Nga Angelo Panebianco
“Corriere della Sera”
I dërguari i Xi Jinping, njëherazi shefi i diplomacisë kineze, Wang Yi, takon amerikanët në Mynih në kuadër të Konferencës së përvitshme mbi Sigurinë, dhe më pas shkon në Moskë për t’u takuar me Vladimir Putinin. Kina propozon planin e saj të paqes në mbështetje të aleatit të saj rus.
Lufta në Ukrainë po zbulohet hapur për atë që ka qenë gjithmonë: si një lojë trekëndore midis Shteteve të Bashkuara, Kinës dhe Rusisë. Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, një shumicë dërrmuese e vendeve e dënojnë agresionin rus.
Por ndërkohë ka edhe një grupim vendesh, të udhëhequr nga Kina dhe India, një pakicë e konsiderueshme (këtu përfshihen edhe vende të ndryshme afrikane) që abstenojnë, duke refuzuar të rreshtohet kundër Putinit. Edhe G20 është e përçarë, ku Kina është sërish në anën e Rusisë.
Bota është bërë shumë polare, por siç ka theksuar më të drejtë një analist i njohur amerikan, Robert Kagan, ka shumë pak arsye për të qenë të lumtur. Sistemet ndërkombëtare multipolare të së kaluarës nuk ishin paqësore: fuqitë e mëdha përfshiheshin shumë shpesh në luftëra lokale dhe hynin periodikisht në konflikte të armatosura me njëra-tjetrën.
Dallimi sot është se fuqitë e mëdha (madje edhe disa fuqi të mesme) zotërojnë armë bërthamore. Në këto kushte, mënyra e vetme që kemi në dispozicion ne perëndimorët për të frenuar kaosin në rritje në epokën multipolare dhe për të mbrojtur të mirat që kemi gëzuar deri tani (paqja, liria, prosperiteti) është të ruajmë unitetin dhe kohezionin, sot dhe në të ardhmen.
Pikërisht ato që rusët dhe kinezët, mendojnë që ne nuk do të mundemi t’i ruajmë edhe për një kohë të gjatë. Siç e thotë një thënie e lashtë kineze, dy fuqitë e mëdha autoritare janë ulur në shtratin e lumit dhe presin që para tyre të kalojë kufoma e armikut, pra ajo botës perëndimore.
Dhe nuk mungojnë arsyet që i nxitin rusët dhe kinezët ta presin këtë gjë. Pas presidencave të mos-angazhimit global të SHBA-së (Obama dhe Trump), për shkak të luftës së Putinit, Amerika e presidencës Biden është kthyer në skenë, duke u angazhuar prapë në mbrojtje të Evropës.
Por sa do të zgjasë e gjithë kjo? Nuk është aspak e sigurt që administratat e ardhshme amerikane do të konfirmojnë zgjedhjet aktuale të Joe Biden. Sepse duhet mbajtur nën kontroll Azia dhe Kina, shoqëria amerikane është e ndarë dhe e polarizuar, dhe një pjesë e saj nuk e kupton se përse evropianët e pasur nuk duhet të kujdesen për veten e tyre.
Nga ana tjetër kemi një Evropë, e cila nuk është në gjendje të qëndrojë vetë në këmbë. Përkundrazi ajo gjendet në një stanjacion. Atë po e dobësojnë përçarjet e saj të shumta (rivaliteti Vendet Nordike/Vendet e Mesdheut; Evropa Qendrore/Evropa Perëndimore) që aktualisht janë më pak të dukshme, në fillim për shkak të pandemisë dhe më pas luftës në Ukrainë.
Por ato janë gati që të rishfaqen me forcë sapo të ketë kaluar faza më akute e emergjencës.
Ndërkohë presionet e të ashtuquajturave lëvizje sovraniste duan të bllokuar lëvizjen e njerëzve dhe mallrave. Një Evropë e cila është e paaftë për të zgjidhur problemet e saj të lidershipit (Franca nuk ka forcën për ta marrë atë, Gjermania nuk e dëshiron, Britania e Madhe është larguar nga unioni), dhe nuk është në gjendje t’i garantojë vetes, pa ndihmën e SHBA-së, një kohezion të mjaftueshëm për t’u përballur me sfidat e jashtme.
