AnalizaMAIN

Evropa në sanduiç, nga të mbrohet më parë

Evropianët do të jenë ose aleatët më të mëdhenj të BE-së, ose armiqtë e saj më të mëdhenj

Nuk është për t’u habitur që presidenti Donald Trump ka përmendur pushtimin e Marsit si një nga objektivat e administratës së tij. Më shumë se kurrë më parë, Shtetet e Bashkuara duken të ngjashme me atë që planeti i kuq dhe perëndia me të njëjtin emër përfaqësojnë në imagjinatën tonë kolektive: fuqi teknologjike, pasion për luftën dhe sundimi i më të fortit.

Duke perifrazuar një libër të famshëm, ndonëse jo edhe aq të kohëve të fundit, SHBA-ja është e kundërta e një Evrope që (për momentin) mishëron fytyrën e Venusit: respekt për rregullat, përfshirje të pakicave dhe aspiratë për një botë ku bukuria lidhet me qëndrueshmërinë mjedisore dhe sociale. Marsi dhe Venusi, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian: dy planete në përplasje.

Por kjo nuk ishte e pashmangshme. Shekulli i njëzetë nisi me ngritjen e Uashingtonit si një fuqi botërore (relativisht) e butë, e cila, pasi shpëtoi Evropën nga një diktaturë e egër, u bë mbrojtësja e saj dhe krijoi me të një tregti të ndërsjellë, që simbolizonte edhe një unitet të objektivave politike. Më pas, nënvlerësimi i rritjes kineze përmbysi ekuilibrat. Shekulli i njëzetenjë u hap me një Amerikë të tronditur dhe të frikësuar nga Kina, e cila, megjithëse ka varrosur demokracinë, është bërë e pasur dhe e fuqishme, me objektivin e shpallur për të formuar një rend të ri botëror.

Trumpi mishëron reagimin amerikan: kundërvënie dhe hakmarrje me çdo kusht, edhe në kurriz të shtetit ligjor dhe aleatëve të vjetër, që tani janë bërë të padobishëm.

Kështu, Evropa jonë ka përfunduar nën sulm, sado që shumë ende e kanë të vështirë ta besojnë. Ajo është e kërcënuar në frontin lindor nga ambiciet ekspansioniste dhe imperialiste të Vladimir Putinit, si dhe nga fuqia tregtare e Kinës, e cila e ka bërë të parëndësishme në disa sektorë kyç, nga panelet diellore te makinat e reja elektrike.

Por, mbi të gjitha, kërcënimi vjen sot nga Perëndimi, nga një Amerikë që e përçmon Evropën si subjekt politik dhe ushtarak dhe që e sheh atë vetëm si një treg të madh për t’u pushtuar nga korporatat e saj shumëkombëshe. Pasi i luftoi ato gjatë administratës së tij të mëparshme, Trumpi tani e ka kuptuar se gjigantët e teknologjisë amerikane – duke ndryshuar narrativën, ashtu siç kanë bërë platformat e Elon Musk dhe Mark Zuckerberg – mund t’i shërbejnë sërish.

Këto platforma përhapin një dizinformim të mirëmenduar për të mbështetur ekstremizmat dhe sovranizmat brenda Evropës, me synimin për të shpërbërë kohezionin e saj politik, që më pas të mund ta nënshtrojë ekonomikisht. (Në atë pikë, edhe blerja e Groenlandës do të bëhej e kollajtë.)

“Përçaj dhe sundo” ishte motoja e perandorëve romakë, dhe Trumpi e sheh veten si një perandor. Aq më tepër kur liderë evropianë si Giorgia Meloni shkojnë për “pelegrinazh” në oborrin e tij.

Por për të pasur sukses, “vëllezërit e teknologjisë”, siç i quan shtypi amerikan, duhet, pikësëpari, të hapin Bashkimin Evropian si një kuti sardelesh, duke shpëtuar nga të gjitha ato rregulla mbi platformat dixhitale (si Akti për Shërbimet Dixhitale – Digital Services Act) dhe inteligjencën artificiale, të hartuara me shumë mund gjatë legjislaturës së fundit evropiane.

Hapi i parë tashmë është hedhur: javën e kaluar, Trump kërkoi që tre anëtarë demokratë të vetmit organ të pavarur që mbikëqyr mbrojtjen e lirive civile dhe privatësisë në SHBA – dhe që është përgjegjës për mbikëqyrjen e praktikave amerikane mbi përdorimin e të dhënave evropiane – të dorëhiqeshin ose do të shkarkoheshin.

