Të gjithë kemi përjetuar humbje në jetë dhe askush nuk mund të dalë e të thotë që është diçka e lehtë. Nuk është aspak e lehtë të humbasësh prindin apo miqtë e ngushtë nga një sëmundje, sidomos kur bëhet fjalë për sëmundje të papritura. Nuk është e lehtë as periudha pas humbjes, kur mendon se ai person ende jeton, ama dita ditës zhgënjehesh se nuk e sheh, nuk ia dëgjon zërin, nuk mundesh ta përqafosh.
Nuk është e lehtë as të ndahesh nga një person që e do, sidomos kur shkaktarë bëhen shkaqe të jashtme që nuk kanë lidhje me vetë ju të dy. Edhe kjo është një humbje, një humbje që kërkon kohë të kalohet (ndonjëherë duket sikur nuk do të kalohet asnjëherë).
Thuhet shpesh: “Koha shëron gjithçka”. Është e vërtetë, ama sa më e madhe dhimbja, aq më e gjatë është koha që duhet për ta kaluar një traumë kaq të rëndë. Në të njëjtën kohë jeta vazhdon dhe krahas trishtimit që të kaplon, mendon edhe se sa shumë po humbet nga bota përreth, se sa shumë të tjerët po ecin përpara ndërkohë që ti je ende në një pikë dhe nuk gjen forca për t’u ngritur e për të ecur përpara.
Unë dua vetëm të mendosh diçka, mendo që nëse personi që ke humbur do të shihte në këto momente, a do të ishte krenar për ty? Nëse po, vazhdo në këtë mënyrë. Nëse jo, nuk të sugjeroj që si me magji të kalosh gjithçka dhe të vazhdosh përpara. Të kërkoj vetëm të çohesh, të dalësh për një shëtitje dhe dita-ditës të bësh diçka që duhet ta bësh. Realizoji planet ngadalë, derisa ta ndjesh veten se mund të vazhdosh përpara në jetë pa u ndikuar shumë nga e shkuara.
Hidh nga një hap përditë, realizo nga një plan përditë. Kështu do të ndjesh se jo vetëm do ta largosh mendjen nga çfarë ka ndodhur, por edhe do të fillosh ta jetosh jetën nga pak. Pavarësisht çdo humbje, sigurisht që kujtimet do t’i mbash me vete, jeta jote vazhdon dhe ke përgjegjësinë për ta bërë më të bukurën. Ti je përgjegjës/e për jetën tënde dhe duhet ta jetosh atë në mënyrën më të bukur të mundshme. Edhe ti një ditë do të ndërrosh jetë, ama është më bukur të vdesësh i lumtur se udhëtimi i jetës tënde ka qenë i realizuar më së miri, se sa të vdesësh me pendesa.
Ndaj mblidhi forcat, dhe vazhdo përpara. Jeta të kërkon të fortë!