Herë pas here shfaqet dikush që flet për një mbrojtje evropiane krejtësisht autonome nga NATO. A thua se është realisht e mundur që evropianët të pranojnë një zhvendosje të madhe të burimeve nga mirëqenia sociale në mbrojtjen ushtarake. Dhe sikur të ishte e lehtë t’u shpjegohej votuesve se sakrifica është e nevojshme sepse “paqja e përhershme” kantiane, të cilën ata e besonin si një fakt të vërtetuar (të paktën në pjesën tonë të botës) nuk kishte asgjë të përhershme.
Një ndër elementët që e dobëson Evropën, ka të bëjë me faktin se e një pjesë e opinionit publik evropian (në Itali është më i fortë se gjetkë) është i papërgatitur të përballet me rreziqet në rritje që lidhen me lindjen e një bote multipolare.
Këtu mund të dallojmë qartë 2 kategori: ata që nuk kanë kuptuar asgjë dhe ata që kanë kuptuar shumëçka. Të parët që besojnë se jetojnë në një park lojërash, mendojnë se Zelenskyështë një ngatërrestar. Po ashtu ata mendojnë se edhe nëse rusët do të fitonin në Ukrainë, nuk do të ndryshojë asgjë në jetën e tyre dhe as të njerëzve të tyre të dashur.
Ata besojnë se paqja që gëzojnë është një lloj kushti natyror, që nuk mund t’ua heqë askush. Mendojnë se lufta, shtypja dhe dhuna shqetësojnë vetëm të tjerët, ndërsa ata nuk mund t’i prekë askush. Por nuk e kanë kuptuar asnjëherë se që nga viti 1945 e deri më sot, paqen dhe lirinë e tyre e ka garantuar NATO.
Përveç kësaj, janë ata që mendojnë se asgjë e keqe nuk mund t’u ndodhë nëse, me Putininfitues në Ukrainë dhe me Amerikën në tërheqje, Rusia e shtrin ndikimin e saj mbi një Evropë Perëndimore, të brishtë, të ndarë dhe të manipulueshme. Ata nuk e mendojnë se nëse do të shpërbëhej NATO, pasiguria kolektive do të rritej kudo, madje edhe në Ballkan dhe në Mesdhe.
Dhe Italia do të ishte në rreshtin e parë në listën e vendeve të kërcënuara. Pastaj ka nga ata që kanë kuptuar gjithçka. Ata janë armiqtë perëndimorë të shoqërisë perëndimore. Ata e urrejnë dhe e kanë urryer gjithmonë kapitalizmin, individualizmin, “demokracinë tonë të rreme” siç shprehen shpesh.
Në kohën e Luftës së Ftohtë, ata refuzuan gjithmonë t’i përgjigjeshin një pyetjeje: pse Muri i Berlinit nuk ishte i nevojshëm për të parandaluar “ikjen” e gjermano-perëndimorë në Lindje, pra për t’i penguar ata të arratiseshin nga “ferri kapitalist’?
Janë ata që shpresojnë që rusët dhe kinezët të kenë të drejtë, se numërimi mbrapsht ka filluar vërtetë, se Evropa do të ketë më në fund sukses dhe se herët a vonë do ta heqë qafe tutelën amerikane. Ata këmbëngulin të mos pyesin se si do të kishte qenë jeta e tyre personale nëse në vend se të jetonin në “demokracinë e rreme” perëndimore, ku pushteti i qeverisë është i kufizuar dhe i balancuar nga fuqitë e tjera, do të kishin fatin e keq t’i nënshtroheshin fuqisë së pakufizuar dhe të përqendruar të një despoti dhe klikës së tij.
Si gjithmonë, e ardhmja është e hapur. Sfidat me të cilat përballemi janë të shumta. Emergjenca më e afërt është si t’i bindim evropianët se ne nuk jetojmë në një Park Lojërash, se paqja, liria dhe prosperiteti nuk janë si mollë të rëna nga qielli, por janë produkte që i kemi shijuar falë një sërë rrethanash që mund të zhduken.
Dhe ne kemi çdo lloj interesi për t’u siguruar që kjo gjë të mos ndodhë. Në botën e rrezikshme multipolare në të cilën jemi zhytur tani, nuk mund të përcaktohet a priori se kush do të dalë fitimtar në luftës midis demokracive perëndimore dhe fuqive autoritare. Zgjedhjet dhe veprimet tona do të vendosin mbi të ardhmen tonë. Ato do të vendosin nëse do të jemi ne ata që do të ulemi në shtratin e lumit duke parë kufomën e kundërshtarit që pluskon mbi ujë, siç edhe mund të shpresohet.