Ky organ ishte një pjesë kyçe e marrëveshjes për transferimin e të dhënave mes Uashingtonit dhe Brukselit (Transatlantic Data Privacy Framework) e firmosur në vitin 2023.

Tani topi është në fushën e Brukselit dhe pritet përgjigja e tij.

Ndërkohë, Trumpi nuk ka humbur kohë për të “pushtuar” Evropën me një valë kërkesash, duke shpresuar – me të drejtë – se do ta detyrojë të zbulohet në disa pika të dobëta.

Përveç eliminimit të të gjitha atyre rregullave që kufizojnë dominimin e gjigantëve të teknologjisë amerikane dhe dorëzimit të të dhënave tona për të fuqizuar një inteligjencë artificiale që ndoshta do të ndihmonte të përparonte i gjithë Perëndimi – por që me siguri do të pasuronte edhe më shumë Shtetet e Bashkuara – Trumpi kërkon gjithashtu që të blejmë më shumë mallra të prodhuara në SHBA dhe më shumë naftë, të heqim taksat mbi korporatat shumëkombëshe (pasi vitin e kaluar u arrit një marrëveshje mes vendeve të OECD për një taksim minimal global prej 15%) dhe të heqim dorë nga një pjesë e konsiderueshme e sistemit tonë të mirëqenies, për të financuar mbrojtjen tonë, si dhe për të marrë përsipër barrën e mbrojtjes së Ukrainës dhe rindërtimin e saj në të ardhmen.

Nëse nuk i plotësojmë këto kërkesa, Shtetet e Bashkuara jo vetëm që do të na shpallin luftë tregtare – me tarifa doganore midis 10 dhe 20%, ndaj të cilave ndoshta mund të reagonim dhe t’i mbijetonim, pavarësisht dobësisë ekonomike të Francës dhe Gjermanisë – por, dhe ky është problemi kryesor, do të na linin të vetëm përballë ekspansionizmit ushtarak të Putinit.

Për të treguar se kërcënimet e tij nuk janë vetëm fjalë, fundjavën e kaluar Trumpi e ktheu Kolumbinë – një vend që ka qenë historikisht miku më të ngushtë i SHBA-ve në Amerikën e Jugut – në një kokë turku, duke e detyruar të pranojë dëbimin e detyruar të mijëra qytetarëve, nën kërcënimin e tarifave prej 25% dhe anulimit të vizave amerikane.

Pavarësisht nga motivet dhe qëndrimi, jo të gjitha kërkesat amerikane janë të paarsyeshme: ishte e pashmangshme që mbrojtja me kosto të ulët të merrte fund në momentin kur nuk është më një interes i drejtpërdrejtë amerikan, siç ishte gjatë Luftës së Ftohtë.

Në fund të fundit, e prisnim. Sipas të dhënave të Agjencisë Evropiane për Mbrojtjen për vitin 2023, shpenzimet ushtarake evropiane arritën shifrën rekord prej 279 miliardë eurosh (kundrejt 820 miliardë dollarëve të SHBA-ve), duke shënuar vitin e nëntë radhazi të rritjes që nga viti 2014, kur Rusia pushtoi Krimenë. Dhe, sipas informacioneve më të fundit, në vitin 2024 shpenzimet e vendeve evropiane të NATO-s ishin 50% më të larta se në vitin 2014.

Problemi është shpejtësia e ndryshimeve në zhvillim, numri i fronteve në të cilat BE-ja duhet të mbrohet dhe ngadalësia e ekonomisë evropiane për t’u përshtatur me një model strukturalisht të ndryshuar, ku teknologjia, inovacioni dhe shërbimet kanë marrë përparësi, në kurriz të industrisë tradicionale prodhuese.

Le të marrim Italinë: rritja e saj ekonomike nuk arrin as 1%. Për të kaluar nga 1.5% në 2% të PBB-së në shpenzime ushtarake, siç kërkon NATO, ajo do të duhej të shtonte 10 miliardë euro në vit në defiçit, në një buxhet që vitin e kaluar ishte 30 miliardë euro. Pa një rritje të produktivitetit, që është në rënie prej 30 vjetësh, ky është një objektiv praktikisht i paarritshëm – përveç nëse do të bëheshin shkurtime të papërballueshme në sistemin e mirëqenies: pensione, shkolla, shëndetësi dhe transport.

E njëjta gjë vlen edhe për Gjermaninë, e cila i ka shpenzimet ushtarake rreth 1.5% të PBB-së, krahasuar me 3% në vitet ’80 dhe 5% të kërkuara nga Trumpi. Për më tepër, vendi përballet me forcimin e ekstremit të djathtë, i cili kundërshton furnizimin me armë të Ukrainës, duke argumentuar se kjo “i heq burime gjermanëve”. “Shpenzimet për mirëqenien sociale janë thelbësore për të mbajtur të bashkuar vendin”, ka paralajmëruar ministri i Ekonomisë, Robert Habeck.

