
Stefano Stefanini
Evropa, projekti europian i paqes dhe begatisë, nuk ishte ndërtuar për botën që e rrethon sot. Këtë e themi shumë shpesh. Është koha të ankohemi më pak dhe të përshtatemi me një realitet ndërkombëtar që nuk po afrohet më me ëmbëlsinë e kohëve më të mira.
Dy janë rrugët e mundshme: një Bashkim Evropian më i fortë, si ai që parashikohet në propozimin për buxhetin shumëvjeçar 2028-2034, sapo paraqitur nga Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen – sepse për të qenë të fortë duhen burime, jo vetëm fjalë; ose, një logjikë e forcimit të kryeqyteteve të shteteve anëtare, drejtim në të cilën po lëviz trekëndëshi Paris-Londër-Berlin, i ashtuquajturi E3, që po forcon me shpejtësi bashkëpunimin ndërqeveritar në mbrojtje dhe siguri, por jo vetëm – marrëveshja dypalëshe franko-britanike prek edhe emigracionin e paligjshëm përmes Kanalit të La Manshit, një temë e nxehtë për opinionet publike të brendshme.
Le të përpiqemi ta shikojmë skenën ndërkombëtare pa paragjykime. Jemi të rrethuar nga bota e Vladimir Putinit, që ka rikthyer luftën – më falni, “operacionin special” – në zemër të kontinentit, duke sulmuar, sipas tij, një popull “vëlla” i cili, ndoshta, pas mijëra dronëve dhe bombave, ndjen mungesën e asaj vëllazërie.
Nga konkurrenca e pamëshirshme tregtare dhe teknologjike e Kinës – e cila nuk është pranë, por tashmë është brenda nesh, mjafton të hysh në një “3J casa market” ku gjen gjithçka me çmime qesharake, sigurisht të prodhuara në Kinë, por të shpërndara nga Prato.
Ndërkohë, presim edhe makinat elektrike kineze, më pak të shtrenjta se tonat dhe teknologjikisht më të avancuara.
Nga gishti i lehtë mbi këmbëz i Benjamin Netanyahut, i cili tashmë zgjidh çdo problem të brendshëm me një ndërhyrje ushtarake dhe vazhdon pa u ndalur luftën në Gaza me objektivin fillestar – të eliminojë kërcënimin nga Hamasi – por që ka përfunduar nën rrënoja dhe me dhjetëra viktima civile çdo ditë. Sa prej tyre janë terroristë të Lëvizjes së Rezistencës Islamike?
Apo nga arroganca e Zotërisë së luftës së Bengazit, Khalifa Haftar, i cili nuk hezitoi të dëbonte Komisionerin e BE-së për Migracionin, Magnus Brunner, dhe tre ministrat që e shoqëronin, mes tyre edhe italianin Matteo Piantedosi, në një mision diplomatik. Do të ishte më e kollajtë të kishin “takuar” Muammar Gaddafin.
Nga mesazhet në rrjetet sociale të Donald Trump-it – prej të cilëve, për fat të mirë, do ta mësojmë deri më 1 gusht nivelin e tarifave që ai do të vendosë, të cilat variojnë nga 10% deri në 30%. Diferenca është e madhe, siç e di çdo eksportues.
Kjo “stuhi e përsosur”, për më shumë se një të katërtën e globit, i pret rrënjët Evropës që në fillim të këtij shekulli.
Një Evropë e përshtatur në një kontekst sigurie sociale dhe mirëqenieje të shpërndarë, falë nivelit të lartë të industrializimit dhe sektorit të tretë. Një Evropë që zgjerohet paqësisht drejt Lindjes, me kërkesën e atyre që duan të marrin pjesë, drejt një sfere të shtetit të së drejtës dhe demokracisë.
Një Evropë, pa ambicie egoiste, që beson se ka një rol natyral në Mesdhe – për të cilin, kujtojmë, janë shtatë shtete që kanë dalje në “Mare Nostrum”: Spanja, Franca, Italia, Malta, Kroacia, Greqia dhe Qipro.
Një Evropë gjysmë e çarmatosur, por që pse të shqetësohet? Amerikanët janë aty.
Por këto themele janë sistematikisht të krisura. Europa përballet me penetrimin konkurrues të ekonomisë kineze në tregjet e saj tradicionale – shih Afrikën apo Amerikën Latine. Ajo vuan nga një irrelevancë faktike në Lindjen e Mesme: në luftërat e Izraelit, pas 7 tetorit, nuk ka luajtur asnjë rol. Dhe, mbase, ka lënë fushën e lirë për Turqinë, Rusinë, Emiratet, Egjiptin – në Libi për shembull?
Rusia e Putinit e ka hequr maskën më 24 shkurt 2022: është një fuqi e madhe ushtarake, bërthamore dhe energjetike, që ndjek një politikë revizioniste për të ndryshuar ekuilibrat europianë.
Por më tronditësja është Amerika e re, Amerika e Donald Trump-it. Ende mike për sigurinë, por nuk e dimë në çfarë kushtesh – shpresojmë të mos e mësojmë. Mund të jetë me Ukrainën, ndoshta, veçanërisht nëse patriotët e Kievit kanë nevojë për armë që ne i blejmë për ta. Por për Trump-in, “business is business”, dhe ai mund të ndërrojë mendje pas një telefonate midis Shtëpisë së Bardhë dhe Kremlinit, ose pas një samiti në Riad.
Siguria bëhet, hapur, rivalitet ekonomik. Dhe nëse Trump vendos disa tarifa që hyjnë në fuqi nga 1 gushti – do të negociojmë – por nuk ndryshon fakti themelor: vizioni i administratës Trump për Europën është kundërshtar.
Përveç nëse Europa ndahet, siç e shpjegonte Marta Dassù për Repubblica, pas një vizite të qartë në Heritage Foundation, institut konservator shumë pranë presidentit.
Përça dhe sundo. Dhe mbase përfiton edhe Groenlandën.
Çfarë duhet bërë për të lundruar në këto stuhi ndërkombëtare dhe për të mbajtur kokën mbi ujë përballë një “America First”, me të cilën kemi ende lidhje shumë të forta?
A duhet të mbështetemi në një BE më të fortë apo në kapitale kombëtare më të fuqishme? Të dyja duhen, për aq kohë sa e para është më solide dhe e strukturuar, por më e ngadaltë, ndërsa e dyta është më e menjëhershme, më elastike dhe më e zhdërvjellët.
Dhe, për çështje sigurie dhe mbrojtjeje, britanikët janë të domosdoshëm.
Italia e Giorgia Melonit është e paralajmëruar. Ka hapësirë për Romën. Por nëse nuk angazhohet në Bruksel dhe nuk lidhet me trekëndëshin Paris–Londër–Berlin (E3), do të mbetet në periferi të lojës ndërkombëtare dhe jashtë rrethit të fuqive. Që nuk e quan veten të tillë, por është. / La Stampa – Bota.al