Pierre Haski
Polarizimi i thellë i shoqërisë franceze, mishëruar nga dy kandidatët që do të përballen në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, del edhe më qartë në pah, në qoftë se shkon në një vend tjetër evropian.
Parëmje nga Polonia, ky polarizim është edhe më i habitshëm, sepse ai reflekton atë të vetë shoqërisë polake: Polonia, që dje ishte “histori e suksesit” kryesore, për integrimin e vendeve ish-komuniste në BE, është bërë tashmë një vend i ndarë dhe gjithmonë e më larg nga vlerat e Unionit.
Anëtarët e shoqërisë civile polake, të bllokuar nga qeveria konservatore e Partisë Ligj dhe Drejtësi e Jaroslav Kaczynskit, më bëjnë pyetje të shqetësuar, për të ditur nëse Emmanuel Macroni mund të fitojë.
“Qeveria shpreson në fshehtësi, për një fitore të Marine Le Penit, gjë e cila do t’i jepte fund tensioneve gjithnjë e më të forta me Brukselin”, thotë një prej tyre, dhe kjo pavarësisht se flirtimi i kandidates së ekstremit të djathtë me Vladimir Putinin e tremb Poloninë, duke pasur parasysh se trupat e NATO-s janë vendosur përballë Rusisë, dhe Moska, ish “motra e madhe”, po nxjerr përsëri muskujt.
E njëjta ndjenjë ekziston në Hungari, ku presidenti Viktor Orbán duhet të përballet me dënimin e Bashkimit Evropian, për masën autoritare të radhës: përpjekjen për të mbyllur Universitetin e Evropës Qendrore, të financuar nga miliarderi amerikan me origjinë hungareze, George Soros. Me të mbërritur në Bruksel më 26 prill, Viktor Orbani mori një qortim të ashpër nga eurodeputetët, që e la atë të shastisur.
Të lindur nga histori politike dhe kontekste shumë të ndryshme, Jaroslav Kaczynski, Viktor Orbán, dhe Marine Le Pen ndajnë vizionin e një “demokraci joliberale” – shprehje e formuluar nga eseisti amerikan Fareed Zakarya, dhe e përvetësuar nga Presidenti hungarez – si dhe akuzat e hedhura ndaj Bashkimit Europian dhe strukturave të tij mbikombëtare.
Përtej veçantive të tyre, Varshava dhe Budapesti kanë interes në një fitore të Marine Le Penit, që do të fuste BE-në në një krizë të thellë, duke devijuar kështu vëmendjen nga problemet e tyre. Një fitore e Emmanuel Macronit, i cili është në favor të një ringjalljeje të projektit evropian dhe për një Evropë me shpejtësi të ndryshme, do të rrezikonte margjinalizimin e të dy vendeve.
Të dy qeveritë e shohin përsosmërisht veten në projektin e Marine Le Penit për një kthim në sovranitetin kombëtar, gjë e cila do të reduktonte integrimin europian, në një numër marrëdhëniesh ndërqeveritare. Dhe kjo do u jepte atyre carte blanche për të vënë në zbatim planin e tyre “joliberal” të shkatërrimit të pushteteve thelbësore kundërbalancuese në një demokraci.
Mjafton të thuhet se Gjykata Kushtetuese polake është vënë nën kontroll të qeverisë, që në të dy vendet pavarësia e gjyqësorit është e kërcënuar, se liria e shtypit dhe arsimit u nënshtrohet kontrolleve gjithnjë e më të rrepta, se në Poloni ajo është duke rishkruar historinë, e kështu me radhë. Të gjitha hapat që skualifikojnë anëtarësimin e Polonisë dhe Hungarisë në BE, si dhe në Kartën e të Drejtave Themelore, të përfshira në Traktatin e Lisbonës të vitit 2007.
Por e njëjta gjë nuk vlen në drejtim të kundërt. Marine Le Pen shmang çdo përmendje të këtyre vendeve, nga momenti që nuk janë në gjendje të paraqiten si modele sukses, dhe që gjenden në qendër të polemikave zgjedhore në Francë, si e tregon rasti i stabilimentit të Uhirpool në Amiens, që është zhvendosur pikërisht në Poloni.
Kjo nuk pengon Varshavën dhe Budapestin, për të adoptuar një strategji që mund të jetë ajo e Marine Le Penit, në rast fitoreje: një erozion gradual i shtetit të së drejtës futjen e strukturave të reja të kontrollit të institucioneve dhe mendimit. Në Poloni, roli qendror i historisë doli gjatë “Betejës së Gdanskut”, që sapo u luftua dhe u humb nga liberalët, në lidhje me muzeun e ri kushtuar Luftës së Dytë Botërore, drejtori i të cilit u detyrua të japë dorëheqjen.
Një surprizë e papritur
Në Poloni dhe Hungari, shoqëria civile po bën çdo gjë për të kundërshtuar këtë kthim në të kaluarën, dhe nuk pushon së ftuari njerëzit për t’u mobilizuar, ndaj planeve të qeverive të tyre kundër mbylljes së universitetit “Soros” në Budapest, apo kërcënimit ndaj lirisë së shtypit në Varshavë.
Në “Le Monde”, filozofi dhe sociologu Edgar Morin e analizoi në këtë mënyrë fenomenin: “Kudo në Evropë, politika reaksionare ka krijuar post-demokraci autoritare, të quajtura gabim ‘populiste’, dhe në këtë moment historik, ne vetë jemi të kërcënuar. Ne e dimë se ku na çon Fronti Nacional. Post-demokracia autoritare, ajo e Putinit, e Orbanit, përparon në kontinent”.
Për shoqërinë civile polake, Emmanuel Macroni, në raundin e parë përfaqësoi një surprizë të papritur. Politika e brendshme franceze nuk është në krye të shqetësimeve të polakëve, të cilët e njihnin Marine Le Penin, por ata nuk kanë dëgjuar kurrë për ish-ministrin e Ekonomisë. Sot këta njerëz ngrejnë pyetje mbi forcën e tij të vërtetë, projektin e tij, aftësinë e tij për të krijuar një gulç evropian, përballë një politike reaksionare.
Evropa, në fakt, është e pafuqishme përballë rritjes së këtyre regjimeve “postdemokratike”. Konstruksioni i Evropës kishte bërë mrekulli, duke shoqëruar rikthimin në demokraci të diktaturave që kishin zgjatur me dekada, si Greqia e kolonelëve, Spanja e Frankos dhe Portugalia e Salazarëve. Gjithkush mendonte, në vitet nëntëdhjetë, se e njëjta gjë do të ndodhte me ish-vendet komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore. Por saktësisht e kundërta po ndodh, me rritjen e populizmit dhe doktrinave autoritare.
Procedurat e nisura nga Komisioni Europian kundër Polonisë dhe Hungarisë janë një reagim i dobët, duke qenë se ajo që dallon Bashkimin Europian me projekte të tjera rajonale, apo edhe nga marrëveshjet e tregtisë së lirë në pjesën tjetër të botës, është bërthama e vlerave demokratike mbi të cilat është ngritur BE.
Atëherë çfarë duhet bërë me Poloninë dhe Hungarinë, që largohen progresivisht nga këto vlera? Nëse Marine Le Pen do të fitojë në Francë, pyetja as nuk do të ngrihet, aq të forta do të jenë tensionet në brendësi të BE-së. Para se të votojnë, apo të mos votojnë, francezët do të bëjnë mirë që t’u hedhin një sy vendeve që i kanë paraprirë Marine Le Penit në rrugën e “postdemokracisë”. / “L’Obs” – Bota.al