Psikologji

“Është normale të kërkoni ndihmë!” Drejtuar femrave të forta

Të dashura femra të forta,

Arrij ta shoh dhimbjen në buzëqeshjen që keni të ngulitur në fytyrë. E di se derdhni lotë çdo natë në shtratin tuaj. E kam përjetuar se si është të zgjohesh e lënduar çdo mëngjes dhe ta fshehësh çdo gjë me një buzëqeshje. Në mendjen tënde kalojnë shumë mendime, por duhet të dish se ke plot njerëz përreth që kanë nevojë për ty. Përgjegjësia për të mos i zhgënjyer ata, të ka bërë padyshim më të fortë, por edhe ta ka reduktuar mundësinë të ankohesh apo të kërkosh ndihmë. E di se po lufton brenda vetes për të mos i zhgënjyer ata. Të jesh e fortë ndonjëherë nuk është një zgjedhje. Detyrohesh të bëhesh e tillë nga rrethanat.

Nuk e tregon dhimbjen tënde, pasi ke dëgjuar se të tregohesh e ndjeshme është njësoj si të tregosh se je e dobët. Të kanë mësuar se edhe lotët janë dobësi dhe se duhet të çohesh sa më parë të jetë e mundur, pas çdo dështimi. Ndonjëherë të duket gjithçka shumë e tepruar dhe e vështirë për ta kaluar. Është diçka normale. Duhet pak kohë për ta kuptuar këtë gjë, pasi je “trajnuar” duke mësuar të kundërtën.

Të jesh e fortë nuk do të thotë se duhet t’i mbash brenda lotët, kur ndihesh e mërzitur. Të jesh e fortë nuk do të thotë të pretendosh se je mirë, kur shpirtin e ke të lënduar. Fuqia është e kundërta e gjithë këtyre. Të jesh e fortë do të thotë të lejosh veten të ndjesh çdo gjë që mund të ndjesh. Të jesh e fortë do të thotë të kesh guximin për të folur në një botë që është treguar e padrejtë me ty. Të jesh e fortë do të thotë edhe të jesh e aftë për të thënë: “Nuk ndihem mirë, kam nevojë për ty”.

Kujto gjithmonë se është normale të kesh nevojë për dikë tjetër. Është normale të kërkosh një shpatull ku të mbështetesh e të qash, një vesh që do të të dëgjojë dhe një dorë që do ta shtrëngojë tënden. Të gjithë ne kemi nevojë për dikë që na bën të kuptojmë se nuk jemi të pamposhtur dhe se nuk jemi të vetëm në këtë jetë.  Prano persona të tjerë në jetën tënde, shprehi ndjenjat e tua dhe vazhdo të jesh e fortë.

Back to top button