EkonomiMAIN

Epoka e re e gjeoekonomisë

Gillian Tett

Në janar 2008, gjatë takimit vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, u thirra në një sallë konferencash për të takuar Ray Dalio-n, themeluesin e fondit të fuqishëm të investimeve Bridgewater.

Ekipi i tij më dorëzoi një raport të stërmadh, sa madhësia e një Bible. Më thanë me solemnitet që ky përfaqësonte pikëpamjet e Dalio-s për ciklin e kreditit.

I hodha një sy të shpejtë — dhe më pas e hodha në kosh, ngaqë ishte shumë i rëndë. Ky rezultoi të ishte një gabim i madh. Kur kriza e madhe financiare shpërtheu më vonë atë vit, Dalio u lavdërua si një prej profetëve të saj, kryesisht për shkak të parashikimeve në atë raport që unë e hodha tutje.

“Llogarita shkallën me të cilën do të rritej borxhi dhe ofertën e kërkesën për kredi, në raport me bazat ekonomike”, më tha së fundmi për ta shpjeguar.

Kanë kaluar 17 vjet dhe Dalio tani po përdor edhe më shumë analiza në librin e tij të ri me titull “Si Shkojnë Shtetet Drejt Falimentimit” (“How Countries Go Broke”). Ky libër në thelb argumenton se SHBA duhet të shkurtojë borxhin e saj prej 36 trilionë dollarësh, ose përndryshe rrezikon një tjetër krizë financiare.

Por ka ndodhur një ndryshim thelbësor. Në vitin 2008, Dalio e bazonte parashikimin e tij kryesisht mbi studimin e cikleve ekonomike dhe financiare. Libri i ri, si edhe ai i vitit 2021 “Rendi që po Ndryshon në Botë” (“The Changing World Order”), analizon jo vetëm ciklet e kreditit, por edhe “rendet e brendshme politike dhe gjeopolitike”.

Pse? Marrëdhëniet ndërkombëtare po ushqejnë spiralen e borxhit të SHBA-së, pasi vendi ndjehet i kërcënuar dhe vazhdon të shpenzojë; ndërkohë, polarizimi i brendshëm e pengon të miratojë reforma fiskale. “Dikur rëndësi kishte vetëm paraja, por tani politika dhe gjeopolitika janë bërë më të rëndësishme,” shpjegon ai. “Ato po ndikojnë mbi paratë në mënyra që nuk i kishim imagjinuar më parë – ka populizëm nga e majta dhe e djathta që ngjan shumë me vitet 1930.”

Disa ekspertë të shkencave sociale mund të tallen me këtë ide, duke vënë në dukje se politika gjithmonë ka ndikuar mbi ekonominë në një farë mase; në fakt, akademikët e kanë studiuar këtë për dekada. Por udhëtimi intelektual i Dalio-s po përsëritet nga shumë të tjerë në botën financiare, të korporatave dhe atë qeveritare.

“E kaloj pjesën më të madhe të ditës duke këshilluar klientët e mi se si të përballen me vërshimin e sfidave të rreziqeve gjeopolitike – kjo është diçka e re,” thotë Daniel Tannebaum, partner në kompaninë konsulente të menaxhimit Oliver Wyman në Nju Jork.

Ose, siç ka vërejtur së fundmi Jonathan Black, zëvendës këshilltari për sigurinë kombëtare në Britani: “Kjo ndërthurje mes interesave ekonomike dhe të sigurisë [pra, gjeopolitikës] është sfida sistemike më e madhe për vendimmarrjen në kohën tonë… Ajo po dominon gjithnjë e më shumë axhendën, jo vetëm në samitet ndërkombëtare, por edhe në mbledhjet e kabineteve të shteteve, apo në bordet drejtuese të kompanive.”

Vërtet, ndryshimi është aq i thellë, sa që një fjalë e vjetër është rikthyer në përdorim për ta përshkruar atë: “gjeoekonomi”. Kjo u përdor fillimisht në një ese të vitit 1990 nga Edward Luttwak, strateg ushtarak, për të përshkruar “përzierjen e logjikës së konfliktit me metodat e tregtisë.”

Më vonë, Paul Tucker, ish-zëvendësguvernator i Bankës së Anglisë, duke cituar përkufizimin e vitit 2016 nga Robert Blackwill dhe Jennifer Harris, e shpjegon kështu termin: “përdorimi i instrumenteve ekonomike për të promovuar dhe mbrojtur interesat kombëtare.”

