Bota

Erdogan, Kalifi i 105-të?

erdogan

Nga Burak Bekdil

“Hurryjet”

Ishte mjaft intriguese, kur pak para zgjedhjeve parlamentare të 1 nëntorit në Turqi, një gazetar i patundur pro-presidentit Rexhep Taip Erdogan, pretendonte në një shkrim në të përditshmen  “Yeni Akit”  se zoti Erdogan do të bëhet “Kalifi i ri”, pasi të ketë fituar fuqitë ekzekutive presidenciale, të cilat ai i dëshiron aq shumë. Prej atëherë, askush nuk e ka kundërshtuar zotin Dilipak, një nga ithtarët më të thekur në shtypin turk, ndaj sundimtarëve islamikë të Turqisë.

Sulltani i fundit osman që e mbante këtë titull, edhe pse qe në fakt ceremonial, ishte Abdylmexhidi II (në vitet 1922-24), Kalifi i 101-të në krye të perandorisë. Që atëherë nuk ka pasur më Kalifë me njohje ndërkombëtare. Kalifati sipas ligjeve të Shariasm ka ekzistuar vetëm një kohë të shkurtër, ndërmjet viteve 1924 dhe 1931. Por aktualisht ka dy konkurrentë:Kalifatin Mysliman Ahmedia (që nga 1908) dhe fqinjin e Turqisë, Shtetin Islamik të Irakut dhe Levantit (ISIS).

Nën sundimin otoman të kalifit të fundit, perandoria e sëmurë, ishte aleate e Gjermanisë gjatë Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1924, kur Turqia moderne e shfuqizoi Kalifatin, Abdylmexhidit II, një piktor i talentuar, i dhanë 2.000 paund anglezë në para të thata, më pas u hip në një tren të linjës “Orient Express” me gruan e tij, vajzën, sekretarin privat dhe dy pjesëtare të haremit të tij, dhe u dëbua në Evropën e krishterë – duke u ndalar fillimisht në Zvicër.

Abdylmexhidi u vendos përfundimisht në Paris, ku dhe do të vdiste në vitin 1944. Kur ndodhej në Zvicër, ai u shpreh:”Tërheqja ime dhe zhdukja e Kalifatit, janë tërësisht sakrilegje dhe të pavlefshme!”. Ndërsa për miliona myslimanë ai ishte ende “Komandanti i Besimtarëve” dhe “Zëvendës-regjenti e Allahut”, Abdylmexhidi II zgjodhi të jetojë në një vilë të madhe, lart mbi Champagne-soused Nice – ku ai mbante korrespodencë të rregull me Myftiun e Palestinës.

Gati një shekull më parë, qeveria turke i kërkoi qeverisë britanike të mos lejojë në asnjë vend të kolonive të saj rivendosjen e Kalifatit, veçanërisht jo në Jeruzalem. Sot, rivendosja e Kalifatit në personalitetin e një sulltani otomanist turk, tingëllon si muzikë e vjetër në veshët e shumë turqve – veçanërisht në qoftë se froni duhet të restaurohet në Jeruzalemin e kontrolluar nga turqit.

Por zoti Erdogan duhet së pari të negociojë me ISIS-in, para se të pretendojë atë fron. Problemi është, ai nuk e cilëson mysliman Kalifatin e shpallur nga xhihadistët, ndërsa këta të fundit e cilësojnë presidentin turk si jobesimtar. Ballafaqimi me Kalifatin Mysliman të Ahmedias mund të jetë më i lehtë, edhe pse mund të jetë e vështirë të binden myslimanët e saj që të heqin dorë vendi i shenjtë. Hapi i fundit para restaurimit të mantelit, do të kërkonte aftësi diplomatike dhe fuqi bindëse: Si të binden mbi një miliardë myslimanë sunitë në botë, se ata duhet të bashkohen nën Kalifatin e një pasardhësi të osmanëve?

Pse, mund të pyesin, indonezianët dhe malajzianët – dhe të gjithë sunitët e botës – të bashkohen nën kalifatin e një turku që dëshiron të jetë sulltan? Kjo mund të jetë një punë më e vështirë, se sa gjetja e 13 deputetëve të opozitës për të votuar në favor të ndryshimeve kushtetuese, në mënyrë që sistemi presidencial ekzekutiv që Erdogani e do aq fort, të mund të shkojë në një referendum popullor.

Ekziston një paralele e rëndësishme ndërmjet Kalifit të fundit dhe atij të ardhshëm:Ata të dy e urrejnë alkoolin, pasi ai ndalohet nga Islami. Në një artikull të shkruar në vitet ‘20, Abdylmexhidi II argumentoi se arsyeja kryesore pse Perandoria Osmane u shemb ishin ”zakonet e pijeve të të parëve të tij (ish-sulltanët)”. Por ka edhe dallime. Ndryshe nga një prej paraardhësve të tij, Sulltan Abdilhamiti, Abdylmexhidi II nuk ishte “i frikshëm”. Por një studim i fundit, zbuloi se vetëm një e katërta e turqve “nuk kanë frikë nga Presidenti Erdogan”. Ndërkohë që 68.5 përqind thanë se druhen prej tij. Ironikisht, qëkur përkrahja popullore për zotin Erdogan matet në mënyrë racionale në 50 përqind, 18.5 për qind e mbështetësve të tij, gjithashtu, kanë frikë prej tij.

Kalifi që po ngrihet është i frikshëm. Ai që ishte formalisht i fundit nuk qe i tillë. Dhe supozohej që  vendi të ketë përparuar për rreth një shekull… Turqia duket si ditët e fundit të Perandorisë Osmane, dhe udhëheqësit e saj sa të fuqishëm, po edhe edhe të përgjëruar për më shumë pushtet:një shtet thuajse i dështuar, drejtuesit e të cilit preferojnë të injorojnë realitetin, dhe jetojnë me iluzionet e madhështisë. Shto këtu edhe “pallatin madhështor” ku jeton së fundmi Erdogan, dhe tablloja është edhe më domethënëse.

/Bota.al

Leave a Reply

Back to top button