë një zë në këtë botë.

Në mesin e një kakofonie shurdhuese, ata e dinë se nuk po dëgjohen. Jeta jonë e përditshme është e mbushur me emocione negative, të cilat nuk dimë si t’i përpunojmë apo ku t’i kanalizojmë. E megjithatë nuk na pëlqen të flasim për këtë, dhe sigurisht jo në Britani, në vendin tim adoptiv, ku shprehja e emocioneve konsiderohet si një shenjë dobësie.

Dhe sigurisht as në atdheun tim të origjinës, Turqi, ku presupozohet rëndom se gratë janë qenie emocionale, ndërsa burrat janë më racionalë (gjë që sigurisht është një marrëzi e pastër). Qeniet njerëzore të të gjitha moshave dhe gjinive janë krijesa emocionale.

Kur lidhemi me njëri-tjetrin, ne e bëjmë këtë përmes historive dhe emocioneve. Ajo tek e cila besojmë apo për të cilën luftojmë, varet nga historitë dhe emocionet. Unë e kam konsideruar gjithnjë çdo emocion si një burim energjie bruto, si një ”mineral” që mund të përpunohet në forma të ndryshme, si një “metal” që mund të skalitet në forma të ndryshme.

Në vend se të përpiqemi t’i shtypim emocionet tona, është më e shëndetshme, dhe ndoshta një qasje më e zgjuar, të njohim ekzistencën e tyre, të flasim hapur për to, dhe të krijojmë hapësira gjithëpërfshirëse ku mund të kuptojmë dhe të eksplorojmë se pse është përkeqësuar kaq shumë shëndeti ynë mendor.

Në një epokë si kjo e jona, është normale të mos jesh mirë. Është normale të ndihesh i shqetësuar ose i pakënaqur përballë gjithçkaje që po ndodh. Pyetja kryesore nuk është nëse jemi të zemëruar apo të shqetësuar, të frikësuar apo të frustruar. Por se çfarë do të bëjmë me këto ndjenja.

A mund t’i kthejmë emocionet tona negative në diçka pozitive dhe konstruktive, si për veten tonë si individë, ashtu edhe për komunitetet dhe shoqëritë tona? Tek fundit, nëse ka një gjë që është shumë më shkatërruese se sa çdo emocion, ajo është mungesa e të gjithë emocioneve: Mpirja, indiferenca, letargjia e shpirtit.

Momenti kur bëhemi kaq të pandjeshëm ndaj vërshimit të informacionit, saqë mezi e regjistrojmë në tru se çfarë po ndodh në një rajon tjetër të botës, apo thjesht edhe në vendin fqinj. Ky është momenti kur shkëputur plotësisht nga njëri-tjetri. Dhe ky është një prag shumë më i rrezikshëm.

Ne ndodhemi në një udhëkryq. Vendimet që marrim sot, do të kenë pasoja afatgjata për planetin, për shoqëritë tona dhe për shëndetin tonë mendor individual dhe kolektiv. Kjo mund të jetë vërtet epoka e ankthit. Por nga këtu dhe deri në epokën e apatisë, nuk është veçse një hap i shkurtër dhe fatal.

Duhet të sigurohemi që të mos e hedhim atë. Sot të gjithë po jetojmë në kohëra fluide, për të përdorur një term të shpikur nga sociologu dhe mendimtari politik i ndjerë Zigmunt Bauman.

Historia nuk përparon domosdoshmërisht në mënyrë lineare.

Nëse këto janë kohë fluide, duket sikur rryma është përshpejtuar me pandeminë, krizën klimatike dhe zgjerimin dhe thellimin e pabarazive, sociale, dixhitale, racore, gjinore dhe klasore. Ky është momenti, kur ne kemi nevojë për solidaritetin global.

Ne kemi kudo nevojë për lëvizjen feministe, ashtu siç duhet të kujdesemi për të drejtat e njeriut, lirinë e fjalës dhe të drejtat e pakicave. Qofshim stomatologë, studentë, inxhinierë apo poetë, çfarëdo që të bëjmë dhe kudo që jetojmë, nuk e kemi luksin e apatisë.

Nga mundësia e shfaqjes së një pandemie tjetër deri tek katastrofa mjedisore, nga terrorizmi kibernetik tek krizat e refugjatëve, ne kemi përpara sfida masive globale, ku asnjëra prej të cilave nuk mund të zgjidhet me retorikën e nacionalizmit, izolacionizmit, tribalizmit apo narcisizmit grupor.

Ne duhet të lidhemi me natyrën dhe të kuptojmë përgjegjësinë që kemi ndaj planetit tonë.

Ne duhet të lidhemi me njëri-tjetrin dhe të përpiqemi të bëhemi qytetarë të angazhuar, të ditur dhe të mençur. Lidhja është rruga jonë e vetme për të ecur përpara.

Ndërsa historitë na bashkojnë, të ndara na mbajnë historitë e pa rrëfyera dhe heshtjet e ngurta. Zërat tanë mund të mos dëgjohen nga ata që janë në pushtet. Por ne nuk jemi të pafuqishëm, dhe as pa zë. Përkundrazi, jemi të aftë ta ndryshojmë botën.

Shënim: Elif Shafak, është një nga shkrimtaret më të famshme në Turqi. Librat e saj përfshijnë “Bastardia i Stambollit”, “Tre vajzat e Evës” dhe më i fundit “Ishulli i pemëve të munguara”. / “Project Syndicate” – Bota.al

Back to top button