Në librin e tij “Global Discord” ai thekson se instrumente të tilla përfshijnë: tarifa, kufizime rregullatore, zhvlerësime agresive të monedhave, blerje të aseteve të huaja dhe kontrolle mbi eksportin e energjisë dhe metaleve të rralla.

Nga ana tjetër, është e qartë se Presidenti Donald Trump tashmë po i përdor shumë nga këto mjete që përmend Tucker: mjafton të shohësh tarifat kërcënuese ndaj BE-së dhe vendeve si Koreja e Jugut, Japonia dhe Brazili; ose ndalimin e mundshëm të blerjes së tokave bujqësore amerikane nga Kina. Po ashtu, shihni se si Kina po përdor eksportet e metaleve të rralla për t’u kundërpërgjigjur. Epoka e re e gjeoekonomisë duket se ka ardhur. Pyetja është si do të reagojmë të gjithë ne.

Kur vëzhguesit perëndimorë si Tucker përpiqen ta shpjegojnë këtë zhvillim, ata ndonjëherë ia atribuojnë rritjes së Kinës.

S’është çudi: siç ka vënë në dukje Graham Allison, politolog në Harvard, historia është plot me shembuj të atij që quhet “kurthi i Tuqiditit-it”, ku një fuqi hegjemone ndjehet e kërcënuar nga një rival në rritje të shpejtë dhe të dyja palët futen në një kurs përplasjeje. Ky term është përdorur më shpesh në lidhje me rivalitetin e Kinës me SHBA-në dhe, siç ka vënë në dukje Luttwak, Kina ka ndjekur politika gjeoekonomike dhe merkantiliste për vite me radhë.

Megjithatë, ka edhe një mënyrë tjetër për ta parë situatën: ajo që po shohim sot është një lëkundje e lavjerrësit intelektual. Ndërkohë që është e natyrshme për njerëzit të mendojnë se idetë që kemi për mënyrën si funksionon bota – të formuara nga edukimi dhe përvoja jonë e hershme profesionale – janë “normale” dhe të përhershme, në fakt vizioni ynë për ekonominë politike ka ndryshuar disa herë që prej vitit 1900, si një reagim i një mënyre mendimi ndaj një tjetre.

E para nga këto lëkundje, që ka shumë rëndësi edhe për sot, ndodhi në vitin 1914. Para asaj date kyçe, pati disa dekada globalizimi në Perëndim, të shoqëruara me rritje të konkurrencës së tregut dhe përparim teknologjik (edhe pse nën flamurin e shëmtuar të imperializmit). Dhe gjatë asaj periudhe, shumica e elitave mendonin se ky realitet ishte krejtësisht normal, i dobishëm dhe i përhershëm.

“Çfarë episodi i jashtëzakonshëm në përparimin ekonomik të njeriut ishte ajo epokë, e cila mori fund në gusht 1914!” – shkruante ekonomisti John Maynard Keynes në traktatin e tij të vitit 1919 “Pasojat Ekonomike të Paqes” (The Economic Consequences of the Peace).

Globalizimi ishte aq i rrënjosur, shkruante ai, sa që “një banor i Londrës mund të bënte porosi me telefon nga shtrati, të pinte çajin e mëngjesit në krevat, dhe të shijonte produktet e krejt Tokës”, të investonte dhe udhëtonte lirisht nëpër botë, pa u shqetësuar për “rivalitete racore apo kulturore.”

Logjika ekonomike kishte mposhtur politikën.

Por Lufta e Parë Botërore e shkatërroi atë ndjenjë rehatie. Shpërthyen proteksionizmi, politika populiste dhe nacionalizmi, duke shkaktuar shpërbërjen e globalizimit dhe ideve të tregut të lirë. Në vend të tyre, gjatë viteve të ndërmjetme, tregtia iu nënshtrua interesave të shtetit.

Siç ka vërejtur ekonomisti gjerman Albert Hirschman në librin e tij klasik të vitit 1945 “Fuqia Kombëtare dhe Struktura e Tregtisë së Jashtme” (National Power and the Structure of Foreign Trade), duke reflektuar për periudhën ndërmjet dy luftrave: “garat për më shumë fuqi kombëtare depërtuan në marrëdhëniet tregtare.”

