Duhet të marrim shembull nga Oruelli dhe Solzhenicini, që u hoqën maskën gënjeshtrave të Gëbelsit dhe Stalinit. Do të jetë një luftë e re, edhe për gazetarinë
Timothy Garton Ash
Në epokën e Internetit, asgjë nuk udhëton më shpejt se sa një klishe tejet aktuale. Tashmë nuk ka fjalim që të mbyllet pa përmendur të paktën një herë “post të vërtetën” e kohës sonë. A thua, deri dje, e vërteta dilte gjithmonë e pastër nga goja e politikanëve dhe përcjellësve të lajmeve. Për të mos folur për Zhozef Gëbelsin, Stalinin dhe gënjeshtrat e mëdha totalitare, të nxjerra zbuluar prej Aleksandër Solzhenicinit dhe Xhorxh Oruellit. Rreziku i ri përcaktohet më mirë nga mbiemri më modest “post-faktike”. Në fakt Gjermania ka zgjedhur “postfaktisch” si fjalën e vitit. Përbën një rrezik për demokracinë, për aq sa lajmet tërësisht të rremë (Papa mbështet kandidaturën e Trumpit për president, Barack Obama nuk ka lindur në SHBA), të përpunuara mjeshtërisht dhe të amplifikuara në mënyrë konstante nëpërmjet jehonës së Internetit, duket se kanë fituar fuqinë që të ndikojnë mbi një pjesë të madhe të elektoratit.
Emocionet mbizotërojnë mbi ftohtësinë e fakteve, sensasionet mbi arsyen. Edhe kur Obama botoi kartelën e lindjes, Trumpi deklaroi se “shumë njerëz kanë ndjesinë që nuk është një kartelë e vlefshme”, një batutë kjo në linjë me konceptin e “të vërtetës”, fryt i ironisë së Stephen Colbertit.
Megjithatë, nuk ka arsye për t’u dëshpëruar. Nëse Oruelli dhe Solzhenicini nuk u dorëzuan përballë Gëbelsit dhe Stalinit, do të ishte qesharake të dorëzoheshim sot. Rrezikut të post-faktikes mund t’i kundërvihemi në shumë mënyra, duke e bërë 2017-ën, vitin e anti-post-faktikes.
“Fact-checking” (kontrolli i fakteve) ka tashmë një rol të spikatur në kronikë – dhe në përditshmërinë e Rrjetit. Kohët e fundit kam ripërcjellë në Tuiter një sërë fotografish, ku Dhoma e Ulët e parlamentit anglez shfaqej e mbushur plot, në rastin e debatit mbi pagat e deputëteve, dhe e mbushur përgjysmë në një tjetër debat, mbi katastrofën parlamentare në Aleppo. Brenda pak minutash më informuan se ishte një mashtrim dhe menjëherë postova një korrigjim.
Kultura e Internetit, që inkurajon kundërthënës kaq të shpejtë dhe efikasë, duhet të bëhet pjesë e programeve shkollore dhe universitetet mund të angazhohen më shumë për t’u dhënë më shumë hapësirë analizave rigoroze të vërtetuara.
Ekzistojnë fondacione filantropie që financojnë gazetarinë investigative serioze, dhe duke parë zakonin e keq të pjesës më të madhe të të përditshmeve, na duhen me bollëk. Gazeta si “Nju Jork Tajms”, “Shpigel” dhe të tjera si ato, e kanë ruajtur besueshmërinë online, ndërkohë që faqe të tjera në internet e kanë fituar me shpejtësi.
Vendet që kanë fatin të kenë transmetues publikë si BBC duhet t’i konsiderojnë si thesar. Kompanitë teknologjike munden dhe duhet që të pikasin dhe eleminojnë lajmet e rreme, që përhapen në masë prej robotëve nën regjinë e Rusisë së Vladimir Putinit, apo nga faqet e spamming (alias “meme farms”), qëllimi i të cilave është thjeshtë të pasurohen përmes reklamave online.
