Pra, përse? Cfarë po u shpëton ekonomistëve? Pikërisht mungesa e racionalitetit njerëzor! E gjithë shkenca ekonomike është bazuar në supozimin e një “homo economicus”, që llogarit dhe maksimizon fitimet, begatinë, kënaqësinë, minimizon humbjet, dhimbjen etj. Por Evropa nuk është e dominuar nga racionaliteti, por nga krenaria, nga farisenjtë dhe rregullat e tyre të rreme, e për këtë arsye të padiskutueshme
Nga Piergiorgio Gawronski
Këto ditë, ekonomistë flasin në telefon me njëri-tjetrin, shkruajnë, takohen në kafene dhe shkëmbejnë përshtypjet mbi rastin grek, si dhe sigurojnë njëri-tjetrin: “Tonet e palëve si në një luftë? Kjo është pjesë e lojës! Janë bisedimet! Ke për ta parë… në fund do të arrihet një marrëveshje. Është e qartë: një marrëveshje u leverdis të gjithëve”.
Të gjorët ekonomistë! Historia, edhe një herë kërcënon të marrë një kthesë të ndryshme. Dhe do ta bëjë këtë nëse opinioni publik në vendet kreditore nuk do t’u japë më shumë lëmoshë negociatorëve evropianë. Ndërkohë marrim në konsideratë termat kryesore të çështjes. Greqia kërkon të vazhdojë të paguajnë në vitet e ardhshme atë që po u paguan aktualisht kreditorëve: rreth 4-4.5 miliardë euro në vit (400 euro për frymë), as më pak e as më shumë, derikur Prodhimi i Brendshëm Bruto të fillojë të ketë një rritje të qëndrueshme.
Tani, që PBB-ja greke të marrë veten është edhe në interesin tonë: në të kundërt, grekët nuk do të mund të na kthejnë ndonjë gjë të madhe dhe kjo është e padiskutueshme. Nëse Greqia rimëkëmbet, pagesat aktuale të interesit (jo shumë të larta, por as edhe të papërfillshme) do të kenë një tendencë në rritje.
Çfarë kërkon Evropa nga Greqia? Të respektojnë marrëveshjet e nënshkruara në vitet 2012-2013. Dhe çfarë parashikojnë ato marrëveshje? Rritjen e pagesave të borxhit grek nga 4-4.5 në rreth 13 miliardë euro në vit. Meqë grekët janë 11 milionë, ne po i kërkojmë secilit prej tyre – të moshuar dhe porsalindur përfshirë – për t’u paguar kreditorëve jo 400 por 1200 euro në vit. Pra e thënë shkoqur, po i kërkojmë Greqinë të ndërmarrë një raund të ri të masave shtrënguese, për të mbledhur 8.5 miliardë euro në vit më shumë.
Por për grekët kostoja nuk përfundon këtu: masat shtrënguese kanë efekte depresive mbi ekonominë. Doza e re e kursimit do të shkaktonte një rënie të mëtejshme të të ardhurave kombëtare, e vlerësuar në minus 20 miliardë dollarë në vit, ose minus 1800 euro për çdo banor. E njëjta recetë në të kaluarën, shkaktoi rënien e PBB-së me 25 përqind (minus 6.400 euro për person në vit). Rënia e të ardhurave do të prekte veçanërisht të papunët e rinj: papunësia do të mbërrinte në 29 përqind.
Ateherë çfarë? Kriza humanitare greke? Nuk është puna jonë! Greqia në duart e neo-nazistëve? Aq na bën: se mos është Gjermania! Greqia, aleat i Putinit? Do ta gjejmë një jusfitikim! Problemi qëndron tek Cipras dhe Varufakis: nuk e kuptojnë sesa i arsyeshëm, terapeutik dhe moralisht e lartë është praktika e kursimit (hëm…).
Mungesa e marrëveshjes midis Greqisë dhe pjesës tjetër të Evropës – në rast se nuk do të kemi një rebelim të BQE kundër Gjermanisë, për të shpëtuar bankat greke përmes dhënies së miliardave të tjera – do të çojë në një luftë të ashpër financiare mes Athinës dhe Brukselit.
Evropianët nuk do të rinovojnë më linjat kredidhënëse (që përdoren tani nga grekët jo për të rritur, por për të rinovuar borxhet / titujt e letrave me vlerë në skadencë e sipër). Greqia do të shpallte falimentin, do të duhet të rishtypte monedhën e dikurshme dhe të “dilte” jashtë Euros. Në atë pikë nuk do të na paguajë as edhe interesat që po paguan sot. Dhe “Grexit”, do të vërë në provë të fortë qëndrueshmërinë e vetë eurozonës.
Për ne, rreziqet janë të pallogaritshme, fitimet të pavlefshme, humbjet të mundshme.
Pra, përse? Cfarë po u shpëton ekonomistëve? Pikërisht mungesa e racionalitetit njerëzor! E gjithë shkenca ekonomike është bazuar në supozimin e një “homo economicus”, që llogarit dhe maksimizon fitimet, begatinë, kënaqësinë, minimizon humbjet, dhimbjen etj. Por Evropa nuk është e dominuar nga racionaliteti, por nga krenaria, nga farisenjtë dhe rregullat e tyre të rreme, e për këtë arsye të padiskutueshme.
Ekonomisti Varufakis – autor i dy librave mbi teorinë e lojës – ka kryer një gabim të rëndë psikologjik. Ai mund të kërkonte dhe të merrte një reduktim të borxhit. Por ai nuk mundet që në të njëjtën kohë të sfidonte krenarinë e Gjermanisë, ortodoksinë liberale, ideologjinë e pushtetit.
Një llogari e thjeshtë e kostos dhe përfitimeve ekonomike është bërë tashmë një çështje parimi. Dhe përballë pyetjeve parimore, çdo gjë tjetër kalon në plan të dytë: humanizmi, llogaria, gjithçka. Greqia shndërrohet në një krimb që duhet shtypur. Dhe Lufta e Tretë Botërore (financiare) është një mundësi reale: sepse “janë ata që vetë e kërkuan”. / “Il Fatto Quotidiano” /
a.g./www.bota.al