Pas vitit 1945, pati një tjetër lëkundje lavjerësi. Qeveritë perëndimore përqafuan idetë e propozuara nga Keynes, sipas të cilave shteti duhet të përdorë financat publike dhe institucionet për të menaxhuar ciklet e kërkesës së brendshme – dhe aleatët bashkëpunuan përmes institucioneve si FMN-ja dhe Banka Botërore për të nxitur tregtinë globale dhe lidhjet financiare.

Kjo e hodhi poshtë vizionin zero-sum të tregtisë dhe financave që kishte dominuar në vitet ndërmjet dy luftrave; në vend që të fokusohej te mirëqenia relative (pra, kush po fiton), theksi u vu te mirëqenia absolute.

Pastaj, në vitet 1980, ndodhi një tjetër ndryshim: udhëheqës si Margaret Thatcher dhe Ronald Reagan e hodhën poshtë agjendën e brendshme të Keynes-it dhe përqafuan idetë e tregut të lirë, të promovuara nga ekonomistë si Jack Kemp, Eugene Fama dhe Milton Friedman.

Këta supozonin se tregjet dhe paratë formoheshin nga “ligje” të ofertës dhe kërkesës kaq të qëndrueshme dhe universale, sa që mund të modeloheshin me mjete të huazuara nga fizika dhe matematika.

Ishte një koncept tërheqës për industrinë financiare që po zgjerohej me shpejtësi, dhe profesionistët e së cilës kishin nevojë për një histori për t’ua “shitur” klientëve të tyre – dhe aq më shumë, pasi revolucioni teknologjik i fundit të shekullit XX, papritur u dha financierëve mundësinë për të kryer llogaritje ultra-komplekse, fillimisht me kalkulatorë të vegjël dhe më pas me kompjuterë personalë.

Modelet financiare lulëzuan në një mënyrë që inkurajoi financierët dhe ekonomistët të konceptonin “ekonominë” si një sferë gati shkencore, që duhej të ishte e mbrojtur nga çështjet kulturore apo politika të ndërlikuara.

Kështu, kur ekipi i Dalio-s më prezantoi “biblën” e mbushur me grafikë në Davos, ai nuk po shiste vetëm njohuritë e veta intelektuale; pa dashur, ai po simbolizonte pikëpamjen më të gjerë të financës për botën, kur kjo e fundit imagjinonte “ekonominë” dhe vendimmarrjen “racionale.”

Më shumë se dy dekada më parë, për shembull, në Seattle shpërthyen protestat e majta, kundër ideve neoliberale dhe globalizimit. Këto ndjenja janë përhapur kohët e fundit si në të djathtën, ashtu edhe në të majtën, teksa teknologjia dhe tregtia kanë zhvendosur vende pune.

Ndërhyrja ekonomike e shtetit filloi të rritej në Perëndim pas vitit 2008, kur qeveritë shpëtuan bankat dhe përdorën “lehtësimin sasior” (quantitative easing) për të ndikuar mbi tregjet monetare. Kjo ndërhyrje u përshkallëzua më tej gjatë pandemisë së Covid-19 dhe krizës energjetike që pasoi pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Prandaj, kur Joe Biden u bë president në vitin 2021, ai jo vetëm që mbajti tarifat e vendosura nga Trump, por përqafoi edhe një politikë industriale aktiviste, përmes Ligjit për Reduktimin e Inflacionit (Inflation Reduction Act).

Sipas studimeve të FMN-së, masa të tilla janë shtuar ndjeshëm në botën e zhvilluar vitet e fundit.

Por ekipi i Trump-it po e çon këtë në një ekstrem të ri. Ata veprojnë me një mentalitet “zero-sum” (ku fitorja e njërit është humbja e tjetrit) dhe me një obsesion për politikën e forcës, që nuk ishte parë më që nga vitet 1930. Dhe kjo nuk po ndodh vetëm me tarifat doganore, por mund të prekë së shpejti edhe sferën e financës.

Shtëpia e Bardhë ka propozuar taksa për investitorët nga vende rivale si Kina; dëshiron të kufizojë investimet ndërkufitare; Stephen Miran, një nga këshilltarët ekonomikë kryesorë të Trump-it, ka hartuar një plan të quajtur “Mar-a-Lago”, që propozon vendosjen e tarifave për vendet që përdorin sistemin financiar në dollarë amerikanë; Scott Bessent, sekretari i Thesarit, ka sugjeruar t’i detyrojë vendet që mbrohen nga ushtria amerikane të blejnë bono afatgjata të SHBA-së; dhe Trump ka kërcënuar me sanksione të fuqishme vendet që përpiqen të largohen nga përdorimi i dollarit si valutë rezervë.