Falë mundësisë së jashtëzakonshme të thellimit që ofron Interneti, është më e thjeshtë se kurrë për qytetarët e vëmendshëm, që të ngrihen në realitetin e fakteve, në shumicën e rasteve. Sfida e vërtetë për gazetarinë e marrë si art dhe sipërmarrje, është që ta shpjerë realitetin e fakteve tek personat që kanë rënë pre e fjalimeve populiste, dhe nuk janë as veçanërisht të interesuar që të njohin të vërtetën e mërzitshme. Kushdo që gjen mënyrën për ta bërë të vërtetën e fakteve, të arritshme dhe interesante në formatin tabloid, apo ta ofrojë me pilula në Facebook dhe YouTube, do të meritonte një çmim “Oruell”.
Po kaq e rëndësishme është që të pranohen përgjegjësitë publike të të ashtuquajturave “superfuqi private”, si më pëlqen t’i quaj. Google, Facebook, Tuitter janë mbiquajtur Hppp – Hapësira Publike në Pronësi Private – por nuk kufizohen në të qënit thjeshtë sheshi ynë publik global.
Algoritmi i lajmeve i Facebook përzgjedh postimet që kanë parë qindra-miliona persona, përditë. Eshtë një superfuqi e jashtëzakonshme. Studimi i Filip Menczer, i universitetit të Indianës tregon se dizinformimi ka të njëjtën mundësi të bëhet “viral” sa edhe informacioni i saktë, kështu që nëse algoritmi zgjedh në bazë të “like”-ve të miqve, sigurisht nuk është e dobishme t’i kundërvihesh lajmeve të rreme.
Deri pak kohë më parë, kolosët e Internetit hezitonin ta merrnin këtë përgjegjësi. Preferuan të ishin ndërmjetës neutralë, me objektivin e vetëm që të ofronin “eksperiencën” më të mirë për “komunitetet” e tyre. Për fat, gjërat po ndryshojnë.
Ndërkohë që 2016 i afrohet fundit, Zuckerberg ka shkruajtur një postim të jashtëzakonshëm në Facebook. “Jemi një platformë e re e debatit publik, kështu që kemi një lloj të ri përgjegjësie për… të ndërtuar një hapësirë, në të cilën njerëzit mund të informohen”.
Pra, përdoruesit tani mund të tregojnë lajmet që i konsiderojnë të rremë dhe nëse një organizatë e pavarur e ngarkuar me “fact checking” do të miratojë, postimi do të sinjalizohet. Po kështu, Facebook do të përpiqet të pengojë që mashtrimet të shfrytëzohen për qëllime reklamash. Zuckerberg ka nisur edhe përpjekjet për të modifikuar algoritmin e shenjtë, me qëllim eleminimin e lajmeve të rremë.
Po si mund ta kontrollojmë funksionimin e algoritmit, nëse Facebooku ka qasje ekskluzive në të gjithë të dhënat? Rrjetet sociale, ashtu si cilido lloj tjetër pushteti, duhet t’i nënshtrohet një kontrolli dhe duhet të përgjigjet për punën e tij.
Por të jemi të matur në pritshmëri: Zuckerbergu ka të drejtë kur thotë se Facebooku nuk duhet të thirret në rolin e “arbitrit të të vërtetës”. Por mund të jetë një partner i domosdoshëm në luftën kundër gënjeshtrave.
Dekada të tëra gënjeshtra totalitare, manipulime politike dhe tashmë post-faktikja na kanë hapur sytë. Nuk mund të ndajmë më besimin e madh të Xhon Milltonit, i cili tek “Aeropagitika” thoshte: “Kush ka parë ndonjëherë që e Vërteta të humbasë përballë gënjeshtrës, në një përplasje të lirë dhe të hapur?” Por ka ende shumë për të bërë, deri sa të mbërrijmë tek përplasja finale. /Guardian – Në shqip nga www.bota.al