Hillary Clinton thotë se po shkruan një tjetër libër. Të lutem, mos. Në vend të kësaj, ajo duhet të shkojë në Illinois – vendi prej nga vjen – dhe të lexojë një libër. I rekomandoj librin e Goodhart “Rruga për Diku”. Për brezin e saj të majtistëve të qendrës, zgjidhja është: Të shkojnë diku, apo të shkojnë askund
Nga Niall Ferguson
Ajo është rikthyer. Që tani.
Zakonisht, kandidati humbës “zhduket” pas zgjedhjeve. Por jo Hillary Clintoni. Të martën, ajo u rikthye në skenën politike. “Nëse zgjedhjet do të ishin mbajtur në 27 tetor, unë do të isha presidentja juaj”, i tha ajo gazetares së CNN Christiane Amanpour, në një intervistë në Nju Jork.
“Unë isha duke fituar”, shpjegoi ajo, “deri kur kombinimi i letrës së Drejtorit të FBI, Jim Comey në 28 tetor dhe Uikileaksi rus ngjallën dyshime në mendjet e njerëzve, që do të votonin për mua, por u trembën”.
Lexuesit do të kujtojnë se letra e Comeyt i drejtohej Kongresit dhe thoshte se ai kishte rihapur hetimin e Byrosë, në lidhje me përdorimin nga ana e Clintonit, të një serveri privat për e-mailet. (Ai shpjegoi javën e kaluar pse ishte ndierë i detyruar të shkruante letrën, por nuk kishte ndier asnjë detyrim të ngjashëm, për të zbuluar hetimin e FBI për lidhjet ruse të fushatës së Trumpit).
Por mos kini frikë, fansa të Clintonit. Ajo e siguroi Amanpourin se “është rikthyer për të qenë qytetare aktiviste – dhe pjesë e rezistencës”.
Nuk mund të mohohet se Clinton është rezistente – për të pranuar arsyet e vërteta pse i hodhi në erë zgjedhjet e nëntorit të kaluar. Sigurisht, nuk ka dyshim se Uikileaks dhe Comey kanë kontribuar diçka në fitoren e Donald Trumpit. Por ne sërish kemi nevojë të shpjegojmë, se përse një totalisht i huaj në politikë, si Trumpi mund të ishte kaq pranë Clintonit, sa për t’i marrë asaj fitoren. A mund të ketë të bëjë kjo me Clintonin dhe fushatën katastrofike që ajo udhëhoqi?
Gjashtë muaj më vonë, Clintoni ende nuk e harron faktin se ajo fitoi votën popullore. Por një garë midis një politikani amator dhe një veteraneje, nuk duhet të kishte qenë aq e ngushtë, sa që më pak se 39,000 votues në tre shtete të lëkundur – duke përfshirë atë që ajo kurrë nuk e vizitoi (Uiskonsinin) – mund të vendosnin garën, duke zgjedhur amatorin në vend të saj.
Testi i acidit u sigurua më 23 prill nga një sondazh i Uashington Post-ABC, i cili i kërkoi një mostre përfaqësuese votuesish, se si do të votonin nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot. Përgjigja? Trumpi 43 për qind, Clinton 40 për qind. Kaq e pat edhe thirrja “Trump është një fatkeqësi”, kënga e lodhshme që këndohej natë e ditë nga komentatorët, të cilët mendonin se kishin siguruar tashmë punë fantastike për veten e tyre, në administratën Clinton, e cila ishte e pashmangshme, sepse e destinuar prej harkut të historisë.
Megjithatë, ka një dimension më të thellë në të gjithë këtë. Kur partitë politike hyjnë në një periudhë krize strukturore, e para gjë që ndodh është që fajësohet udhëheqësi. E shohim këtë në Britani sot, ku për performancën e mjerueshme të Partisë Laburiste në zgjedhjet lokale dhe disfatën e parashikuar të saj në zgjedhjet e përgjithshme të 8 qershorit, fajësohet Jeremy Corbyn. E shohim edhe në Francë, ku Presidenti François Hollande në përgjithësi konsiderohet përgjegjës për rezultatet e këqia të Partisë Socialiste në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, dy javë më parë.
Megjithatë, ekziston një mundësi tjetër që duhet marrë në konsideratë. Ndoshta janë vetë partitë që po “kalben”, dhe udhëheqësit e tyre të padobishëm, thjesht përfaqësojnë një padobi më të përgjithshësuar. Në një ese të rëndësishme të botuar në “Foreign Affairs”, Pierpaolo Barbieri argumenton se historia e vërtetë e politikës perëndimore, që nga kriza financiare, nuk ka qenë aq shumë rritja e populizmit, se sa shembja e demokracisë sociale: “shpërthimi nga brenda i qendrës së majtë”.
Greqia ishte e para. Partia Socialiste Panhelenike, dikur dominuese, mori vetëm 6 përqind të votave në vitin 2015 (dhe ishte në partneritet me një parti tjetër të majtë). Pastaj erdhi Spanja, ku Partia e Punëtorëve Socialistë dështoi dy herë për të rrëzuar një qeveri të dobët konservatore. Në Itali, shpresa e madhe e qendrës së majtë, Matteo Renzi, ra nga froni, pas humbjes në një referendum kushtetues. Në Holandë, Partia Laburiste Holandeze dikur e fuqishme, PVDA, doli e shtata në mars, me më pak se 6 përqind të votave. Dhe balotazhi presidencial i të dielës në Francë u fitua nga një kandidat, Emmanuel Macron, i cili thjesht e braktisi markën socialiste, duke krijuar një parti të re me emrin “En Marche!”.
Parë në këtë këndvështrim, demokratët amerikanë dhe mbështetësit britanikë të laburistëve kanë në thelb të njëjtin problem. Koalicioni i vjetër midis elitave progresiste dhe proletariatit është shembur. Të parët janë shumë liberalë ndaj emigracionit, dhe shumë të dashuruar me multikulturalizmin. I dyti i urren të dyja. Siç vërente gazetari britanik David Goodhart 13 vjet më parë, projekti i një shteti rishpërndarës të mirëqenies, është i zbatueshëm vetëm në një shoqëri etnikisht homogjene. Ai u qortua ashpër kur e tha. Ngjarjet i kanë dhënë të drejtë.
Hillary Clinton thotë se po shkruan një tjetër libër. Të lutem, mos. Në vend të kësaj, ajo duhet të shkojë në Illinois – vendi prej nga vjen – dhe të lexojë një libër. I rekomandoj librin e Goodhart “Rruga për Diku”. Për brezin e saj të majtistëve të qendrës, zgjidhja është: Të shkojnë diku, apo të shkojnë askund.
Niall Ferguson është historian, studiues në Institutin Hoover dhe Universitetin e Stanfordit / the Boston Globe – Në shqip nga bota.al