Ndërkohë që vendet e tjera po shqyrtojnë si të përgjigjen, po shohim një “fragmentim në sistemin financiar global”, thotë Tannebaum, i cili është edhe pjesë e Qendrës për Gjeoekonomi të krijuar nga Atlantic Council, dhe që monitoron këto trende.

Siç e shpreh edhe Elmar Hellendoorn, anëtar tjetër i kësaj qendre: “Ne po shohim dominimin e gjeopolitikës mbi financën – përmes motiveve, tregjeve, institucioneve dhe aktorëve financiarë.” Nuk është më vetëm “gjeoekonomi”, por tani kemi edhe “gjeofinancë.”

Kjo mund të jetë tronditëse për ata që e kanë ndërtuar karrierën në epokën neoliberale. Siç ka shkruar Keynes: “Aftësia për t’u mësuar me rrethanat është një karakteristikë e shënuar e njerëzimit.”

Po ashtu si elitat e vitit 1913 u tronditën kur supozimet e tyre për globalizimin u hodhën poshtë, sot shumë liderë biznesi, financierë dhe zyrtarë qeveritarë perëndimorë ndihen të hutuar dhe të shqetësuar nga qasja e Trump-it.

Disa madje tallen me idenë se ekipi i Trump-it ka ndonjë “plan”, duke e quajtur këtë si një formë “larje mendore” (sane-washing), pasi veprimet e tij duken aq kaotike dhe, herë pas here, kontradiktore.

Megjithatë, ka një argument që thotë se edhe nëse Trump nuk ka një “plan” në kuptimin klasik të hartimit të politikave, ai ka një instinkt, të cilin rrethi i tij po e shndërron në një drejtim strategjik të paqartë, të mbështetur nga taktika si: kërcënime, bullizëm, pasiguri dhe “mbulimi i terrenit” me mesazhe për të dominuar diskursin.

Është thelbësore, me fjalë të tjera, të dallosh mes taktikave kaotike (si tarifat) dhe një agjende më të gjerë, që synon riformësimin e rendit global në funksion të forcimit të fuqisë amerikane.

Për më tepër, edhe brenda këtij kaosi, unë do të argumentoja se ekzistojnë të paktën dy korniza analitike që ndihmojnë për ta kuptuar këtë “instinkt” të Trumpit, në dy nivele: makro dhe mikro.

Njëra është të huazosh idetë e Hirschman për fuqinë hegjemonike, sipas të cilave vendet që kontrollojnë nyjet kyçe në disa sektorë përfundojnë me dominim real.

Një grup ekonomistësh në Stanford dhe Columbia kanë krijuar të ashtuquajturin Global Capital Allocation Project (GCAP) për të zhvilluar kërkime që “shfrytëzojnë përparimet e reja të modeleve të mëdha gjuhësore”, për të identifikuar zonat e ekonomisë globale që janë veçanërisht të ndjeshme ndaj presionit gjeoekonomik.

Teza e tyre është se Kina sot ka kontroll hegjemonik mbi prodhimin (përmes dominimit të nyjeve kritike të zinxhirit të furnizimit siç janë mineralet e rralla), ndërsa SHBA ka kontroll hegjemonik mbi financat, falë statusit të dollarit si valutë rezerve globale.

Prandaj, një mënyrë për të kuptuar veprimet e Shtëpisë së Bardhë është se Amerika po përpiqet të minojë hegjemoninë industriale të Kinës, ndërsa ruan dominimin e saj financiar – dhe anasjelltas.

Sa i përket teknologjisë, hegjemonia është ende në garë.

Kjo mënyrë të menduari jo vetëm që ndihmon për të shpjeguar marrëdhëniet SHBA-Kinë, por gjithashtu hedh dritë mbi mënyrën si po reagojnë vendet e tjera, pasi prioriteti i tyre tashmë është të krijojnë strategji “kundër shtrëngimit”, sipas GCAP.

Siç pritej, kjo po ndez debate të forta në vende si Britania. Në Whitehall, Jonathan Black u ka thënë kolegëve se duhet të rilexojnë “Manualin e Luftës Ekonomike” të vitit 1938, për të kuptuar si të përballen me kërcënime nga vende si Rusia. “Konkurrenca gjeopolitike do të thotë se po rikthehemi në një formë të shtet-udhëheqjeje strategjike,” vëren ai. “Të gjitha vendet do të duhet të bëhen shumë më të afta në të menduarit strategjik… për mënyrën se si përdorin çdo levë të pushtetit që kanë.”