Evropa kundër kërkesave të SHBA

Përballë kërkesave amerikane për më shumë shpenzime ushtarake, BE-ja kundërpërgjigjet me lëshime ekonomike.

Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, tashmë është shprehur e gatshme për të blerë më shumë lëndë djegëse fosile amerikane, edhe pse një Evropë gjithnjë e më e pavarur energjetikisht nuk do ta kishte aspak të nevojshme këtë gjë. Për më tepër, për ta bërë këtë, BE-ja do të duhet të rishqyrtojë marrëveshjet për importimin e gazit më pak ndotës, të cilat u firmosën me Joe Bidenin dhe që hyjnë në fuqi nga viti 2027.

Për të vijuar tregtinë me një SHBA të “rikarbonizuar”, Bashkimi Evropian do të duhej të hidhte poshtë një pjesë të madhe të Green Deal-it. Nuk është ende e qartë sa larg mund të shkojë BE-ja për të kënaqur Trumpin, pa dëmtuar veten. Ajo që dihet me siguri është se Green Deal-i do të rishikohet, të paktën në ato pjesë që penalizojnë industrinë evropiane, për ta përshtatur me Paktin e ri për Industrinë e Gjelbër, i cili synon të rilançojë industrinë evropiane nën parullat e “thjeshtimit” dhe “inovacionit”.

Në këtë klimë, dy direktiva kyçe mund të shtyhen: Direktiva për përgjegjësinë e korporatave (Due Diligence Directive), Dhe Direktiva për qëndrueshmërinë mjedisore.

Pavarësisht të gjithave, BE-ja mbetet tregu më i madh në botë dhe ka një sistem rregullator aq të sofistikuar, sa që kopjohet kudo (“efekti Bruksel”). Për më tepër, ka një shtet të së drejtës ndër më të fuqishmit në botë.

Në Forumin Ekonomik të Davosit, Valdis Dombrovskis, Komisioneri Evropian për Ekonominë, deklaroi “Është e qartë që jemi të gatshëm të mbrojmë vlerat dhe interesat tona, nëse është e nevojshme. Do të përgjigjemi në mënyrë të proporcionale, ashtu siç bëmë gjatë administratës së parë të Trump-it.”

Dhe vërtet, gjatë mandatit të parë të Trump-it, BE-ja përdori legjislacionin kundër shtrëngimeve ekonomike, fillimisht të projektuara kundër Kinës, për të goditur markat amerikane me tarifa të shënjestruara, siç ishte Harley-Davidson.

Kjo pati pasoja të rënda për SHBA: modelet e Harley për tregun evropian filluan të prodhoheshin në Tajlandë, duke krijuar efekte zinxhir edhe në punësimin në SHBA. Sipas analistes Janina Landau, eksperte ekonomike e Class CNBC: “Në terma ekonomikë, tarifat amerikane ishin një boomerang i vërtetë.”

Çfarë mund të bëjë BE?

BE-ja mund të përdorë Regulloren e Ekzekutimit të BE-së, e cila e anashkalon paralizimin e OBT-së nga SHBA-të dhe e lejon Evropën t’u përgjigjet tarifave amerikane duke goditur atje ku SHBA ka dobësi: SHBA ka një deficit tregtar prej 161 miliardë dollarësh në mallra me BE-në, por ka një sufiçit prej 104 miliardë dollarësh në sektorin e shërbimeve.

Pra, BE-ja mund të vendosë tarifa mbi shërbimet amerikane, duke ndikuar drejtpërdrejt në fitimet e korporatave amerikane.

Por asnjë strategji nuk do të funksionojë pa një Evropë të bashkuar

Në fund të fundit, sfida më e madhe e BE-së është vetë Evropa. Asnjë mjet mbrojtës nuk do të ketë efekt nëse vendet evropiane dhe qytetarët e tyre nuk e kuptojnë se pa BE-në do të ishin më të varfër dhe më pak të lirë.

BE ka nevojë për një vizion të përbashkët për financimin e mbrojtjes, përfundimin e Unionit Bankar, për të krijuar një treg financiar që mbështet startup-et teknologjike, dhe kalimin në një ekonomi të gjelbër dhe dixhitale, pa e sakrifikuar konkurrueshmërinë.

Evropianët do të jenë ose aleatët më të mëdhenj të BE-së, ose armiqtë e saj më të mëdhenj. / L’Espresso – Bota.al

Back to top button