Korniza e dytë kyçe, veçanërisht për kompanitë, është të mendojnë për palët e interesit (stakeholders).

Kjo mund të duket befasuese, duke qenë se fjala e shëmtuar “stakeholderism” erdhi me të vërtetë në modë vetëm në vitin 2019 (kur grupe si Business Roundtable e adoptuan këtë koncept si një kundërvënie të qartë ndaj idesë neoliberale të përkrahur nga Friedman, që kompanitë duhet të shërbejnë vetëm për aksionerët).

Kështu, në fillim kjo ide u lidh me lëvizjen për mjedisin, shoqërinë dhe qeverisjen – ESG – e cila tani po sulmohet ashpër nga politikanët e djathtë.

Por ajo që është interesante është se sulmet ndaj ESG nuk po kërkojnë kthim të drejtpërdrejtë te doktrina e vjetër e Friedman-it, që kompanitë ekzistojnë vetëm për të maksimizuar fitimin për aksionerët.

Përkundrazi, zërat e djathtë duan që bizneset të respektojnë lloje të ndryshme të interesave të aktorëve të tjerë – si siguria kombëtare, nevojat energjetike, vlerat patriotike, kulturore, dhe të tjera të ngjashme.

Prandaj, një mënyrë për të kuptuar rritjen e gjeoekonomisë dhe gjeofinancës është të “mendosh për pasojat e mënyrës se si qeveritë dhe bizneset bashkëpunojnë,” siç thotë Jonathan Black. Me fjalë të tjera, të pyesësh: cilët aktorë kanë rëndësi, dhe si mund të ndryshojë kjo në të ardhmen?

Disa vëzhgues mund të vënë në dyshim nëse ky ndryhsim mendësie është vërtet i nevojshëm. Shumë e shohin me shpresë faktin që shpërthimi i gjeoekonomisë mund të jetë një fenomen kalimtar, i cili do të përfundojë kur Trump të largohet nga detyra.

Dhe nuk është aspak e qartë nëse pjesa tjetër e botës do ta ndjekë SHBA-në në një rrugë merkantilizmi dhe izolacionizmi.

Në fund të fundit, siç shkruan ekonomisti Neil Shearing në librin e tij të ri “The Fractured Age”, një fakt vendimtar për botën e sotme është që në vende si Azia, tregtia ndërkufitare po rritet; për shumë vende, globalizimi është larg së qenuri i vdekur.

Dhe rajone si Europa mbeten të vendosura për të mbrojtur idetë liberale.

Megjithatë, problemi me gjeoekonominë është se ajo është ngjitëse: nëse një vend e përqafon, të tjerët ndihen të detyruar të përgjigjen.

Dhe megjithëse historia e shekullit XX na tregon se lavjerrësit intelektualë lëkunden – që do të thotë se mendësia “trumpiane” mund të mos jetë e përhershme – epokat e ndryshimeve politike zakonisht zgjasin me vite, jo muaj.

Gjeoekonomia e fillimit të shekullit XX zgjati më pak se një dekadë – dhe përfundoi vetëm pas një lufte.

Sa për Ray Dalio-n, ai mendon se problemet që po godasin sot Amerikën janë pjesë e një cikli shumëvjeçar borxhi, gjeopolitike dhe politike, njëlloj si ato që kanë rrëzuar perandori të tjera në të kaluarën.

Ndaj, edhe pse ka propozuar disa ide shumë të arsyeshme për ta thyer këtë cikël (për shembull, një plan me tre faza për reduktimin e borxhit), ai ankohet se Kongresi nuk është në gjendje të veprojë. “Është si të jesh në një varkë që po shkon drejt shkëmbinjve, dhe të gjithë po zihen se në cilën anë duhet kthyer timoni,” thotë ai.

Me fjalë të tjera, politika po e helmon burimin – jo vetëm për modelet ekonomike që Dalio më parë i kishte të pastra, por edhe për vetë politikëbërjen më të gjerë.

Ky është në thelb përkufizimi i gjeoekonomisë – dhe kërcënimi serioz që ajo paraqet sot. / The FInancial Times – në shqip nga bota.al

Back to top button